E Diel, 1 Nëntor 2026

Venimi i plote i gjyates ku u perfshi gjyqtatari i vrare

13/09/2011  Kallëzimi penal dhe hetimet mbi personat që përfitojnë nga vdekja e gjyqtarit

Mbivendosja e 400 ha tokë,sherr mes palëve dhe AKKP

ELTON QYNO

TIRANE-Acarimi i proceseve gjyqësore ka sjellë në disa raste rritjen e tensionit mes familjarëve të fisit Konomi dhe përfaqësuesve të palës tjetër që pretendonte trashëgiminë mbi pronën 340 hektarë në zonën e Hamallajt. Në vazhdën e këtyre konflikteve mësohet se të dyja palët i janë kundërpërgjigjur njëra-tjetrës me kallëzime penale, duke akuzuar për falsifikim dokumentesh me qëllim tjetërsimin e truallit. Krahas pronës prej 340 hektarësh të kthyer, gjyqtari 33-vjeçar kallëzoi edhe një mbivendosje prej 400 hektarësh pronë e familjes së tij. Ka dyshime se prona që i është kthyer trashëgimtarëve të familjes Shllavari, trashëgimtar i së cilës ka qenë babai i gjyqtarit Konomi, Fotaq Konomi, ka qenë e mbivendosur dhe u është dhënë disa personave të tjerë. Madje njëri prej zyrtarëve të AKKP-së ka firmosur për këtë pronë një ditë para se të largohej nga detyra, duke kryer mbivendosjen e saj. Për pasojë, veç palëve është paditur dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dega Durrës dhe ajo qendrore në Tiranë. Mësohet se paditë janë depozituar fillimisht në Prokurorinë e Durrësit, por nga verifikimet që kjo e fundit ka kryer ka mësuar se aktet e pronësisë ishin lëshuar nga AKKP-ja qendrore në Tiranë dhe për pasojë dosja i është deleguar për hetime të mëtejshme njësisë hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e kryeqytetit. Momentalisht këto kallëzime janë ende në fazë hetimore dhe se nga verifikimet e kryera është arritur të mësohet se prona prej 340 hektarë që është fituar nga fisi i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, kufizohej me pronat e fisit të Toptanëve që ndodhen në Gjirin e Lalëzit. Burimet sqaruan se fisi Konomi s’ka pasur asnjë konflikt me trashëgimtarët e Toptanëve, pasi ata kanë procese të tjera gjyqësore me individë të ndryshëm. Ajo që dyshojnë ekspertët e policisë dhe Prokurorisë është se vrasja e gjyqtarit mund të jetë kryer nga qarqe të caktuara investitorësh, të cilët ka shumë mundësi të kenë paguar vrasës profesionistë për eliminimin fizik të tij. Ky dyshim, sipas tyre, vjen për faktin se më 14 korrik të këtij viti gjyqtari Skerdilajd Konomi fitoi gjyqin në Gjykatën e Lartë, vendim i cili ka prishur planet për një aneksim trualli dhe investim afatgjatë në të. Që prej njohjes me vendimin e gjykatës, Skerdilajd Konomi po bënte përpjekje për kryerjen e procedurave përmbarimore dhe hipotekimit të sipërfaqes së truallit të fituar. Siç duket në dijeni të këtyre lëvizjeve kanë qenë dhe personat me të cilët ai ishte në proces gjykimi. Për të shmangur hipotekimin e truallit, sipas hetuesve, ka shumë mundësi që kundërshtarët të kenë planifikuar vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, veprim që e kryen shumë egërsisht. Ata shtojnë se tashmë hetimi është shtrirë dhe tek personat që mund të përfitojnë nga vdekja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Për këtë hetues të policisë janë urdhëruar të verifikojnë dokumentacionin që bën fjalë lidhur me truallin prej 340 hektarësh. Ky verifikim për momentin po kryhet në zyrën qendrore të AKKP-së dhe në Durrës, Hipotekë, si dhe në Arkivin e Shtetit. Ndërkohë që hetimi është shtrirë dhe në disa drejtime të tjera, ku policia dhe Prokuroria janë duke pyetur çdo person që ka dijeni rreth kësaj çështjeje.

S`dimë nëse ka pasur kërcënime me jetën e tij

Familjarët: Djali kishte tension nga lodhja

U lodh nga gjyqet dhe kërkimi i dokumenteve

Fotaq Konomi, babai i gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, nëna dhe bashkëshortja e tij, janë marrë në pyetje pasditen e djeshme rreth vrasjes së djalit të tyre. Dy prokurorë të Krimeve të Rënda kanë asistuar gjatë procesit të pyetjeve, ku përgjatë disa orëve me radhë ata kanë administruar thëniet e familjarëve të viktimës. Në procesin e intervistimit mësohet të ketë marrë pjesë dhe një psikolog, për shkak të gjendjes jo të mirë psikologjike të të afërmve të gjyqtarit të Skerdilajd Konomi. Në dëshmitë e tyre të dhëna para ekspertëve, babai, nëna dhe bashkëshortja e tij, janë shprehur se kohët e fundit Skerdi ka pasur tension, por kjo jo si pasojë e një kërcënimi direkt apo indirekt me jetë. Sipas tyre, këtë tension ai e shfaqte herë pas herë, si rezultat i lodhjes nga procedurat gjyqësore dhe kërkimeve të vazhdueshme për dokumentacionin e truallit në arkivat e shtetit. Familjarët në dëshminë e tyre kanë treguar se prej vitesh ishin përfshirë në gjyqe maratonë dhe se trashëgimtarët e familjes Shallvari, kishin zgjedhur si përfaqësues gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i cili ndiqte hap pas hapi dinamikën e seancave. Sipas tyre, kjo zgjedhje ishte bërë për shkak se ai njihte ligjet dhe se kishte akses më tepër se personat e tjerë të fisit për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm. Burimet pranë Prokurorisë nuk thanë shumë detaje, nëse në dëshminë e tyre familjarët kanë akuzuar ndonjë person si të implikuar në vrasje, duke shtuar se çështja është ende nën hetim dhe se të dhënat për momentin janë konfidenciale dhe nuk duhet të publikohen.

Tabulatet e verifikimi

Një oficer i Policisë Gjyqësore ka tërhequr dje nga kompanitë celulare të gjitha tabulatet telefonike. Këto tabulate momentalisht janë duke u verifikuar me imtësi për të mësuar rreth personave që kanë kontaktuar gjatë javës së shkuar me gjyqtarin Skerdilajd Konomi. Gjithashtu vëmendje po i kushtohet edhe momentit kur ka ndodhur shpërthimi i automjetit, për të cilën prokurorët besojnë se është aktivizuar nga një thirrje telefonike. Për të hedhur dritë lidhur me këtë dyshim, po verifikohen numrat e fundit hyrës.

Pamjet filmike

Me një urdhër të nxjerrë nga Prokuroria janë sekuestruar të gjitha pamjet filmike të bizneseve që ndodhen rreth vendit ku ndodhi krimi. Tre kaseta filmike janë sekuestruar dhe verifikuar, ku nga pamjet e tyre nuk tregohen fare Benzi i gjyqtarit, por vetëm turma e njerëzve që ishte mbledhur rreth vendit ku ndodhi shpërthimi. Mësohet se të gjithë personat e fiksuar nga kamerat janë duke u verifikuar, për të mësuar më shumë rreth prezencës dhe veprimeve së tyre në vendin ku u ekzekutua barbarisht gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Skaner dokumenteve

Hetues të policisë dhe Prokurorisë janë duke verifikuar hartat e trojeve të gjirit të Lalëzit dhe dokumentacionin në zyrat qendrore të AKKP-së, hipotekës dhe Arkivit Qendror. Ata shtojnë se tashmë hetimi është shtrirë dhe tek personat që mund të përfitojnë nga vdekja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, dhe nisur nga kjo situatë kanë kërkuar të mësojnë emrat e tyre nëpër dokumentet dhe shkresat e institucioneve të sipërcituara. Ndërkohë që nga policia sërish ka ardhur sinjal për një zbulim të shpejtë të autorit.

