E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Kinezët dhe industrializimi i Shqipërisë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Kenneth Ames
korrespondent i shërbimit të jashtëm të “Uashington Post”

Tiranë, 29 korrik 1971 – Dhjetë vjet pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria mbetet vendi më i ashpër i Evropës. Një vend prej 2 milionë banorësh, që çuditërisht, janë krenarë për arritjet e tyre modeste dhe të kënaqur që nuk janë më të varur për asgjë nga Bashkimi Sovjetik. Por ende paradoksalisht, bustet e Stalinit dhe të Leninit stolisin bulevardin kryesor të Tiranës, ndërsa ai i Stalinit dominon dhe rrugën kryesore të portit të Durrësit, që mbart dhe emrin e tij, bulevardi “Stalin”. Fytyra e tij gjendet dhe në pullat e reja të postës. “Ne nuk jemi prishur me popullin rus, - shpjegon një gjysmëzyrtar i Partisë Komuniste. – Ne jemi prishur me udhëheqjen e tyre”. Për 10 vjet, Shqipëria ka qenë aleati më i qëndrueshëm evropian i Mao Ce Dunit. Në kohën kur kinezët injektuan qindra milionë dollarë si ndihmë zhvillimi, por dhe hua, diplomatët perëndimorë llogaritën që këto shuma arrinin në 300-400 milionë $, një mbështetje e mirë për industrializimin e vendit, por që ishte në kontrast me mënyrën që shqiptarët do të donin dhe mund t i përdornin. Ndihma kineze, momentalisht, është duke u dhënë në 33 projekte industrializimi, të përfshira në planin 5-vjeçar dhe ekspozeja më e mirë e bashkëpunimit kino-shqiptar është fabrika e tekstileve “Mao Ce Dun” në qytetin e Beratit, që shtihet në jug të kryeqytetit dhe është sipërmarrja e vetme më e madhe industriale në vend. Aty punojnë 6.500 punëtorë. Portretet e Maos çiftohen me ato të udhëheqësit të partisë shqiptare, Enver Hoxhës, me intervale përgjatë rrugëve kryesore, me parullat “Jetë të gjatë Enver Hoxha, Mao Ce Dun dhe rroftë marksizëm-leninizmi i vërtetë”. Banderolat jashtë getos së turistëve në Durrës, shkruajnë: “Ne përshëndesim Partinë Komuniste të Kinës dhe mësojmë nga idetë e Mao Ce Dunit”. Prova e ndihmës kineze është kudo. Edhe pse Shqipëria nuk ka makina private dhe shumë pak zyrtare, duket sikur nuk janë të paktë kamionët e madhësive dhe kategorive të ndryshme, shumica e të cilëve vijnë nga Kina. Autobusët çekë “Skoda” janë të pajisur me goma kineze. Shumica e pajisjeve agrikulturore vijnë gjithashtu prej Kinës, ashtu siç vijnë nga ky vend edhe pjesa më e madhe e importuar e mallrave të konsumit. Por kinezët sollën dhe orizin dhe teknikat e kultivimit të tij duke e bërë sot orizin një nga të korrat më të rëndësishme të vendit. Zyrtarët nuk janë në gjendje të thonë se sa teknikë e specialistë kinezë janë ende në vend dhe duke ditur gjendjen e drejtimit të Shqipërisë, është plotësisht e mundur që ata të mos e dinë. Besohet se numri i tyre është ulur ndjeshëm në dy ose tre vitet e fundit. Grupe prej tyre janë faktorë momentesh të papëlqyeshme, zakonisht duke u ngarkuar më tepër me punë, apo duke qenë gjithnjë në udhëtime kur i thërret detyra, bërë sardele në furgonët kinezë. Kinezët udhëtojnë në grupe të vogla duke bërë gjithçka që u është shënuar në faturën me disa urdhra sekretë dhe të heshtur. Ata hanë në kohë rekord dhe papritur largohen. Kanë vendosur të marrin disa rreze dielli në një plazh, por dhe aty duken si në një radhë, duke marshuar njëri pas tjetrit në ujë me kostumet e tyre të banjës identike, ngjyrë blu. Një kolegu japonez që udhëtonte me grupin tonë, pas disa mometesh iu afrua një roje sigurie shqiptare dhe i tha se ai nuk duhej të “shoqërohej me të huaj”. Shqiptarët kanë shumë