E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr pjesë në inaugurimin e qendrës diagnostikuese dhe trajtuese të Autizmit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e qendrës Fluturo për jetën, qendër e cila do të shërbejë për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve qe vuajnë nga Autizmi. Kjo qendër është krijuar nën kujdesin e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë Domenick Scaglione, e kryesuar nga bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha dhe është kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme nga prof. Giovani Boçhiotti, i cili është specialist i kirurgjisë plastike dhe rikonstruktive, në universitetin  e Torinos. Qendra do tu shërbejë fëmijëve me vështirësi zhvillimi, e veçanërisht atyre me Autizëm. Gjithashtu në këtë qendër do të punojnë një staf  mjekësh, psikologë, logopedistë, terapeftë të specializuar dhe licencuar në vende si Kanada, SHBA, Francë, Itali e Shqipëri. Dëshiroj të shpreh kënaqësinë që nisim festën e fëmijëve me një vëmendje të veçantë ndaj atyre që meritojnë më shumë, ndaj fëmijëve në nevojë, tha Berisha, i cili e vlerësoi ngritjen e kësaj qendre, si një nevojë dhe domosdoshmëri jetike për këta fëmijë, duke theksuar se harresa e institucioneve dhe gjithë shoqërisë ndaj problemit të autizmit është e pafalshme. Ai përgëzoi Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë Domenick Scaglione për sjelljen në vëmendjen të këtij problemi, si dhe gjithë profesorët dhe donatorët që mundësuan hapjen e qendrës. Gjithashtu, kryeministri falënderoi personat që bënë të mundur ngritjen e kësaj qendre, e cila është dhe e para qendër e këtij lloji në Shqipëri. Kryeministri Berisha falënderoi, Profesor Giovani Boçhiotti, Profesor Anastas Sulin si dhe gjithë donatorët e tjerë që bënë të mundur hapjen e kësaj qendre për mjekimin e fëmijëve të sëmurë. Gjithashtu kryeministri bëri një falënderim të veçantë dhe për bashkëshorten e tij Liri Berisha, e cila është dhe presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë. Me sinqeritet ju them se, si një mjek i cili kam rreth 20 vjet që jam shkëputur nga profesioni im, ishte Lili ajo që udhëhiqte dhe insistonte në këtë problem të fëmijëve, duke e ridimensionuar atë në mënyrë shumë të ndjeshme, tha Berisha gjatë fjalës së tij. Sipas tij, fondacioni e solli në qendër të vëmendjes problemin e fëmijëve që vuajnë nga autizmi, të cilin sa më shumë ta vështrosh dhe ta trajtosh, konstaton se përmasat e tij janë shumë më të gjera. Berisha ka shprehur një mirënjohje të thellë për të gjithë ata që bënë të mundur funksionimin e kësaj qendre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›