Ende asnjë autor

Ende ngjarja vazhdon të qëndrojë e mjegullt, ku shumë pak materiale që cilësohen si prova plotësuese, nuk implikojnë asnjë person në këtë ngjarje. “Jemi duke kryer dhjetëra veprime, dhe për këtë e kemi ndarë hetimin në disa faza. Po hetojmë çdo informacion që arrijmë të kapim nëpërmjet përgjimeve tona dhe Shërbimit Informativ Shqiptar. Jashtë vëmendjes nuk kemi lënë as deklarimet e personave të marrë në pyetje, si dhe informacionet që arrihen të administrohen nëpërmjet telefonuesve në numrat pa pagesë”,-thanë burimet.

Kërkohet zbardhja e ngjarjes

Gjyqtarët e vendit, 15

minuta zi për Konomin

Të gjithë gjyqtarët e vendit janë bashkuar një zëri me kolegët e tyre duke mbajtur 15 minuta heshtje në nderim të gjyqtarit të vrarë në Vlorë Skerdilajd Konomi. Vendimi për të bërë një protestë të heshtur ndaj mos garantimit të sigurisë së jetës dhe kushteve të punës të gjyqtarëve ka filluar në orën 12:00 dhe ka zgjatur 15 minuta. Kjo protestë ka për qëllim sensibilizimin e organeve kompetente për të punuar fuqimisht, me gjithë autoritetin që u jep ligji, për të zbardhur sa më parë këtë ngjarje kriminale dhe për t’i vënë autorët e këtij akti terrorist, përpara drejtësisë, duke marrë dënimin e merituar.

Me anë të kësaj proteste kërkohet solidaritet në këto çaste të vështira.

Kronologjia e plotë e vendimve të gjykatës dhe palët e përfshira, ku spikasin italianët

E vërteta e gjyqit për trashëgëminë e pronave të gjyqtarit Skerdilajd Konomi

Nr.11111-01757-00-2010 i Regj. Themeltar

Nr.00-2011-1233 i Vendimit (314)

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr.2653, datë 05.10.2009, ka vendosur:

1. Pranimin e kërkesë padisë së paditësave, Ana Mitro (Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima dhe të ndërhyrësave kryesorë, Polikseni Mima e Marjeta Mima.

2. Ndryshimin e Vendimit nr.384, datë 04.01.2008 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Durrës dhe Vendimit nr.1070, datë 24.09.2008 të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, si më poshtë: a) U njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë të ish pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Konstandin Mima, Evdhoqia Goxhomani, Ariadhni Konomi dhe Sllava Ljubica Maria Amalia Llampo, mbi një sipërfaqe toke 1.575.900 m2 (157.59 ha), prona “A” e ndodhur në fshatin Hamallaj Durrës, Zona Kadastrale nr.1925, Indeksi i hartës K - 34 - 88 - (144 - B, 129 - A, 129 - B), e kufizuar: Veri Pasuria nr.20/1, 21/9 Jug Vija ndarëse e fshatit Rrushkull Perëndim Bregu i detit Adriatik

Lindje Pasuria nr.134 (kanal) (e pasqyruar me ngjyrë rozë në hartën që i bashkëngjitet aktit të ekspertimit). Nga kjo sipërfaqe: b) U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë 1.507.500 m2 (150.75 ha), e ndodhur brenda pronës “A” me kufizimet: Veri Pasuria nr.20/1, 21/9 Jug Vija ndarëse e fshatit Rrushkull Perëndim Bregu i detit Adriatik Lindje Pasuria nr.134 (kanal) (e pasqyruar me ngjyrë rozë në hartën që i bashkëngjitet aktit të ekspertimit). c) U kompensohet sipërfaqja e zënë 68.400 m2 (6.84 ha), në bazë të nenit 11/15 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, i ndryshuar.

3. Ndryshimin e vendimit nr.380, datë 28.12.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Durrës dhe Vendimit nr.1069, datë 24.09.2008 të Agjensisë së Kthimit Kompensimit të Pronave Tiranë, si më poshtë: a) U njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë të ish pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Konstandin Mima, Evdhoqia Goxhomani, Ariadhni Konomi dhe Sllava Ljubica Maria Amalia Llampo, mbi një sipërfaqe toke 1.647.000 m2 (164.70 ha ), prona “B”, e ndodhur në fshatin Hamallaj Durrës, Zona Kadastrale - nr.1925, Indeksi i hartës-K - 34 - 88 (144 - B, 146 - A, 129 - D, 161 - B ), e kufizuar: Veri Pasuritë nr.20/1, 133/2 Jug Vija ndarëse e fshatit Rrushkull Perëndim Pasuria 134 (kanal ) Lindje Pasuritë nr.133/2, 137, 49, 146, 187 (e pasqyruar me ngjyrë portokalli në hartën që i bashkëngjitet aktit të ekspertimit). Nga kjo sipërfaqe: b) U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë 1.505.400 m2 (150.54 ha) e ndodhur brënda pronës “B” me kufizimet: Veri Pasuritë nr.20/1, 133/2 Jug Vija ndarëse e fshatit Rrushkull Perëndim Pasuria 134 (kanal) Lindje Pasuritë nr.133/2, 137, 49, 146, 187 (e pasqyruar me ngjyrë portokalli në hartën që i bashkëngjitet aktit të ekspertimit). c) U kompensohet sipërfaqja e zënë 144.200 m2 (14,42 ha) në bazë të nenit 11/15 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, i ndryshuar.

4. Ndryshimin e Vendimit nr.379, datë 28.12.2007 të Zyrës Rajonale të A.K.K.P.-së të Qarkut Durrës dhe nr.1071, datë 24.9.2008 të A.K.K.P.-së Tiranë dhe: a) U njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë të ish pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Konstandin Mima, Evdhoqia Goxhomani, Ariadhni Konomi dhe Sllava Ljubica Maria Amalia Llampo, mbi një sipërfaqe toke 22.294.100 m2 (2229.41 ha), prona “C”, e ndodhur në fshatin Rrushkull, Zona Kadastrale nr.3241, Indeksi i hartës - e pa përcaktuar pasi zona është jashtë sistemit të Z.V.R.P.P. Durrës, e kufizuar: Veri Pronat “a” dhe “b” dhe pasuria nr.87/1 Jug Lumi Erzen dhe pasuritë nr.138, 134, 137, 130, 41/1, 42/1, 42/2, 45. Perëndim Bregu i detit Adriatik Lindje Pasuritë nr.1, 2, 3, 4, 5, 24, 45, 49, 50, 138, 139, 140 (e pasqyruar me ngjyrë jeshile në hartën që i bashkëngjitet aktit të ekspertimit). Nga kjo sipërfaqe: b) U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë 8.263.500 m2 (826,35 ha), e ndodhur brënda pronës “C”, me kufizimet: Veri Pronat “a” dhe “b” dhe pasuria nr.87/1 Jug Lumi Erzen dhe pasuritë nr.138, 134, 137, 130, 41/1, 42/1, 42/2, 45.

Perëndim Bregu i detit Adriatik Lindje Pasuritë nr.1, 2, 3, 4, 5, 24, 45, 49, 50, 138, 139,

140 (e pasqyruar me ngjyrë jeshile në hartën që i bashkëngjitet aktit të ekspertimit). c) U kompensohet sipërfaqja e zënë 14.030.600 m2 (140,306 ha) në bazë të nenit 11/15 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, i ndryshuar

d) Trashëgimtarëve ligjorë të ish pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Konstandin Mima, Evdhoqia Goxhomani, Ariadhni Konomi dhe Sllava Ljubica Maria Amalia Llampo, në bazë të nenit 14 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 i ndryshuar, u njihet e drejta e parablerjes për godinat e ndërtuara brenda pronës “C”, në rast privatizimi (rep. ushtarak dhe 2 godinat shtetërore).