pak kontakte me kinezët. Komunikimet e tyre zakonisht kanalizohen përmes një kinezi anglishtfolës që shoqëron grupin e tyre. Por ndërmjet shqiptarëve dhe kinezëve nuk ka mosmarrëveshje. Këta të fundit paguhen me paga të njëjta si shqiptarët, por në valutën e vendit të tyre. Një uzinë kishte 10 teknikë kinezë që punonin në të njëjtin vend pune prej 36 vjetësh. Shqiptarët e krahasojnë sjelljen e tyre më atë të sovjetikëve. Një tekniku shqiptar i kujtohet se “rusët kërkuan paga speciale më të larta dhe të paguheshin me rubla apo valuta të tjera të forta që ne vendasit nuk mund t i përballonim. – Ata kërkonin strehim të veçantë e lehtësira të tjera dhe mbi të gjitha dukeshin sikur ishin gjithnjë të dehur. Unë nuk kam parë ndonjëherë një kinez të dehur”. Shqiptarë të tjerë shprehën admirimin e tyre për disiplinën, precizionin dhe përkushtimin e kinezëve në punë. “Ne kemi për të mësuar shumë prej tyre”, - tha njëri nga ata. Sigurisht, kur vjen fjala tek përkushtimi në punë, shqiptarët kanë shumë për të mësuar pothuajse nga kushdo. Përshtypja që mbizotëron në çdo zonë urbane është se në çdo kohë të ditës gjen një dembelizëm të jashtëzakonshëm. Kafenetë janë të mbushura me burra që zgjaten për të marrë një filxhan të vogël kafeje turke që e rrufisin përgjatë gjithë mëngjesit. Ata qëndrojnë tufa-tufa në rrugë, bëjnë thashetheme për orë të tëra derisa gratë e tyre përfundojnë punët. Nëntëdhjetë për qind e punëtorëve që punojnë në fabrikat tekstile janë gra. Edhe në ara predominojnë gratë dhe burrat e moshuar. Një nga misteret më të thella të Shqipërisë së mistershme, është se si ekonomia e saj mbijeton me kaq pak përpjekje dhe moskokëçarje totale të shtresës së mesme të popullsisë si për politikën, ashtu edhe për zhvillimin. Një doktor u përpoq të ilustronte pikëpamjen shqiptare për jetën. “Ne ndiejmë se ia kemi dalë të menaxhojmë mirë këto dhjetë vitet e fundit dhe mund të avazhdojmë vetë në këtë drejtim. Megjithatë, asnjë nuk duhet në nënvleftësojë nivelin e përfshirjes së kinezëve në ndihmën që kanë dhënë. Ajo na ka ndihmuar, por nuk ka qenë vendimtare. Çështja është se ne ndihemi sikur jemi në të vërtetë të pavarur, ndryshe për shembull nga Polonia apo Gjermania Lindore, - dhe jemi të aftë të ndërtojmë një industri me madhësi sipas nevojës sonë. Ne jemi gjithashtu një komb që kënaqet lehtë dhe nuk kërkojmë shumë nga jeta”. Në vend mbetet ende një hidhërim i thellë për tentativat e viteve të fundit të sovjetikëve për të dominuar këtë vend, tentativa që kishin për qëllim t i bënin shantazh Shqipërisë, pasuar edhe nga një bllokadë e tentuar në fillimet e viteve 60. Dy vendet u ndanë për shkak të pikëpamjeve të ndryshme për stalinizmin dhe Bashkimi Sovjetik ndërpreu programet e ndihmës e marrëdhëniet diplomatike. Drejtuesi i një ferme shtetërore në Sukth të Durrësit, tha me hidhërim: “Në fillim rusët nga ndihmuan të ndërtonim këtë fermë, e cila përfundoi në fund të qëndrimit të tyre këtu. Kur e panë që ne po arrinim rezultate të mira, ata nisën të na sabotonin punën”. Sigurisht që në atë fermë nuk kishte prova të makinerive apo pajisjeve ruse dhe 200 traktorët e saj ishin të gjithë të ardhur nga Kina. Shqiptarët janë më afër Evropës se çdo vend tjetër komunist, por ata nuk gëzojnë shumë nga “privilegjet” e vendeve të tjera. Ata nuk kanë vetura personale, lavatriçe, radio dhe kjo e bën gjithçka të vështirë për të qenë një njeri i privilegjuar në këtë vend, edhe pse mund të jesh pjesë e hierarkisë së partisë.
Ky lajm është publikuar: 29/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›