Takimi i G8, kriza e naftës, qendër debati
Kriza e naftës është kthyer në qendrën e debatit në takimin e ministrave të energjetikës të G8. Sipas tyre, rritja e pandalshme e çmimeve, e cila vetëm dje ka arritur nivelin 139 USD për fuçi, ka dëmtuar rëndë ekonominë botërore, duke e kthyer këtë të fundit vite prapa. Ndërkaq, jashtë debatit nuk kanë mbetur as energjia dhe ngrohja globale, për të cilat G8 ka kërkuar strategji të reja manaxhimi. Përsa i përket rritjes së prodhimit, për të përballuar kështu, kërkesën gjithnjë e në rritje për naftë, organizata 12 anëtarëshe, OPEC ka deklaruar se të paktën deri në Shtator nuk do të ketë ndryshim të prodhimit të arit të zi. Rritja e çmimeve të naftës në SHBA ka ardhur edhe si pasojë e zhvlerësimit të madh të monedhës amerikane. Për analistët, pavarësisht se në masën më të madhe të tyre, cmimet janë spekulative, nuk përjashtohet mundësia që deri në dhjetor nafta të shitet me 200 $për fuci, duke arritur kështu nivelin më të lartë historik.