5. Ligjërimin e masës së sigurimit të padisë, marrë nga gjykata me vendim të ndërmjetëm në seancë gjyqësore të datës 09.09.2009. 6. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të paditurit. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.210, datë 14.05.2010, ka vendosur: Ndryshimin e vendimit nr.2653 datë 05.10.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Rrëzimin e kërkesë-padisë së paraqitur nga paditësat Ana Mitro, Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima, ndërhyrës kryesorë Polikseni Mima, Marieta Mima me objekt të padisë dhe ndërhyrjes kryesore: Ndryshimin e vendimeve: 1. Nr.384, datë 04.01.2008, Z.R.K.K të Pronave të Qarkut Durrës, dhe nr.1070, datë 24.09.2008 te A.K.K.Pronave Tiranë, duke njohur të drejtën e pronësisë dhe duke kthyer në natyrë një tokë me sip. 1.575.900 m2. 2. Nr.380, datë 28.12.2007, Z.R.K.K.Pronave të Qarkut Durrës dhe nr.1069, datë 24.09.2008 të A.K.K.Pronave Tiranë. 3. Nr.379, datë 28.12.2008 të Z.R.K.K.Pronave të Qarkut Durrës dhe nr.1071 datë 24.09.2008 të A.K.K.Pronave Tiranë, si të pabazuar në ligj e prova. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës nr.210, datë 14.05.2010, në mbështetje të nenit 472 të K.Pr.Civile, brenda afatit ligjor, ka paraqitur rekurs pala paditëse Ana Mitro, duke kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për këto shkaqe:

Pretendimet në rekurs mbi pavlefshmërine e vendimit të gjykatës së apelit për shkelje proceduriale në lidhje me formimin e trupit gjykues. Gjykata e apelit riçeli hetimin gjyqësor kur ky i fundit ishte i panevojshëm, pasi gjykata mund të krijonte qartësisht bindjen e vet duke analizuar provat e administruara në proces në shkallë të parë. Edhe pse riçeli hetimin gjyqësor, provat e administuara në apel nuk ishin prova të reja dhe nuk sillnin fakte të reja. Gjykata e apelit ka interpretuar në mënyrë të gabuar provat e dosjes gjyqësore, në kundërshtim me nenet 16 dhe 29 të K.Pr.Civile. Gjykata e apelit arsyeton se paditësat nuk janë subjekte të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004; prona ka qenë e Miltiadh Shallvarit dhe trashëgimlënësat e paditësave nuk rezultojnë pronarë të pronës objekt konflikti, vendimi i gjyqit të paqit të vitit 1946 nuk rezulton se ka marrë formë të prerë dhe s’ka nënshkrime të sekretarit dhe gjyqtarit të çështjes. Këto përfundime janë plotësisht të gabuara, në kundërshtim me provat e dosjes gjyqësore dhe tregojnë për njëanshmëri të theksuar të gjykatës së apelit në favor të palës së paditur. Nga provat e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se trashëgimlënësit e paditësave me vendim të formës së prerë kanë fituar të drejtën e bashkëpronësisë me gruan e M.Shallvarit për pronën objekt konflikti dhe legjitimohen të ngrenë këtë padi në bazë të nenit 32/a të K.Pr.Civile, pasi kanë interes të ligjshëm në kërkimet e tyre për t’u njohur pronarë e për t’iu kthyer prona në pronësi të tyre në bazë të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", i ndryshuar, dhe VKM 747, datë 09.11.2006. Rezulton e provuar se trashëgimtarët e paditësave kanë pasur cilësinë si ish pronarë dhe se kjo pronë iu është marrë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose marrë në çdo mënyrë tjetër nga shteti në datë 29.11.1944. Gjithë sa më sipër është arsyetuar mjaft mirë e në përputhje me provat e dosjes gjyqësore dhe me ligjin në vendimin e shkallës së pare, por është rrëzuar në mënyrë absurde, në kundërshtim me ligjin, nga gjykata e apelit. Ligji 9235/2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave", i ndryshuar, nuk e lidh aspak dhe asnjëherë, njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës me faktin në se pretenduesit ish pronarë e kanë poseduar apo jo pronën. Të paditurit kanë pasur një prone, e cila deri në vitin 29.11.1944, nuk rezulton të jetë shitur apo tjetërsuar prej tyre. Ky fakt vërtetohet dhe nga nota e trasnkriptimit të Hipotekës Durrës nr.126, datë 29.05.1946 ku prona objekt konflikti që ishte marrë me enfiteozë nga shoqëria EIIA prej znj. Sllava Maria Ljubica Lampo konfiskohet e kalon në favor të shtetit shqiptar. Znj. Lampo nuk ishte pronare e vetme e pronës objekt konflikti, pasi siç e kemi sqaruar në pjesën më lart ku pasqyrohen faktet e çështjes, testamenti në bazë të së cilit Znj.Lampo kishte fituar të drejtën e pronësisë për pronën në fjalë u shpall i pavlefshëm me vendim të formës së prerë dhe trashëgimlënësit e paditësave u njohën bashkëpronarë të pronës. Ky vendim nuk është regjistruar në regjistrat hipotekorë të kohës, për arsye se, edhe siç është shënuar në dispozitivin e vendimit, regjistrimi në hipotekë në atë kohë pengohej nga zbatimi i Ligjit për Reformën Agrare nr.108, datë 29.08.1945. Ky vendim përbën një vendim gjyqësor për fazën e parë të pjestimit dhe nuk është vazhduar me ndarjen e pronës në natyrë midis bashkëpronarëve për efekt të zbatimit të ligjit për Reformën Agrare, i cili parashikonte shtetëzimin e të gjitha pronave dhe nuk kishte vend të vazhdohej me pjestimin e pronës në natyrë. Ky vendim i Gjyqit të Paqit rezulton të mos jetë ankimuar, siç arsyeton drejt edhe gjykata e shkallës së parë në vendimin e vet dhe siç konfirmohet nga provat e administruara në dosjen gjyqësore dhe si i tillë konsiderohet se ka marrë formë të prerë. Mosregjistrimi i këtij vendimi në regjistrat hipotekorë përkatës të kohës nuk është shkak ligjor për të konkluduar se pala nuk legjitimohet në kërkimet e saj, pasi nuk ka interes të ligjshëm, siç pretendon ankuesi. Kjo për arsyen e thjeshtë se regjistrimi i titullit të pronësisë në regjistrat publikë ka vetëm vlerë deklarative, njohëse dhe nuk ka vlerë krijuese. Nga një studim i thjeshtë i provave të dosjes gjyqësore rezulton më se e qartë se prona në fjalë ka qenë pikërisht e familjes Shallvari dhe e regjistruar në origjinë të saj në emër të M.Shallvarit. Duke u bazuar në provat e dosjes gjyqësore bashkëpronare të çiflikut Rrushkull janë Maria Ljubica Shallvari, Jorgji Veveçka, etj., të përcakruar në vendimin gjyqësor nr.52, datë 2.3.1946 të Gjyqit të Paqit Durrës, i formuem me kolegj arbitrar nga ku rezulton se testamenti i lënë në favor të bashkëshortes së M.Shallvarit është i pavlefshëm për arsyet e shpjeguara në atë vendim. Si rrjedhojë, bashkëpronarët (trashëgimlënësit e paditësave) e kanë fituar pronësinë në momentin e çeljes së trashëgimisë, në çastin e vdekjes së trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari në vitin 1933, e jo në vitin që vendimi i gjykatës së paqit ka marrë formë të prerë. Interpretimi që i bën Gjykata e Apelit Ligjit për Aplikimin e Kodit Civil të vitit 1929, kaptina II, neni 55 është i gabuar, pasi ky nen bën fjalë për të drejta zotnimi të të huajve mbi tokën bujqësore. Kjo gjykatë pretendon se prona në momentin që është marrë nga shteti në 1946 ka qenë e shtetit?! Atëherë natyrshëm lind pyetja: Si është e mundur që shteti në vitin 1946 e ka sekuestruar këtë pronë (shih aktin e sekuestrimit, transkriptimin e sekuestrimit në hipotekë), kur nuk qe nevoja ta bënte me që, sipas ankuesit, prona rezultonte në pronësi të shtetit. E vërteta është që në datën 02.03.1946 është marrë vendimi i Gjykatës së Paqit Durrës, me të cilin trashëgimlënësat e paditësave janë njohur bashkëpronarë të pronës me M.Lampo, të venë e M.Shallvarit, ndërkohë që shteti e ka sekuestruar këtë pronë më vonë dhe pasi trashëgimlënësit e paditësave kishin fituar të drejtat e tyre të pronësisë me vendim gjyqësor. Sekuestrimi është bërë në datën 29.05.1946. Gjykata e apelit gabon kur arsyeton se toka ka qenë e M.Lampos, e cila ka qenë shtetase e huaj dhe e ka mbajtur atë për më shumë se 7 vjet, çka do të thoshte sipas kësaj gjykate që nuk i lejohej sipas ligjit të sipërpërmendur. qSqarojmë se M.Lampo ka rezultuar si pronare e pronës në bazë të transkriptimit nr.527, datë 03.04.1940 të testamentit në hipotekë. Në vitin 1946 është sekuestruar prona dhe afati 7 vjeçar që referon ankuesi në Ligjin “Për Aplikimin e Kodit Civil” të vitit 1929, kaptina II, neni 55, nuk ka qenë plotësuar. Ndërsa Shoqëria e huaj EIIA e ka pasur në posedim pronën dhe jo në pronësi dhe gjithësesi nuk e ka mbajtur për 7 vjet (Kontrata e emfiteozës është transkriptuar në hipotekë në 1940 dhe sekuestrimi nga shteti i pronës është bërë në 1946). Edhe sikur të ishin plotësuar këto afate, me çfarë baze ligjore do kalonte prona nga i huaji tek shteti siç pretendon ankuesi? Baza ligjore që citon ankuesi ka të bëjë me një kufizim të së drejtës së zotnimit në atë kohë të tokës bujqësore nga të huajt, por nuk parashikon se kjo e drejtë i kalonte automatikisht shtetit. Për sa më sipër, paditësat janë subjekte të Ligjit nr.9235, datë dhe janë trashëgimtarë të ligjshëm të ish pronarëve të pronës së ndodhur në Rrushkull. Për të gjitha sa parashtruam më sipër vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës duhet të prishet. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka zbatuar me përpikmëri normat proceduriale duke zhvilluar një proces gjyqësor të rregullt, duke kryer një hetim të plotë e të gjithanshëm të mosmarrëveshjes midis palëve ndërgjyqëse, duke u bazuar në provat e administruara rregullisht gjatë procesit dhe në ligj dhe vendimi i saj nr.2653, datë 05.10.2009 është i drejtë dhe i bazuar në prova dhe në ligj. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës nr.210, datë 14.05.2010, në mbështetje të nenit 472 të K.Pr.Civile, brenda afatit ligjor, ka paraqitur rekurs pala paditëse Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima, duke kërkuar prishjen e vendimit te Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për këto shkaqe: Ky vendim ka cënuar të drejtën tonë për një "proces të rregullt gjyqësor" dhe na ka "mohuar të drejtën e pronësisë", duke rënë ndesh edhe me një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburgut). Përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt. Gjykata nuk ka respektuar dispozitat proceduriale që bëjnë fjalë për "vendimet e formës së prerë". Konkretisht, këtë qëndrim gjykata e apelit e ka mbajtur në raport me vendimin nr.52, datë 02.03.1946 të Gjykatës së Prefekturës Durrës, duke arsyetuar se ky vendim është trajtuar gabimisht si i mirëqenë, pasi nuk është regjistruar në hipotekë, nuk ka marrë formën e prerë dhe nuk është nënshkruar nga gjyqtari dhe nga sekretarja e çështjes dhe se gjykimi nuk është zhvilluar nga pronarët e pronës, sepse "de facto" prona ishte marrë nga reforma agrare. Ky vendim, i shpallur në vitin 1946, krahas "pronësisë", ka deklaruar edhe "pavlefshmërinë e testamentit" dhe ka njohur trashëgimlënësat tanë si "trashëgimtarë" të ish-pronarit Miltjadh Shallvari. Gjykata e apelit arsyeton se ne nuk mund të përfitojmë nga ligji "Për K.K.Pronave ish-pronarëve" sepse prona nuk i është marrë trashëgimlënësave tanë, por personave që rezultonin pronarë në regjistrat e hipotekës, i referohemi nenit 2 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave" që ka këtë përmbajtje: “Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të kërkojë, në përputhje me këtë ligj, të drejtën e pronësisë, në rast se i është hequr sipas akteve ligjore,…”. Argumenti i përdorur nga gjykata e apelit është se: prona nuk ka qenë e jona sepse me ligjet nr.12, datë 21.10.1943 dhe nr.36, datë 14.1.1945 "Mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri", i është sekuestruar Shoqërisë italiane E.I.A.A. Gjykata e apelit ka gabuar sepse të dy këto ligje i ka interpretuar gabim, sepse, sipas këtyre janë sekuestruar "pronat" e Shoqërisë italiane E.I.A.A, por prona jonë nuk ka qenë asnjëherë pronë e kësaj shoqërie.

