E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk i jep 320 mijë USD e babait të vdekur, e padit

Një biznesmen është dërguar për ndjekje penale, pasi djali i ortakut të tij e ka denoncuar për mashtrim në shuma të mëdha parash. Bëhet fjalë për 320 mijë dollarë që kërkon denoncuesi, i cili pretendon se ortaku i babait të tij nuk ia jep, ashtu siç i takojnë me ligj. Denoncimi për këtë rast është bërë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërkohë që policia ka nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se Gentian K., 34 vjeç, ka denoncuar këtë rast te seksioni kundër krimit ekonomik. Ai ka treguar se gjatë viteve 2007-2009, Kastriot I., 46 vjeç, i kanë marrë nëpërmjet mashtrimit 320 mijë dollarë. Më tej, Gentiani ka rrëfyer se babai i tij ka qenë ortak me Kastriotin në një agjenci tregtare. Por, ai ka vdekur para disa kohësh dhe këtij i ka lindur e drejta që të marrë pasurinë. Policia shpjegon se në këto kushte, 34-vjeçari ka kërkuar pjesën e babait, si ortak në agjencinë tregtare. Por, këto para nuk i janë dhënë asnjëherë nga 46-vjeçari, e në këto kushte është detyruar ta denoncojë. Gjithashtu, ai ka shpjeguar se ka përdorur gjithë mënyrat ligjore që t‘i mbushë mendjen ortakut për pasurinë, por nuk ia ka dalë mbanë. Policia, e cila ka regjistruar denoncimin e tij, ka marrë në dispozicion edhe dokumentet përkatëse që i dispononte Gentiani dhe ka vendosur të shqyrtojë këtë çështje nën drejtimin e prokurorit. Gjithashtu, grupi hetimor në seksionin e antikrimit ekonomik bëri të ditur se ka kontaktuar edhe me personin e denoncuar, por nuk shpjegoi nëse atij i është marrë deklaratë për të treguar variantin e tij. Por, shpjegoi se pas konsultimeve edhe me prokurorin e çështjes e ka dërguar këtë person për ndjekje penale në gjendje të lirë. Sipas policisë, ashtu siç është denoncuar, Kastrioti dyshohet se me anë të mashtrimit i ka marrë 320 mijë dollarë Gentianit gjatë vitit 2007-2009. Kjo çështje tashmë do të shqyrtohet nga Prokuroria e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›