E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e kreditit, kriza e ardhshme

Bankat kredituese në Europë po përgatisin veten për t‘u përballuar me një valë të re falimentesh të klientëve të tyre individualë, gjë që sipas ekspertëve mund të shkaktojë disa qindra miliardë euro humbje, njoftoi dje "Financial Times". Në SHBA, bankat duket se e kanë tretur pjesën më të madhe të "supës së hidhur" të kredive të këqija, ndërkohë që për bankat europiane diçka e tillë sapo ka filluar. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rreth 7 për qind e kredive prej 2.5 triliardë dollarësh mund të humbasin përgjithmonë dhe Britania e Madhe do të jetë më e goditura. Humbjet pritet të shkaktohen para së gjithash nga paradhëniet dhe kreditë e lëshuara përmes kartave të kreditit. Besohet se ushtria e madhe e njerëzve në Europë, që humbi vendin e punës nga kriza, ka përdorur me tepri kartën e kreditit, në pritje të gjetjes së një pune të re. Të dhënat nga Britania bëjnë të ditur se nga muaji në muaj, numri i njerëzve që njoftojnë pamundësi pagese për detyrimet e veta është rritur. Në maj, 41 mijë të tillë ngritën duart, dy herë më shumë se një vit më parë.

Problemi më i madh duket se po shfaqet në SHBA, ku numri i njerëzve që nuk kanë shlyer kartën e kreditit është më i madh sesa numri i atyre që kanë humbur vendet e punës. Bankat europiane pritet të publikojnë rezultatet e tyre financiare për gjysmën e parë të vitit gjatë javës së ardhshme dhe shumë prej tyre kanë paralajmëruar sakaq për humbjet që mund të dalin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›