Eshtë e vërtetë se kjo shoqëri e ka përdorur pronën tonë, por në kushtet e "enfiteozës", e cila është një kontratë që nuk kalon pronësinë, d.m.th. se prona jonë nuk ka qenë asnjëherë pronë e huaj (italiane apo gjermane), që të prekej nga ligji i lartëpërmendur. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës nr.210, datë 14.05.2010, në mbështetje të nenit 472 të K.Pr.Civile, brenda afatit ligjor, ka paraqitur rekurs ndërhyrësit kryesorë Polikseni Mima dhe Marjeta Mima, duke kërkuar prishjen e vendimit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për këto shkaqe: Nga libri nr.10 i Kadastrës, faqet 21, 22, 23, 24, datë 19.8.1919, numrat 31 deri në 56, del se të gjithë pronat e kërkuara nga ne kanë qenë të Miltiadh Shallvarit, të cilin e kanë trashëguar të gjithë trashëgimlënësit tanë. Është e vërtetë se me testamentin e datës 08.05.1929 ky ia ka lënë këto prona bashkëshortes së tij Sllava Ljubica Maria Amalia Lampos dhe deri këtu janë ndalur A.K.K.P.- të, në qark e në qendër, kur kanë konkluduar se prona ka qenë vetëm e kësaj, por ky testament është kundërshtuar për "pavlefshmëri" nga trashëgimlënësat tanë dhe Kolegji Arbitror pranë Gjykatës së Prefekturës Durrës, me vendimin nr.52, datë 02.03.1946, duke e pranuar kërkesën, e shpalli "testamentin absolutisht të pavlefshem" dhe njohu si bashkëpronarë të pronave, krahas Maria (Lubica) Shallvarit, edhe trashëgimlënësat tanë, Jorgji Veveçkën, Sofija Kolean, Kostandin Mimen, trashëgimtarët e Evdhoqia Goxhomanit dhe Ariadhni Konomin. Sqarojmë se konflikti për pavlefshmërinë e testamentit dhe për njohjen si trashëgimtarë të Miltiadh Shallvarit edhe të trashëgimlënësave tanë ka filluar që në vitin 1933 (e thotë paragrafi i dytë i fletës 2 të vendimit), ndërsa kundërshtimi i testamentit u bë në vitin 1940 (e thotë "Nota e transkriptimit nr.465, datë 20.02.1940”). A ka sjellë ndonjë efekt vendimi nr.52, datë 02.03.1946 të Kolegjit Arbitror pranë Gjykatës së Prefekturës Durrës, m.q.s. është vendim i "fazës së parë të pjestimit"? "Po", ka sjellë, dhe për këtë po i referohem Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.628, datë 15.05.2000, i cili, duke trajtuar pikërisht këtë problem, thotë: vendimet e fazës së parë të pjestimit janë vendime të ndërmjetme të një lloji të veçantë (sui generis) kur vendimi i fazës së parë merr formë të prerë, problemet e zgjidhura me të përbëjnë gjë të gjykuar. Prona objekt gjykimi nuk është bërë asnjëherë "pronë e shoqërisë italiane": Së pari, sepse iu është dhënë në "enfiteozë", që nuk ka qenë asnjëherë, dhe nuk është as sot, kontratë me të cilën kalon pronësia, dhe së dyti, se shënimi që ndodhet në fletën 5 të notës së transkriptimit të "kontratës së enfiteozës", duke theksuar se edhe "kjo kontratë" do të konsiderohej e pavlefshme n.q.s. do rezultonte se zotërimi i pronës nuk i takonte i gjithi Sllava Ljubica Maria Amalia Lampos, e konfirmon me së miri pretendimin tonë. Si rrjedhojë, nuk ka se si të pranohet që prona objekt gjykimi ka qenë bërë pronë e Italianëve dhe duhet të futet në "grupin e pronave" të shtetëzuara nga Ligji nr.36, datë 14.01.1945 "Mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri"! Është e vërtetë se në transkriptin nr.126, datë 29.05.1946 thuhet se: ... prona transkriptohet në favor të shtetit shqiptar kundër Sh.a. "E.I.A.A.", sipas Ligjit nr.36, datë 14.01.1945 "Mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri", por "de jure" kjo pronë nuk i është konfiskuar kësaj shoqërie, por ish - pronarëve shqiptarë! Si konkluzion, themi se edhe ky argument i A.K.K.P. - ve është i gabuar sepse këta e kanë konsideruar pronën tonë si pronë të italianëve, ndërkohë që kjo nuk ka qenë për asnjë "çast" pronë e këtyre përderisa "enfiteoza" nuk e ka bërë asnjëherë shoqërinë italiane pronare të pronës tonë. Në mbështetje të nenit 477 të K.Pr.Civile ka ushtruar kundërrekurs Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke kërkuar mospranimin e rekursit për këto shkaqe:

