E Diel, 1 Nëntor 2026

Artur Tashko i riu: Është hera e parë që kam pasur ndonjë familje!

Nga Dhurata Hamzai

Në galerinë “Zenit” në Tiranë, dr. Eno Koço dhe familjarët e afërm të piktorit shqiptaro-kolumbian Artur (Anastas) Tashko (1901-1914), çelën ekspozitën personale antologjike “Mes Konstrukivizmit e kubizmit”, për vizionin kurativ të së cilës është kujdesur drejtori i kësaj galerie Krenar Zejno. Piktori Artur Tashko vdiq në Kolumbi, më 25 nëntor 1994, në moshën 93 vjeç. Ai pati një karrierë artistike shumë të pasur. Punoi fillimisht si flautist profesionist në Orkestrën Simfonike të Bostonit, më vonë kryeredaktor i gazetës shqip “Republika”, sërish në Boston në vitet 1931-‘32, dhe më pas gjatë gjithë jetës, me ndërprerje të pjesëshme, vazhdoi karrierën si piktor profesionist në shumë vende të botës, ndër më kryesoret në Amerikë, Francë, Spanjë, Itali dhe 30 vjetët e fundit të jetës së tij, në Kolumbi, ku u martua për të dytën herë me kolumbianen Rosa Tashko. Artur Tashko nuk mundi të vijë në Shqipëri për shumë arsye; fillimisht për hir të studimeve në Harvard, pastaj nga martesa e parë me amerikanen Elsa Tashko dhe ardhja në jetë e djalit, Arthur Tashko LeGacy. Më pas u përpi nga karriera si piktor në Evropë gjatë viteve 1930. Megjithatë kushëriri i tij, djali i hallës, i të mirënjohurës Tefta Tashko Koço, dr. Eno Koço pohon se: “Kur dëshira për të parë Shqipërinë iu bë shumë e fortë, Lufta e Dytë Botërore e hodhi Arturin në krahun e aleatëve dhe si nënshtetas amerikan ai shërbeu si përkthyes i forcave ushtarake amerikane deri afër Shqipërisë, në Brindisi. Kjo bëri që ai të konsiderohej i padëshirueshëm për Shqipërinë e viteve të pas-Luftës, aq më tepër që piktura e tij paraqiste një vizion abstraksionist-konstruktivist, rrymë kjo jo e pëlqyeshme për ideologjinë e realizmit socialist”. Piktura e tij ndjek një sekuencë interesante të tri periudhave: kubizmin analitik, kalimin në semi-konstruktivizëm e më pas në konstruktivizmin abstrakt. Duke qenë abstraksioni forma estetike që Tashkoja përqafoi deri në fund, edhe në fillim të viteve 1995 ai konsiderohej piktori avant-guardë i njohur gjerësisht jo vetëm nga kritikët më në zë të artit, por dhe publiku i gjerë. Kuratori i ekspozitës Krenar Zejno pohon se: “Duke ia kqyrur kronologjinë e jetës, nga njëra anë si bohemiane dhe nga tjetra e parë si dinamikë të projektuar prej lëvizjeje gjeometrike, vëren se maestro Tashko është ndodhur, çuditërisht apo pikërisht, në qytetet më të rëndësishëm të botës së artit. Madje gjatë periudhave më të spikatura për secilin prej këtyre qyteteve, kur gjatë shekullit të kaluar kanë marrë si me rradhë rolin e krye-polisit artistik të historisë së artit: Vjenë, Boston, Paris, Marsejë, Firence, Madrid, Londër. E mandej përfundimisht në Kolumbi, si për t’u kthyer në zanafillë të artit, në vendin ku prehet antikiteti prekolumbian që, siç dihet, konsiderohet shtrati parak prej nga u ngjiz kubizmi”.

