Kundërshtarët e Ramës, takim në Kryesinë e Kuvendit
Deputetë të Partisë Socialiste, të njohur për kritikat publike në adresë të Edi Ramës pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe vendimit për bojkotin e Parlamentit, zhvilluan dje një takim në zyrat e Kryesisë së Kuvendit. Deputetët Ben Blushi, Andis Harasani, Kastriot Islami, Marko Bello dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Asamblesë janë takuar për të diskutuar pikërisht rreth lëvizjes së këtij grupimi, e cila pritet të nisë në një të ardhme shumë të afërt. Pas takimit, deputeti Blushi komentoi lënien mënjanë të deputetëve kundërshtarë, të cilët nuk u thirrën në takimet që kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dy ditë më parë me deputetët socialistë të qarqeve. Blushi tha se kjo lëvizje është shprehje e deformimit dhe shkeljeve procedurale që po ndodhin brenda Partisë Socialiste. “Unë nuk do të merrem me detaje. Sigurisht, i gjithë procesi politik brenda Partisë Socialiste është i deformuar, është me shkelje të rënda procedurale dhe në kundërshtim me frymën e kolegjialitetit brenda forumeve”, - tha Blushi. Sipas tij, kjo është një arsye e fortë që deputetët në fjalë të shprehen kundër bojkotit. Sipas tij, me një PS jashtë Kuvendit qeveria është edhe më e fortë. “Kjo është një arsye më shumë që na jep të drejtë të flasim dhe të shprehemi kundër bojkotit, si një lëvizje politike e paqartë, e pastrukturuar, pa objektiva të përcaktuar, kundër bojkotit si një proces, në fund të të cilit Partia Socialiste do të jetë më e dobët se sa ka dalë nga zgjedhjet. Do të vazhdojmë të jemi kundër bojkotit, duke u konsultuar, pa dyshim, me të gjithë ata që kanë të njëjtën pikëpamje me ne. Besoj dhe shpresoj që do të rritet mbështetja për të gjithë ata që kërkojnë që PS-ja të hyjë në Parlament, që Partia Socialiste të kthehet aty ku ka vendin, të zërë vendin e vet në Parlament, pasi çdo pozicion tjetër i papërcaktuar në kohë dhe objektiva shkon vetëm në favor të qeverisë. Sot jam më i bindur se kurrë se nëse PS-ja nuk është në Kuvend, qeveria është çdo ditë më e fortë. I japim mundësinë qeverisë që të miratojë ligjet që do apo deformime të caktuara në sistem, në legjislacion, duke mos qenë në Parlament. Shqipëria dhe shqiptarët që kanë votuar më 28 qershor presin që opozita të jetë në fushën e betejës dhe nuk ka fushë beteje jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Të nxjerrësh opozitën jashtë Parlamentit është njësoj si të çosh një luftëtar pa shpatë në betejë. Kjo po ndodh sot me Partinë Socialiste, Edi Rama po i heq mundësinë për të qenë në betejë që i dërgon luftëtarët e vet pa armë në fushën e betejës”, - tha Blushi pas takimit.
10 Shtator 2009