Pretendimi i parashtruar nga pala rekursuese, Ana Mitro, për shkelje proceduriale lidhur me trupin gjykues, nuk përbën shkelje proceduriale nga ato që përmban neni 472/b dhe "c" i K.Pr.Civile. Kur është shpallur trupi gjykues në seancën e datës 14 Maj 2010 pala rekursuese nuk ka parashtruar kundërshtimet e saj lidhur me këtë pretendim.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi gjyqtarin Fatos Lulo; përfaqësuesen e palës paditëse av. Flutura Kona, e cila kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës; përfaqësuesen e ndërhyrësave kryesorë, av. Erinda Ballanca, e cila kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës; dëgjoi përfaqësuesin e palës së paditur juristin Andi Çuhadari, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës; dëgjoi avokatin e shtetit Abaz Deda, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës; e si shqyrtoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N

Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se gjykatat e faktit kanë pranuar të provuar se paditësat Ana Mitro (Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima dhe ndërhyrësit kryesorë Polikseni Mima dhe Marjeta Mima, janë trashëgimtarë ligjor të ish pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi, fakt i cili vërtetohet nëpërmjet dëshmive të trashëgimisë ligjore nr 2049, datë 31.05.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr.1134, datë 23.06.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë; nr.1105, datë 17.06.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë; nr.464, datë 22.11.1993 Noteria Tiranë; nr.704, datë 16.07.1993 Noteria Tiranë. Paditësat dhe ndërhyrësit kryesorë, Ana Mitro (Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima, Polikseni Mima dhe Marjeta Mima, i janë drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Durrës, me kërkesë për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin në natyrë të pronës të lënë nga trashëgimlënësit e tyre Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi. Zyra Rajonale e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave Durrës, pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën e trashëgimtarëve të ish-pronarëve, fillimisht me vendimin nr 172, daeë 01.08.2007, u ka pranuar atyre kërkesën për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe u ka kthyer në natyrë sipërfaqen e tokës 157.2 ha, si dhe ka vazhduar procedurat për njohjen dhe kthimin e pjesës tjetër të pronës. Zyra Qëndrore e Agjensisë së Kthimit të Pronave, pasi ka shqyrtuar me inisiativën e saj vendimin nr.172, datë 01.08.2007 të Z.R.K.K.Pronave Durrës, me vendimin nr.258, datë 01.10.2007 e ka shfuqizuar vendimin nr.172, datë 01.08.2007 dhe ka kthyer dosjen për shqyrtim duke i lënë si detyra Z.R.K.K.P. Durrës të verifikojë korrespondencën me Ministrinë e Mjedisit. Në rishqyrtim i padituri, me vendimet nr.379, 380, 384, ka rrëzuar kërkesën e trashëgimtarëve të ish-pronarëve Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomit, për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin në natyrë të pronës së trashëgimlënësve të tyre, konkretisht:

1. Me vendimin nr.380, datë 28.12.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës lënë në fuqi me vendimin nr.1069, datë 24.09.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është vendosur: “Mos njohja e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjekteve pretendues si të shpronësuara Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, që dalin nga dëshmitë e trashëgimive të dhëna në pikën 3 të këtij vendimi, për pronën me sipërfaqe 1.820.000 m2 e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të Rrethit të Durrësit në ZK 1925, me indeks hartë K-34-88-(144-B, 146-A, 129-D, 161-B), me këto kufij: Veriu - pasuria nr.49, 54/2, 133/2 e kanali i hidrovorit; Jug -vija ndarëse midis fshatit Rushkull-Hamllaj (sektor) Perëndim - pasuria nr.21/8, 21/6, Lindje - pasuria nr.133/2, 49, 139, 146, 87, për faktin se këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”. 2. Me vendimin nr.379, datë 28.12.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës lënë në fuqi me vendimin nr.1071n datë 24.09.2008 të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është vendosur: “Mos njohja e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjekteve pretendues si të shpronësuara Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, që dalin nga dëshmitë e trashëgimive të dhëna në pikën 3 të këtij vendimi, për pronën me sipërfaqe 25.597.200 m2 e ndodhur në fshatin Rrushkull ne ZK 3241, me indeks hartë të papërcaktuar, pasi zona është jashtë sistemit të ZVRPP Durrës me këto kufij natyralë: Veriu - Prona e vet, Jug - Lumi Erzen, Perëndim - Deti, Lindje - Qani Hanëm dhe Fuat Bej Toptani për faktin se këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”. 3. Me vendimin nr.384, datë 04.01.2008 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës, lënë në fuqi me vendimin nr.1070, datë 24.09.2008 të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është vendosur: “Mos njohja e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjeketeve pretendues si të shpronësuara Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, që dalin nga dëshmitë e trashëgimive të dhëna në pikën 3 të këtij vendimi, për pronën me sipërfaqe 1.575.900 m2 e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të Rrethit të Durrësit në ZK 1925, me indeks hartë K-34-88-(144-B, 129-A, 129-B) me këto kufij: Veriu - pasuria nr.20/1, 21/9; Jug - vija ndarëse midis fshatit Rrushkull; Perëndim - deti, Lindje - pasuria nr.21/9, 21/10, 134 pasi këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”. Nga përmbajtja e vendimeve të kundërshtuara, rezulton se nga ana e të paditurit Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës është arritur në konkluzionin se:

- Paditësit nuk rezultojnë të kenë gëzuar titullin e pronësisë të vetëm ose në bashkëpronësi për pronën e pretenduar. - E gjithë prona rezulton në emër të znj Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo dhe i është dhënë me enfiteozë për 99 vjet Shoqërisë E.I.A.A. në vitin 1940 dhe më pas i është sekuestruar nga shteti shqiptar në 29.05.1945 kësaj shoqërie. Ankimuesit në asnjë rast nuk figurojnë pronarë ose bashkëpronarë. Vendimi i Gjykatës Durrës nr.52, datë 02.03.1946, i cili ka konsideruar të pavlefshëm testamentin e lënë nga Miltiadh Shallvari në favor të Znj Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo dhe ka vendosur të njohë si bashkëpronar Znj Maria Ljubica Shallvari, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi sipas pjesëve takuese, nuk është transkriptuar në regjistrat e hipotekës së asaj kohe e për pasojë nuk i ka sjellë efektet e veta juridike. Bazuar në këtë arsyetim nga ana e të paditurit, Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është rrëzuar kërkesa e paditësave, pasi sipas të paditurit nuk legjitimohen të iniciojnë një procedurë administrative. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, të dyja gjykatat e faktit kanë arritur në përfundimin se rezulton e provuar se në këto nota transkiptimi të viteve 1919-1946, përcaktohet shprehimisht se kufizimet e pronës “Çifliku Rrushkull dhe Çifliku i Ri” janë: L - çifliku në posedim të shoqërisë E.I.I.A, duke u ndarë me të me shtylla çimentoje, të vendosura ndërmjet dy pronave gjatë gjithë çiflikut, prej Erzenit, në vendin Shena Prende të Kulla; J - lumi Erzen; P - Deti Adriatik; V - pronat e Qanie Libohovës, Zija Toptanit, Fuat Toptanit, Ali Qoraliut dhe prej këtyre me një hendek, prej vendit Kulla, deri tek ai i quajtur Tana, pastaj prej lumit Vorbe, e më tutje nga Tarini dhe pastaj shtrihet deri në vendin e quajtur Shën Pjetri, kufij të konfirmuara nga tapitë e ish-pronarit Miltjadh Shallvari prej Kadastrës së Durrësit e Shijakut, në datë 19.08.1919. Rezulton e provuar që trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari ka vdekur më 17.05.1933. Nga regjistri i pasurive të paluajtshme rezulton që në vitin 1940, në volumin 11 rep. me nr.rendor 527, faqe 32, vol 12, dosje artikull 117, kjo pronë është transkriptuar në favor të Znj Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, sipas një testamenti të lënë nga trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari në datë 08.05.1929. Nga regjistri i pasurive të paluajtshme rezulton se me nr.rendor 528, viti 1940 është regjistruar heqja dorë (renoncimi) i Edita Shallvarit, e bija e trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari nga çdo lloj e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie mbi pronat Rrushkull dhe Çifliku i Ri, në favor të Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo.

