E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba kamerierit që nxori jashtë sherrxhinjtë

Një plagosje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një nga lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në rrugën "Brigada VIII", ku i dëmtuari është kamerieri i lokalit, i cili është plagosur pasi kishte ndërhyrë për ndarje në një sherr në ambientet e punës. Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje kanë arrestuar dy të rinj të dyshuar, ndërsa është shpallur në kërkim një i tretë. Nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 01.20 të mëngjesit të djeshëm. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë nga Komisariati Nr. 2, që po patrullonin në zonë. Ndërsa në sallën operative është dhënë njoftimi se ngjarja ka ndodhur në një lokal te zona e Bllokut. Sipas të dhënave, Lori Zylo, kamerier i këtij lokali, vetëm 19 vjeç, është plagosur me armë zjarri. Shërbimet e policisë kanë shoqëruar disa të pranishëm në vendngjarje për ta dokumentuar sa më shpejt atë, ndërsa është dërguar me urgjencë në spital i plagosuri. Nga ana tjetër, hetimet janë marrë në dorë nga seksioni i vrasjeve, që kanë nisur punën për identifikimin e autorëve. Nga dëshmitë është mësuar se adoleshenti kishte kohë që punonte si kamerier në këtë lokal. Dje në mesnatë, dy grupe të rinjsh ishin zënë për shkak të një femre në lokal. Kamerieri, për të shmangur konfliktet, i ka nxjerrë jashtë ata. Por, disa prej tyre, që mendohet se janë Denis dhe Leonard Saku, 23 dhe 29 vjeç, bashkë me të dyshuarin Ermir Taulla, 21 vjeç, janë rikthyer sërish. Ata kanë marrë një pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të kamerierit, duke e plagosur rëndë. Policia tha se pas identifikimit të këtyre personave, gjatë ditës së djeshme u bë arrestimi i dy prej tyre, pikërisht u ndaluan Denis Saku dhe Ermir Taulla, ndërsa është shpallur në kërkim edhe i dyshuari tjetër, Leonard Saku. Ndërsa nga spitali është mësuar se i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e tij është stabilizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›