E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shembja e tunelit, të rihetohet korrupsioni, Bashës t’i hiqet imuniteti

Kreu i PS-së: “Të hetohen Berisha, Rama dhe Olldashi për korrupsionin në rrugën Rrëshen-Kalimash”. Rama: “Dënojmë mungesën e transparencës së qeverisë për atë çka ndodhi në tunelin e Kalimashit”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar me tone dhe akuza të ashpra ndaj qeverisë në lidhje me shembjen për të dytën herë radhazi në tunelin Thirrë-Kalimash. Kryesocialisti, duke dënuar heshtjen qeveritare në lidhje me këtë fakt, kërkoi hetim për kryeministrin Sali Berisha, i cili, sipas tij, e përuroi para kohe këtë tunel gjatë fushatës vetëm për qëllimet elektorale të Partisë Demokratike. Rama kërkoi gjithashtu rihapjen e hetimeve për ndërtimin e kësaj rruge, në të cilën, sipas tij, u vodhën me qindra milionë euro. Kreu i PS-së kërkoi nga Prokuroria që t’i hiqte imunitetin ish-ministrit të Transporteve, aktualisht ministër i Brendshëm, Lulzim Basha. “Sot, Partia Socialiste i kërkon publikisht Prokurorisë të hetoje ngjarjen e ndodhur në tunelin e Kalimashit dhe ta rishohë dosjen e famshme të ministrit të Punëve të Brendshme të Familjes në pushtet, duke u shtuar abuzimeve të deritanishme edhe abuzimin e ri që solli shembjen e tunelit. Prokuroria të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të këtij personi të zhytur kokë e këmbë në korrupsion, si dhe të thërrasë Sali Berishën për të dhënë shpjegimet e tij, së bashku me ministrin aktual të Punëve Publike, që vazhdoi në gjurmët e paraardhësit, atij të Punëve të Brendshme të Familjes në pushtet”.

Transparenca
Kryetari i Partisë Socialiste dënoi mungesën e transparencës për ngjarjen e ndodhur në tunelin e Kalimashit. Rama i kërkoi publikisht kryeministrit Sali Berisha që të respektojë detyrimin kushtetues dhe t’i lejojë mediat të raportojnë për atë që ka ndodhur në këtë tunel. Ai akuzoi ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, se po e menaxhon në mënyrë skandaloze investimin madhor të popullit shqiptar dhe kërkoi hetimin e tij nga ana e Prokurorisë. “Partia Socialiste i kërkon publikisht Sali Berishës të mos bllokojë informacionin që ka detyrimin kushtetues e ligjor t’i japë publikut lidhur me këtë zhvillim dramatik në tunelin e Kalimashit, të mos ndalojë mediat të bëjnë punën e tyre të ligjshme dhe të kryejnë detyrimin e tyre karshi qytetarëve, të mos heshtë jo vetëm në cilësinë e drejtuesit të një qeverie që ka një llogari të hapur me popullin shqiptar për vjedhjen e votave më 28 qershor, por edhe në cilësinë e përgjegjësit numër një për këtë dëm të ri ekonomik që i ka shkaktuar buxhetit të shqiptarëve me korrupsionin, injorancën dhe me etjen e tij të shfrenuar për pushtet, që i shtyu punimet deri në këtë pikë. Sali Berisha ka zgjedhur të bëjë shurdhmemecin përpara të gjitha fakteve të rënda që njëra pas tjetrës nxjerrin natyrën e vërtetë të këtij pushteti halldup që grabit vota opozitare, plaçkit sa të mundet prona publike e private, vjedh përditë arkën e shtetit, dhunon sistematikisht liri e të drejta kushtetuese, ligjore dhe demokratike në të gjithë hapësirën e vendit. Sa më shumë ta zgjasë këtë heshtje, aq më të lartë do ta ketë edhe faturën e saj ky gjoja kryeministër që sillet me vendin e me njerëzit si një kusar brutal e arrogant që tanimë përton edhe të fshehë gjurmët”, - u shpreh Rama.

Grevat
Kreu i opozitës përmendi disa protesta të grupeve të ndryshme të interesit apo kategorive sociale, të cilët kanë shpallur grevat e urisë, pasi nuk pajtohen me vendimet e qeverisë. Rama tha se grevat do të shpeshtohen edhe në të ardhmen, pasi, sipas tij, kjo është e vetmja rrugë që u ngelet shqiptarëve përballë një qeverie që injoron kërkesat e tyre. “Grevat e urisë po bëhen e do të bëhen përditë e më të shpeshta, dhe a e dini pse? Për një arsye të thjeshtë: Sepse sot shqiptarët duhet të ndërmarrin masa ekstreme për t’u dëgjuar nga kjo qeveri që e ka veshin shurdh e syrin qorr sa herë bëhet fjalë për interesat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Sot opozitës i duhet të rrijë jashtë Kuvendit dhe popullit opozitar i duhet të protestojë në rrugë, për të fituar një të drejtë ligjore e demokratike fare elementare, hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit. Përditë e më tepër Shqipërisë po i dalin në sipërfaqe plagët e një infeksioni të rëndë të shkaktuar nga kapja më monstruoze e shtetit në këto 20 vjet, nga korrupsioni më i pafytyrë dhe babëzia më e papërmbajtur e pushtetit – që sot është një mjet në duart e familjes së njeriut që drejton qeverinë. Sot shqiptarët e kanë të qartë, përditë e më të qartë, se Sali Berisha nuk i vodhi votat thjesht për të qëndruar në pushtet. Jo, Sali Berisha në radhë të parë i vodhi votat për të mbuluar krime të mirëfillta politike e ekonomike të kryera në 4 vite përmes një krimi fundor, krimit elektoral”, - tha Rama.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›