Në datë 27.04.1940, është regjistruar në Regjistrat e Pasurive të Paluajtshme Durrës një kontratë enfiteoze kundër Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, në favor të Shoqërisë Italiane E.I.A.A.

Me notën e transkriptimit nr 126, volumi 15, datë 29.05.1946, në favor të Shtetit Shqiptar kundra Shoqërisë Italiane E.I.A.A., rezulton se prona e mësipërme me kufizimet: V - Ali Bej Qorralliu, Fuat Bej Toptani, Zija Bej Toptani; P- Deti; J - lumi Erzen dhe L - Qanie Hanemi, Fuat Bej Toptani, në emër të Sllava Maria Ljubicës, dhe që ishte marë në enfiteozë nga Shoqëria Italiane, kalon në favor të Shtetit Shqiptar, si pronë e konfiskuar në zbatim te ligjit nr.36, datë 14.01.1945 “Mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri”.

Duke mos qenë dakord me testamentin dhe disponimin e bërë nga i ndjeri Miltiadh Shallvari, trashëgimlënësit e paditësave, konkretisht Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi, e kanë kundërshtuar testamentin dhe disponimin e bërë nga i ndjeri Miltiadh Shallvari në favor të ish- bashkëshortes së tij Sllava Maria Ljubica Lampo, duke ngritur padi në Gjykatën e Paqit Durrës që në vitin 1934, gjykim i cili ka vazhduar e përfunduar me vendimin nr 52, datë 03.02.1946.

Me vendimin gjyqësor nr.52, datë 02.03.1946 i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit i formuem me Kolegj Arbitrar, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi, janë njohur bashkëpronar mbi pronën “Çifliku Rushkull dhe Çifliku i Ri”, së bashku me ish-bashkëshorten e të ndjerit Miltiadh Shallvari, duke u përcaktuar edhe pjesët përkatëse të secilit bashkëpronar. Në pjesën arsyetuese të vendimit rezulton se, prona nuk ka qenë e Miltjadh Shallvarit, por e të atit të tij z. Kostandin Shallvari. Gjithashtu rezulton se testamenti në favor të bashkëshortes Sllava Maria Ljubica, është i pavlefshëm dhe pa pasoja juridike.

Pavarësisht se pranuan të provuara të njëjtat rrethana fakti dhe ligjore, dy gjykatat e faktit gjatë shqyrtimit të çështjes konkrete arritën në përfundime të ndryshme në lidhje me zgjidhjen e themelit të mosmarrëveshjes. Kështu në vendimin përkatës të saj, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendoi pranimin e padisë së paditësave dhe ndërhyrësve kryesorë duke argumentuar se paditësat Ana Mitro(Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima dhe ndërhyrësit kryesor Polikseni Mima dhe Marjeta Mima, janë trashëgimtarë ligjor të ish pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi dhe konkretisht: 1. Ana Mitro ( Veveçka ) dhe Pinellopi Samara (Veveçka) trashëgimtarë ligjorë të Jorgji Veveçkës. 2. Fotaq Konomi, Milika Pjero, Nikollaq Konomi, Agallia Konomi dhe Androniqi Konomi trashëgimtarë ligjore të Ariadhni Konomit. 3. Vasillaq Goxhomani, Drita Goxhomani trashëgimtarë ligjore të Evdhoqes Goxhomani. 4. Eleni Mima, Polikseni Mima, Marjeta Mima, Emi Mima, Ravik Mima trashëgimtarë ligjorë të Kostandin Mimes.

Këta trashëgimtarë janë njëkohësisht, edhe trashëgimtarë ligjorë të Sofija Koleas, dhe si të tillë ata legjitimohen në bazë të nenit 32/a të K.Pr.Civile për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që u është shkelur, për të provuar përpara gjykatës se ata kanë patur në pronësi, prona të cilat përfshihen nga zbatimi i ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, i ndryshuar. Pra, kanë patur cilësinë si ish-pronar dhe se kjo pronë iu është marrë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose marrë me çdo mënyrë tjetër nga shteti datë 29.11.1944. Në vijim të arsyetimit të saj, nisur nga argumentat e përdorura nga pala e paditur në nxjerrjen e vendimeve përkatëse, objekt gjykimi, të paraqitura dhe në formën e prapësimeve gjatë gjykimit, Fjykata e Shkallës së Parë Durrës shprehet se sipas ligjit nr.66, datë 18.05.1945 “Mbi përfundimin me anë arbitrazhi të detyruar të çështjeve civile të varura pranë ish gjykatave”, në nenin 10 të tij rezulton se afati i apelit kundër vendimit të Kolegjit Arbitror është 10 ditë nga shpallja. Nga kqyrja e regjistrave të apeleve pranë arkivës së Gjykatës Durrës, të periudhës përkatëse, rezulton se kundër këtij vendimi nuk është paraqitur ankim. Gjithashtu, sipas kësaj gjykate, nuk rezulton që të ketë shënime mbi këtë vendim për veprime të mëtejshme, apo gjykime të mëtejshme. Në mungesë të ankimit rezulton e provuar që ky vendim është i formës së prerë. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës duke iu referuar vendimit gjyqësor të lartpërmendur ka argumentuar se vendimi gjyqësor i formës së prerë ka fuqi për të gjithë institucionet, palët ndërgjyqëse dhe për ata që marrin të drejta prej tyre. Vendimi gjyqësor nuk është veprim juridik. Nga ana e të paditurit Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është ngatërruar konceptim i veprimit juridik për kalimin e pronësisë me vendimin gjyqësor, ka konstatuar kjo gjykatë. Efektet e një vendimi gjyqësor fillojnë në momentin që vendimi merr formë të prerë dhe ato humbasin në rast se ky vendim prishet ose ndryshohet nga gjykatat më të larta. Në kushtet kur rezulton e provuar se ky vendim gjyqësor nuk është ankimuar, ai është i formës së prerë. Ky vendim i ka të gjitha efektet që ligji i jep vendimeve gjyqësore. Në këto kushte, gjykata e shkallës së parë ka çmuar si të provuar se bashkëzotënues në çiflikun Rrushkull të Shijakut janë Maria Ljubica Shallvari, Jorgji Vevecka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, trashëgimtarët e Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, sipas pjesëve përkatëse të tyre të përcaktuar në vendimin gjyqësor nr.52, datë 02.03.1946 i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit i formuem me Kolegj Arbitrar. Po ashtu, nisur nga vendimi gjyqësor nr.52, datë 02.03.1946 i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit i formuem me Kolegj Arbitrar, është pranuar e provuar se testamenti i lënë prej trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari në favor të bashkëshortes Sllava Maria Ljubica, është deklaruar i pavlefshëm, pasi në çastin e përpilimit të tij, testatori ka qenë në paaftësi mendore për të disponuar me testament. Në kushtet e mësipërme, sipas kësaj gjykate, pasuria e tij nuk mund t‘i nënshtrohej trashëgimisë testamentare, por asaj ligjore. Duke qenë se trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari ka vdekur në vitin 1933 atëherë bashkëzotenuesit Maria Lubica Shallvari, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, trashëgimtarët e Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, sipas pjesëve përkatëse të tyre kanë fituar pronësinë, që në momentin e çeljes së trashëgimisë, në çastin e vdekjes së trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari, në vitin 1933 dhe jo në datën e marrjes formë të prerë të vendimit. Gjithashtu, duke fituar pronësinë, trashëgimtarët kanë fituar edhe posedimin e kësaj pasurie, pavarësisht se nuk e kanë shtënë në dorë efektivisht atë. Ky është një lloj posedimi i veçantë, i njohur vetëm në rastin e trashëgimisë, ku trashëgimtarët fitojnë posedimin në çastin e vdekjes së trashëgimlënësit, pavarësisht faktit nëse e kanë shtënë në dorë ose jo pasurinë efektivisht. Posedimi është një nga tagrat e pronarit. Meqënëse pronësia e fituar për shkak të trashëgimisë, fitohet në çastin e çeljes së trashëgimisë, edhe posedimi fitohet në këtë çast. Në nenin 653 të Kodit Civil të vitit 1929 parashikohet shprehimisht se: “Posedimi i pasunisë së të vdekurit shkon ipso jure në personin e trashëgimtarit, pa qenë nevoja me i vu dorë materialisht asaj pasunie”. Sipas Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, edhe ligji 9235 datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, i ndryshuar, nuk e lidh asnjëherë njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës me faktin nëse pretenduesit ish-pronarë e kanë poseduar apo jo pronën. Është e pamundur që ish-pronarë të pronave me sipërfaqe të madhe të posedonin vetë pronën, kjo provon edhe njëherë faktin se konkluzioni i të paditurit është i gabuar. Mbi këtë arsyetim, trashëgimlënësit Sllava Ljubica Maria Lampo, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mika, trashëgimtarët e Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, janë bashkëzotenues mbi objektin çifliku Rrushkull, i cili është i përcaktuar në objektin e padisë, pra kanë pasur një pronë e cila deri më 29.11.1944 nuk rezulton të jetë shitur apo tjetërsuar prej tyre. Ky fakt vërtetohet edhe nga nota e transkriptimit të Hipotekës Durrës, nr.126, datë 29.05.1946, ku prona e mësipërme, e cila ishte marrë në enfiteozë nga Shoqëria E.I.A.A, prej znj. Sllava Maria Ljubica Lampo, konfiskohet dhe kalon në favor të Shtetit Shqiptar.

