Euro 2008, Gjermani-Poloni, rriten masat e sigurisë
Ndeshja Gjermani – Poloni do të zhvillohet nën masa të forta sigurie. Kjo, pasi disa persona janë arrestuar gjatë natës pas përleshjeve mes tifozëve të të dyja ekipeve. Në Ditën e dytë të Kampionatit Evropian në futboll EURO 2008 do të jenë duelet e xhiros së parë të grupit B. Ndeshja e parë do të jetë midis Kroacisë dhe Austrisë në ora 18.00 në stadiumin Ernst Hapel në Vjenë, ndërsa pas saj do të përballen Polonia dhe Gjermania në ora 20.45 në stadiumin Vorterse në Klagenfurt. Analistët e futbollit kanë vlerësuar se ky grup është një nga grupet më pak të fuqishëm dhe se gjermanët konsiderohen si favoritë për t`u plasuar në çerekfinale. Trajneri i kombëtares gjermane Joakim Lev në ndeshjen e sontme me Poloninë do të aplikojë sistemin e lojës 4-4-2 dhe nuk ka bërë eksperimente të shumta pas marrjes së stolit të trajnerit nga Jurgen Klinsman.Kroacia në përballjen e saj me Austrinë gjithashtu konsiderohet më e favorizuar për shkak të një ekipi me lojtarë të njohur që janë pjesë e kampionateve më të njohura evropiane. Disa ditë më parë ka filluar një luftë mediale, e filluar nga ana polake kundër Gjermanisë, duke vënë në faqe të para të gazetave fotot e montuara të trajnerit të polakëve Leo Benhaker, duke mbajtur në duar kokat e prera të trajnerit gjerman Joahim Löw dhe kapitenit Mihael Balack. Pas këti publikimi, Gazeta prestigjioze gjermane Bild i ka shpallur luftë polakëve dhe se pasojë e kësaj do jenë emocionet e forta të fansave në ndeshjen e sotshme.Në Klagenfurt, vëndin ku do të luhet ndeshja, mbrëmë janë arrestuar 6 tifozë gjerman për prishje të rendit dhe sigurisë, poashtu pritet të ketë edhe sot përplasje mes tifozave gjerman dhe polak.Zvicra, një prej organizatoreve të kampionatit u mund me rezultatin 1-0 nga Republika Çeke, ndërsa në ndeshjen që u luajt në mbrëmje, Portugalia që shihet si një prej ekipeve favorite, mundi Turqinë me rezultatin 2-0. Zvicra dhe Austria janë organizatoret e turneut trejavor të futbollit që vlerësohet se do të sjellë fitime prej dy miliard dollarësh. Qindra mijëra tifozë nga 16 vende pritet të shkojnë për të parë ndeshjet në dy vendet organizatore, ndërsa finalja e turneut zhvillohet në Vjenë pas tre javësh. Sytë janë të drejtuar tek ai që quhet "grupi i vdekjes", ku ndeshen edhe ekipet më të forta të botës mes të cilave Franca, Italia dhe Holanda.