E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ministrave: Lehtësim të procedurave në kalimin kufitar

Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me disa ministra të kabinetit të tij, ku ka diskutuar lidhur me masat që duhen ndërmarrë për lehtësimin dhe reduktimin në maksimum të burokracive në kalimin e kufirit, duke mos cenuar sigurinë.

Berisha e ka cilësuar vendin një destinacion turistik shumë të rëndësishëm, ndaj ka kërkuar nga institucionet përkatëse angazhimin maksimal në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë në pikat e kalimit kufitar. Kryeministri Berisha është shprehur se është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha agjencitë që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit. "Ju thirra që të gjykojmë dhe të dalim me një vendim, në rast se është e nevojshme me një vendim qeverie, ose me një marrëveshje të përbashkët midis të gjitha agjencive që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit", është shprehur Berisha. Duke vlerësuar sistemin e kontrollit në pikat doganore të Morinës dhe Muriqanit, Kryeministri ka kërkuar që të ndiqen të njëjtat praktika edhe në pika të tjera, duke lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur fluksin e të ardhurve në këto ditë të sezonit turistik.

Kryeministri kërkoi nga ministrat e pranishëm ndjekjen e shembullit të vendeve të tjera, të cilat ofrojnë praktika të standardeve të larta bashkëkohore në kontrollin e kufijve, që lehtësojnë burokracitë dhe ruajnë sigurinë. Në takim me Kryeministrin kanë qenë të pranishëm ministri i Brendshëm, Bujar Nishani; ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi; ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana; zv/ministri i Financave, Florian Mima; drejtori i Doganave, Endri Pema; si dhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›