Në lidhje me faktin se pasuria në fjalë i është dhënë në enfiteozë një shoqërie italiane, në emër të së cilës është bërë dhe shpronësimi, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka konstatuar se është e vërtetë që nga ana e njërit prej bashkëzotënuesve (bashkëpronarëve), Maria Ljubica Shallvari, është lidhur një kontratë enfiteoze me Shoqërinë Italiane E.I.AA, por kjo kontratë nga vetë përmbajtja e saj rezulton të jetë nul, duke qenë se njërës prej palëve i ka munguar cilësia e pronares së ligjshme për të lidhur këtë kontratë. Sipas kësaj gjykate, përveç sa më sipër, kontrata e enfiteozës nuk është kontratë që ka për qëllim kalimin e pronësisë, por ajo ka për qëllim zhvillimin e pronës. Pronësia e sendit të paluajtshëm mbetet e enfiteozëdhënësit. Në nenin 1530 të Kodit Civil të vitit 1929 (i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes së kontratës së enfiteozës), parashikohet se: “Enfiteozi asht një kontratë, me të cilën i koncedohet një personi (enfiteozmarrësi), një pronë, me detyrimin që ta përmirësojë dhe të paguajë një prestim të përvitshëm, që quhet kanon dhe që caktohet në të holla ose drithna”. Neni 1532 po i Kodit Civil të vitit 1929 parashikon se: “Enfiteosi mund të lidhet vleftësisht vetëm prej atyne që kanë të drejtë tjetërsimi edhe me ato kondita dhe forma që lypen për tjetërsimin”. Pra, gjykata çmon se është tërësisht e provuar cilësia si pronar mbi sendin objekt kërkimi deri më 29.11.1944 i trashëgimlënësve të paditësave. Nga ana e të paditurit është argumentuar se pasuria e kërkuar është sekuestruar si pasuri e shtetasve italianë. Ky fakt, pra sekuestrimi i pasurisë objekt gjykimi si rezultat i zbatimit të këtij ligji, arsyeton gjykata, nuk dëshmon që sekuestrimi ka qenë i drejtë. Sipas gjykatës, Shoqëria Italiane E.I.A.A nuk ka qenë pronare e pronës Çifliku Rushkull dhe Çifliku i ri, por ka qenë vetëm enfiteozmarëse. Në nenin 2 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, i ndryshuar, cilësohet se: legjitimohen të kërkojnë kthimin apo kompesimin e pronës ish-pronarët që prona “iu është marrë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944”. Pra, edhe sipas argumentit të përdorur nga i padituri, gjykata ka konstatuar se marrja e pronës në bazë të një ligji, të dalë pas datës 29.11.1944, nuk i pengon paditësat të kërkojnë pronën e tyre. Ka rezultuar për gjykatën se prona objekt kërkimi nuk është vetëm e shtetases italiane Maria Ljubica, por edhe e Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mika, trashëgimtarët e Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi, të cilët e kanë fituar të drejtën e tyre të pronësisë që në vitin 1933. Në këto kushte ky ligj nuk i shtrin efektet mbi pronën e shtetasve shqiptarë të cituar më lart. Në vijim të argumentit të saj ligjor, gjykata e shkallës së parë ka gjetur të provuar se prona e paditësave është marrë nga shteti në bazë të reformës agrare në zbatim të ligjit nr.108, datë 29.08.1945 dhe ky fakt provohet edhe nga vendimi gjyqësor nr.52, datë 02.03.1946 i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit i formuem me Kolegj Arbitrar i Gjykatës së Durrësit. Kjo gjykatë në pjesën e dispozitivit citon se: “Ky vendim nuk mund të regjistrohet në hipotekë për shkak të veprimit të reformës agrare”. Pra, për shkak të zbatimit mbi këtë pronë të ligjit nr.108, datë 29.08.1945 “Mbi Reformen Agrare”, vendimi është i pa regjistrueshëm në regjistrat e pasurive të paluajtshme dhe kjo është e bazuar në nenin 1 të ligjit nr.108. Duke qenë se prona plotësonte kushtet e përcaktuara në këtë ligj, ajo quhej e “shpronësuar” dhe u ndahej gratis bujqve sipas përcaktimeve të nenit 8 e vijues të këtij ligji, të cilët bëheshin zotënues të pronës së përfituar. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, nisur nga këto rrethana fakti dhe juridike të gjetura si të provuara, arsyetimin e saj e mbështet dhe në përmbajtjen e vetë vendimit gjyqësor nr.52, datë 02.03.1946 i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit, ku është njohur se prona trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit i është marrë në zbatim të ligjit nr.108, datë 29.08.1945 “Mbi Reformen Agrare” dhe jo me ndonjë ligj tjetër.