Artur Tashko, ekspozohet për herë të parë në Shqipëri

Veprat e ekspozuara në galerinë “Zenit”, ndonëse kryesisht riprodhime dhe vetëm dy prej tyre origjinale, kanë sjellë artin e piktorit të ekspozuar në mjaft galeri të botës, koleksione private, etj, duke na rikthyer të plotë imazhin e kubistit të parë shqiptar, para Ibrahim Kodrës. Për të ardhur këtu mes shumë barrievave burokratike dhe staturës së udhëtimit të veprave të artit, u bë e mundur të eskpozohen megjithatë për herë të parë në Shqipëri, në vendin e origjinës, veprat e piktorit të shquar kubist Artur Tashko, duke kthyer më në fund edhe të birin pranë familjes dhe rrënjëve të gjakut të tij. I biri i tij, Arthur Tashko LeGacy, Profesor Emeritus i Historisë së Universitetit të Sirakuzës, ka qenë në mbremjen e 28 prillit, i ftuari i nderit në çeljen zyrtare të ekspozitës në galerinë “Zenit”. Gjatë ditëve të pritjes së këtij aktiviteti për ta bërë më të lehtë bashkimin në pemën familjare të Tashkove shpesh është më e lehtë të thuash se Artur Tashko është vëllai i këngëtares së famshme lirike Tefta Tashko, por kur janë parë në veprat e tij përmes imazheve piktorike ngjyra e tringuj muzikorë, madje edhe tema të tilla si “Pianistja”, “Muzikanti”, etj, duket se nuk është tepruar në këtë përafrim. Piktura e Tashkos ishte e ndërthurur tejet me muzikë. Tashmë i biri i Artur Tashkos, është kushëriri i parë Dr. Eno Koços (muzikant), djali i dajës dhe quhet Artur Thashko LeGacy, por është edhe nipi i këngëtares së famshme Tefta Tashko Koço. Artur Tashko i riu ishte shumë i lumtur për këtë ardhje në Shqipëri. Takimi i tij me rrënjët e të parëve ka qenë shumë herë më impresionues sesa e kishte menduar. Pa ashtu si edhe vetë u shpreh në një intervistë për gazetën “TemA” se atë e ka lënë pa mend organizimi i ekspozitës në Tiranë, në galerinë “Zenit”, dhe dashuria që kanë shprehur familjarët gjatë kontakteve me të. Ai është shprehur se me lidhjen familjare dhe gjakun e të parëve, është e hera e parë që ka ndjerë praninë e një familjeje të vërtetë. Këtë lloj lumturie e shprehte në çdo gjest e emocion të tijin. Thoshte se ishte i emocionuar dhe akoma më i kënaqur dukej kur i duhej të fliste për imazhin e të atit edhe pse për vite me radhë i ka munguar prania e tij. Për të ka qenë një imazh krenarie. Madje Tashko i riu, edukimin e tij intelektual dhe profesional e quan si shenjë të ndikimit dhe trashëgimisë prej të atit. I pyetur se çfarë emocionesh keni tani që ju po takoheni me trungun tuaj familjar, me gjakun e të parëve, ai u shpreh për gazetën “TemA” se: “Ardhja ime në Shqipëri ka qenë shumë emocionuese. Është hera e parë që unë kam pasur ndonjë familje. Unë jam shqiptar dhe amerikan, por këtu në Shqipëri është familja ime dhe kjo mua po më pëlqen shumë, më bënë të ndihem shumë mirë. Unë e pëlqej shumë familjen time, me artistë të mrekullueshëm, por edhe popullin shqiptar e pëlqej shumë”. Ndërsa i pyetur për marrëdhëniet në kushtet e ndarjes me babain pas divorcit me nënën e tij, Tashko i riu pohon se: “Veprat e babait tim kanë qenë frymëzim për mua”. Madje ai pohon se në aspektin shpirtëror kjo ndarje nuk ka ekzistuar. “Kam ardhur këtu të takoj familjen dhe ndihem shumë mirë. Është e pazakontë..! Do të thosha që është pak a shumë tronditëse. Në Amerikë nuk kam pasur familje. Tani po e provoj një ndjenjë të tillë. Është pak a shumë si të kesh një eksperiencë ndryshe. Kam të afërt, familje, ose njerëz që duken si unë”. I pyetur se çfarë ka qenë për të krijimtaria e Artur Tashkos, piktura dhe vizioni tij artistik, Tashko i riu rrëfen për gazetën “TemA” se kanë qenë diçka shumë më tepër se përcjellja e kënaqësisë estetike dhe admirimit të një vepre arti. “Babai më dha ambicje, por jo si piktor. Ai më dha mua ambicjen për ato që duhet të bëja në jetë. Më mësoi si të ishte diçka që nëse doja ta bëja të bëhej shumë mirë. Kështu unë arrita të bëhem një profesor me merita. Mendoj se shembulli i babait tim ishte frymëzim për mua. Ai ishte krijues dhe mbase ndihej më konfort me realitetin. Megjithatë unë për të jam ndier krenar që kur kam qenë fëmijë”. Lidhjet e forta të genit me familjen shqiptare të Tashkove, i ati i ka shprehur në pikturë, jo pak prej pikturave të tij kubiste. Tashko i riu është gjendur mes emocioneve të rralla. Imazhi i babait për të, është rikthyer edhe më i plotë. “Është e vështirë për mua të shpreh gjithçka ndjej. Babai nuk qe pjesë e jetës sime për një kohë të gjatë dhe unë e kam quajtur të mirëqenë praninë e tij. Por, sot është ndryshe, është ndryshe të shohësh njerëz që shohin këto piktura në të njëjtën kohë me mua. Është çoroditëse dhe shumë tronditëse. Është e jashtëzakonshme” .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›