Durrës, miratohen 85 plazhe private
Këtë sezon veror hapësirat për plazhe publike do të jenë në harmoni me ato private, në mënyrë që të gjitha shtresat e popullatës të kenë mundësi t’i gëzohen detit. Ky ka qenë vendimi i Bashkisë së Durrësit për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Gjithashtu, bashkia ka miratuar edhe numrin e punonjësve sezonalë që do të shërbejnë në zonën e plazhit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tij.
Plazhet.
Bashkia e Durrësit para pak ditësh miratoi numrin e plazheve private që do të funksionojnë gjatë sezonit turistik. Që nga Ura e Dajlanit deri te muri ndarës i rezidencës qeveritare do të funksionojnë 85 plazhe private. Secili prej tyre do të zërë një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë. Në tërësi ata zënë 17 mijë metra katrorë sipërfaqe rërë. Kryesisht, ato do të shfrytëzohen prej turistëve që do të frekuentojnë bregdetin e Durrësit. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, tha se “pothuajse e njëjta sipërfaqe rëre do të jetë edhe për plazhe publike në mënyrë që edhe shtresat të cilat nuk kanë mundësi të bëjnë banjo në plazhet private, t’i gëzohen detit”.
Nga taksat e vjela prej plazheve private bashkia do të arkëtojë 10 milionë lekë që do të përdoren për mirëmbajtjen e infrastrukturës së plazhit, si dhe për t’i dhënë impulse biznesit turistik. Po në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik, bashkia miratoi dhe nisi të merrte në punë edhe një numër punonjësish sezonalë.
Rregullorja
Dako u shpreh: “Janë 30 punonjës, të cilët do të qëndrojnë në marrëdhënie pune deri ditën që do të mbyllet sezoni veror. Pjesa më e madhe e tyre tashmë kanë nisur nga puna”. Ky kontigjent do të shërbejë për pastrimin e plazhit, ku përfshihen bregdeti, rëra dhe mjediset e tjera.
Sipas rregullores, plazhi do të pastrohet dy herë në ditë, pasdite dhe në mëngjes herët, kështu që krahas punëtorëve të përhershëm të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit të plazhit, do të jetë në shërbim edhe ky kontigjent shtesë.
Ndotja
Ndërkaq, pushuesit ditorë, të cilët kanë preferuar këtë fillim vere bregdetin në veri të Durrësit, kanë konstatuar se atje ende nuk është vënë dorë për largimin e plehrave. Ka dy apo tre sezone që pushues ditorë nga Tirana dhe Durrësi preferojnë plazhet, të cilat ndodhen në zona rurale, sikurse janë ai i fshatit Rinia, i Rrushkullit, i Shën Pjetrit apo ai i Bizës. Ata që kanë shkuar të parët gjatë këtyre ditëve, kanë konstatuar se rëra dhe bregdeti janë të papastër, pasi askush nuk është kujtuar të vërë dorë. Rëra përmban mbeturina dhe nuk është punuar me plug, sikurse ngjet në të tilla raste. Ndërsa bregu i detit nuk është çliruar nga leshterikët. Këto plazhe janë në juridiksionin e komunave të Katundit të Ri dhe të Ishmit. Vetë komunat kanë fonde të limituara dhe e kanë të vështirë realizimin e aksioneve për pastrimin e bregut të detit. Por krerët e tyre kanë ndërmend t’i kërkojnë ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes në mënyrë që ajo të vërë në punë mjetet dhe forcat e reparteve xheniere. Më parë, një bashkëpunim i tillë ka rezultuar i suksesshëm. Janë plot 18 km vijë bregdetare që kanë nevojë për pastrim.
Matura
Sot, provimi i parë i letërsisë
Ndërsa gjithë maturantët e vendit do t’i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, letërsisë, ekspertët e ngujuar në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve kanë hartuar testet përfundimtare për çdo profil të shkollës së mesme.
Gjatë orëve të para të ditës së djeshme, nisi nën masa të rrepta sigurie procedura e shumëfishimit të testeve, paketimi i tyre në kuti të vulosura, ndërkohë që gjatë mbrëmjes filloi edhe shpërndarja. Ekspertët e maturës pohojnë se shpërndarja e testeve nisi në orët e vona të mbrëmjes, duke filluar me rrethet e largëta. Procesi mbyllet rreth orës 6:00 të mëngjesit, ku përfundon dhe shpërndarja e testeve në shkollat e mesme të kryeqytetit. Aktualisht janë përzgjedhur dhe administruesit e provimeve, të cilët tri orë para fillimit të provimit shpërndahen sipas shortit nëpër mjediset që do t’u caktohen
Gumi: Asnjë fëmijë, nën nivelin e varfërisë
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, deklaroi dje në konferencën për strategjinë kombëtare të fëmijëve, në të cilin u prezantua raporti vjetor i monitorimit të strategjisë, se asnjë fëmijë nuk do të mbetet nën nivelin e varfërisë.
Duke iu referuar raportit të monitorimit të kësaj strategjie, ministri Gumi theksoi se procesi për ngritjen e mekanizmit institucional për monitorimin dhe realizimin e politikave kombëtare dhe rajonale për të drejtat e fëmijëve ka përfunduar në nivel qendror dhe janë hedhur hapa për shtrirjen e tij në nivel rajonal, ku në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe mbështetjen e donatorëve, janë ngritur Njësitë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
“Këto njësi funksionojnë në 4 qarqe e 11 bashki dhe kanë asistuar mbi 700 fëmijë në nevojë dhe familjet e tyre", - u shpreh ministri Gumi. Sipas tij, “shtrirja e njësive në të gjithë vendin dhe konsolidimi i tyre do të rrisë numrin e fëmijëve të asistuar dhe riintegruar”.
Ministri Gumi e vlerësoi iniciativën e Kryeministrit Sali Berisha për rishikimin e skemës së mbështetjes me ndihmë ekonomike, si një tregues domethënës se mbrojtja e fëmijëve nga varfëria dhe përjashtimi social është në qendër të politikave të kësaj qeverie. “Përmirësimi i ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” ka për qëllim përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike edhe të grupeve të tjera në nevojë, kryesisht fëmijë jetimë, fëmijë kryefamiljarë etj., që aktualisht mbeten të pambuluar nga skema aktuale”, - u shpreh Gumi.
Ai theksoi rëndësinë e aplikimit për herë të parë në Shqipëri të Shërbimit të Kujdestarisë për Fëmijët. Fëmijët që do të përfitojnë nga ky shërbim, do të dalin nga vija e varfërisë, pasi do të mbështeten me 3 dollarë në ditë ose 50% më shumë se vija e varfërisë.
Në këtë konferencë, e cila u përshëndet edhe nga Zonja e Parë, Teuta Topi, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët, të Ministrisë së Arsimit e Shëndetësisë dhe përfaqësues të organizatave partnere dhe donatorëve. Në punimet e saj u promovua edhe Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë.
Funksionimi i kësaj linje, si një nismë e UNICEF-it dhe CRCA-së, do të bëjë të mundur që fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë të denoncojnë falas rastet e abuzimit ndaj tyre në numrin 116, i njëjti numër që ofrohet për këtë qëllim dhe nga vende të tjera të Evropës.