E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeqytet , Altin Goxhaj: Fëmijët nuk kanë ku të luajnë



Kafaz i improvizuar brenda të cilit u futën disa lodra. Vendosur përballë Bashkisë së Tiranës, anëtarët e lëvizjes “Zgjohu” kanë demonstruar në mënyrë simbolike për mungesën e këndeve ku mund të luajnë fëmijët. Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kjo lëvizje ndërtoi kafazin-shtëpi për të treguar se çfarë duhet të bëjë një fëmijë i qytetit të Tiranës, të qëndrojë i mbyllur në shtëpi dhe të shohë me dhjetëra herë në ditë në çdo kanal televiziv këngën me fëmijë. Përmes thirrjes “Ku do luajmë ne”, Eljan Tanini, student i Shkencave Sociale dhe përfaqësues i lëvizjes “Zgjohu”, paraqiti një panoramë të këndeve dhe vendeve të lojërave të disponueshme për fëmijët e kryeqytetit. “Në Tiranë ka 21 minikënde lojërash për fëmijë, mesatarisht 100 metra katrorë secili, ka 11 minikënde sportive për fëmijë dhe adoleshentë, mesatarisht 200 metra katrorë secili. Ndërkohë që ka 180 mijë minorenë, pra gjithsej janë vetëm 4 mijë metra katrorë për të gjithë. Në një kënd lojërash, sikur një fëmijë të luante të paktën 2 orë, bashkë me 19 fëmijë të tjerë, do t’i binte radha të luante një herë në 100 ditë”, - tha Tanini. Sipas tij, Bashkia e Tiranës me ritmet që rehabilitoi 32 kënde lojërash për fëmijët dhe adoleshentët, për 9 vjet e plotëson standardin e 1.5 metra katrorë për fëmijë, pra 270 mijë metra katrorë (sipas vendimit të Këshillit të Ministrave), deri në vitin 2616 (607 vjet). Ndërsa 1 fëmijë i qytetit të Tiranës duhet të kishte 1.5 metra katrorë hapësirë rekreative, bashkia e Edi Ramës i ka dhënë 1.5 cm katrorë çdo fëmije.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›