Berisha: Çmimi i energjisë 30% më i shtrenjtë nga monopolet
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka pranuar se çmimi i importit të energjisë në Shqipëri është 30% më shtrenjtë se bursat ndërkombëtare për shkak të monopoleve në linjat e transmetimit me Greqinë. Kjo u bë e ditur në forumin Ekonomik të Vjenës që po mbahet sot në Tiranë, nën drejtimin e Erhard Busek, ish-koordiantor për Paktin e Stabilitetit. Pyetjes së bërë nga një përfaqësues i kompanisë së Ferrokromit në Elbasan, “nëse do të ketë liberalizim të sistemit energjetik në Shqipëri, Berisha i është përgjigjur: “Tregu është i liberalizuar por kufizimi qëndron në transmetimin e energjisë. “Jemi duke ndërtuar një sistem transmetimi me Malin e zi dhe me Kosovën me qëllim importimin e energjisë pa probleme” – tha Berisha.
Gjithashtu Berisha ka vazhduar të këmbëngulë në projektet e energjisë nukleare, si zgjidhje për të rritur prodhimin e energjisë në Shqipëri. Gazetarë të pranishëm nga vende të rajonit i kanë ngritur pyetjen se “Çfarë përfitimi ka Shqipëria në këtë projekt”. Berisha i është përgjigjur se: “Shqiptarët nuk duhet të privohen nga një energji e pastër dhe me potencial të lartë siç është energjia nukleare”. “Në një periudhë afatshkurtër ne kërkojmë të bëhemi një superfuqi energjie në rajon duke u kthyer në eksportues për të gjitha vendet rrotull nesh” – tha Berisha. Sipas tij pritet të ndërtohen 400 stacione energjie me qëllim realizimin e kësaj ambicie.
Forumi ekonomik i Vjenës është një eveniment i rëndësishëm që ka si synim promovimin e potencialeve për investitorët e huaj. Të pranishëm në këtë forum janë investitorë nga Austria si dhe vendet e rajonit. Berisha ka falënderuar pjesëmarrësit nga Austria dhe ka kërkuar rritje të investimeve nga ana e tyre në Shqipëri. “Kompani të fuqishme austriake veprojnë në Shqipëri” – tha ai, “por ne kërkojmë më shumë vëmendje sepse vendi ka shumë potenciale zhvillimi.
“Ajo çfarë është me e rëndësishme është se kemi nivelin e taksave më të ulët në rajon, me taksë të sheshtë 10%. Kontributi i sigurimeve shoqërore është ulur ndërkohë që është ulur niveli i taksave nga 24 në 5 taksa kombëtare”- tha Berisha. “Ne po punojmë fort që shumë shpejt të realizojmë një “One stop shop” për licencat dhe lejet e biznesit. Ne do ulim 55% të të gjitha licencave në këtë vend. Dy javë më parë qeveria vendosi për të ngritur 6 parqe industriale nga veriu në jug të vendit” – vazhdoi Berisha.
Sipas tij Shqipëria është një vend me depozita të mëdha minerale. Jemi një nga vendet me pasuri më të mëdha të kromit në botë dhe një ton krom ka arritur shifrat 460 dollarë. Kemi pasuri po ashtu në bakër, nikel dhe shume kompani austriake po punojnë në këtë drejtim në vendin tonë” – tha ai. “Bankat do të mbështesin ekonominë përfshirë këtu edhe bujqësinë”.
Forumin e ka përshëndetur edhe kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli e cila ka përmendur arritjet e Shqipërisë sa i përket barrës fiskale, të cilat shërbejnë si bazë për nxitjen e investimeve të huaja.