Në lidhje me faktin se cila pjesë e pronësisë së mësipërme do të duhet të konsiderohet si e lirë për efekt të zbatimit të legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronës, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka administruar në cilësinë e provës një akt ekspertimi për vendndodhjen e sipërfaqjes dhe regjimin juridik të tyre. Pas shqyrtimit të këtij akti në seancë gjyqësore dhe duke interpretuar përmbajtjen e nenit 6 dhe 7 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, gjykata e shkallës së parë ka arritur në përfundimin se sipërfaqja që u duhet kthyer subjekteve të gjykimit nuk është objekt i kufizimeve të vëna nga ligjvënësi në dispozitat e mësipërme. Në dispozitivin e vendimit të saj, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, vendosi pranimin e padisë, duke disponuar sipas objektit të kërkimit. Sikundër u parashtrua më lart në këtë vendim, Gjykata e Apelit Durrës, pavarësisht se pranoi të provuar të njëjtat rrethana fakti, arsyetimi juridik i saj rezulton të jetë i kundërt në lidhje me bazueshmërinë në ligj të kërkimeve të palës paditëse dhe ndërhyrësve kryesorë. Kështu, në vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës është argumentuar se me ligjin nr.12, datë 21.10.1943 të Këshillit Ekzekutiv (pasi në atë kohë nuk funksiononte parlamenti deri në janar 1944), është vendosur sekuestrimi i pasurive të Shoqërive Italiane E.I.A.A. dhe AGIP, fakt që provon se kjo pronë e dhënë nga Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, me enfiteozë, Shoqërisë Italiane E.I.A.A. ishte sekuestruar nga shteti shqiptar që në vitin 1943. Ndërkohë, gjykata e apelit konstaton se me notën e transkriptimit nr.126, vol.15, datë 29.05.1946, prona e dhënë me enfiteozë Shoqërisë Italiane E.I.A.A. rikonfirmohet se kalon përsëri në favor të shtetit shqiptar. Ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, gjykata e apelit nuk ka konsideruar si të mirëqenë faktin se vendimi nr.52, datë 02.03/1946, ka konsideruar të pavlefshëm testamentin e lënë nga z.Miltiadh Shallvari në favor të znj.Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo dhe ka vendosur të njohë si bashkëpronare znj.Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, me Jorgji Vevecka, Sofie Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi. Sipas gjykatës së apelit, rezulton se ky vendim nuk është regjistruar në regjistrat e hipotekës së asaj kohe, nuk ka marrë formë të prerë, nuk është i nënshkruar nga gjyqtari i çështjes dhe sekretarja e çështjes dhe, për pasojë, nuk ka sjellë efektet e veta juridike. Në bazë të ligjit nr.108, datë 29.08.1945 “Për Reformën Agrare”, gjykata e apelit arrin në përfundimin se kjo pronë nuk i është marrë trashëgimlënësve të paditësve, por personave që rezultonin pronarë në zyrën e hipotekës. Proçesi gjyqësor i zhvilluar në vitin 1946 është zhvilluar nga palë të cilët nuk kanë qenë pronarë të pronës, pasi, de facto, ishte marrë nga Reforma Agrare dhe as posedues të pronës e për pasojë ka qenë një veprim fiktiv dhe pa pasoja, gjë që ka bërë të mos pasqyrohet në regjistrat përkatës. Sipas gjykatës së apelit, gjykata në vendimin përkatës, në mënyrë të paligjshme ka shpronësuar shtetin duke njohur pronarë të rinj, pasi, bazuar në ligjin "Mbi aplikimin e K.Civil" të vitit 1929, kaptina II, neni 55, është përcaktuar se: "Një tokë rurale në asnjë rast nuk mund të mbetet më tepër se 7 vite në dorën e të huajve me të drejt zotënimi edhe sikur brenda këtij afati të jetë trashëgue shumë herësh mes të huajsh", fakt i cili cilësohet edhe në nenet 54 e 56. Bazuar në testamentin e datës 08.05.1929, pas vdekjes së testatorit Miltiadh Shallvari më datë 17.05.1933, prona ka kaluar në pronësi të shtetates së huaj Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Në këto rrethana, sipas gjykatës së apelit, në vitin 1940 prona. në bazë të ligjit të mësipërm. ka qenë shtetërore, për rrjedhojë përsa kohë që trashëgimlënësit e paditësve nuk kanë bërë gjyq me pronarin shtet edhe teorikisht nuk mund të bëhen pronarë. Kjo është arsyeja që shteti shqiptar ia ka marrë direkt Shoqërisë E.I.A.A., pasi në atë kohë ai ishte vetë pronar i asaj prone në bazë të ligjit dhe nuk njihte pronarët e mëparshëm, znj.Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Duke qenë se trashëgimtarët e paditësve nuk rezultojnë pronarë të pronës "Çifliku Rushkull dhe Çifliku i Ri" nuk janë subjekte të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave", pasi nuk kanë patur titull pronësie para datës 29.11.1944, ka përfunduar argumentimin e saj gjykata e apelit, e cila ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka rrëzuar padinë. Në seancë gjyqësore, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mori në shqyrtim rekursin e paraqitur nga pala paditëse dhe ndërhyrësit kryesorë, në lidhje me bazueshmërinë në ligj e në prova të vendimit të dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit Durrës. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mori në shqyrtim së pari pretendimet në lidhje me zbatimin e ligjit procedurial civil dhe arriti në përfundimin se shkaqet e pretenduara, në referencë të përmbajtjes së nenit 432 të K.Pr.Civile, nuk e bëjnë të cënueshëm vendimin që mori Gjykata e Apelit Durrës. Në lidhje me pretendimet që kanë të bëjnë me zgjidhjen që i dha mosmarrëveshjes së shtruar për shqyrtim Gjykata e Apelit Durrës, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmoi se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës është një vendim i marrë në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe si i tillë ai duhet të prishet duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, vendim ky që u gjet i drejtë, i bazuar në ligj dhe në prova. Sikundër është parashtruar në mënyrë të hollësishme me lart në këtë vendim, objekt gjykimi kanë qenë kërkime, të cilat bazohen në dispozitat e nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”. Nisur dhe nga qëndrimi që është mbajtur nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin unifikues nr.24, datë 13.03.2002, ku duke u interpretuar fryma ligjore e legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronave, është konkluduar se: “Ligji nr.7514, datë 30.09.19 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë”dhe ligji nr.7698, datë 15.04.1993, “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish Pronarëve”, nuk janë mënyra të reja të fitimit të pronësisë, por korrigjim i padrejtësisë së bërë dhe, për këtë qëllim, shfuqizojnë ipso lege të gjitha aktet e mëparshme ligjore me të cilat u ishte marrë prona pronarve padrejtësisht. Ato nuk krijojnë një situatë të re (nuk kanë efekt konstituitiv), por ristabilizojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë. Shfuqizimi i akteve të sipërpërmendura ka si efekt kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, duke rregulluar në masën më të mundshme, situatën e paligjshmërisë lidhur me të drejtën reale me të rëndësishme, atë të pronësisë (jo të drejta të tjera reale e aq më pak të drejtat e detyrimeve). Në këtë këndvështrim, kthimi në gjendjen e mëparshme nuk është i plotë, por i pjesshëm (restitutio in parte).” Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në përputhje me përmbajtjen e dispozitës së nenit 310 të K.Pr.Civile, ka marrë një vendim të bazuar në ligj e duke analizuar me hollësi të gjitha provat e administruara në proçesin gjyqësor. Kolegji Civil vlerëson të parashtrojë se në dispozitën e nenit 2/1 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, ligjvënësi ka parashikuar: “Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të kërkojë, në përputhje me këtë ligj, të drejtën e pronësisë, në rast se i është hequr sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave, ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944, si dhe kthimin ose kompensimin e pronës”. Në vijim të kësaj normative ligjore, në nenin 3/3 është sanksionuar se: “Subjekt i shpronësuar" nënkupton personat juridikë, ose fizikë, apo trashëgimtarët e tyre, prona e të cilëve është shtetëzuar, shpronësuar, konfiskuar ose e marë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti;”. Përmbajtja dhe interpretimi i saktë i këtyre dispozitave ligjore ka një rëndësi të posaçme gjatë shqyrtimit gjyqësor të mosmarrëveshjeve që lindin për shkak të zbatimit të ligjit të lartpërmendur nga ana e strukturave përkatëse të administratës publike. Sikundër me të drejtë ka arsyetuar Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, sipërfaqjet e trajtuara në dispozitivin e vendimit të kësaj gjykate bëjnë pjesë në rrethin e sendeve për të cilat zbatohen dispozitat e nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”. E drejta e pronësisë, në rastin konkret, subjektit pronar rezulton t’i jetë hequr nga shteti nëpërmjet shtetëzimit arbitrar (të padrejtë), pa patur subjekti pronar ndonjë detyrim të ligjshëm, në zbatim të së cilit e drejta e pronësisë mund t’i kalonte shtetit në përputhje me dispozitat e ligjit material civil. Në rastin konkret, me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, duke bërë një renditje kronologjike të origjinës së pronësisë dhe kalimit të titullit të pronësisë ndër vite mes subjekte të ndryshëm, gjithmonë të lidhur në gjini me pronarin e parë Miltiadh Shallvari dhe atin e tij, ka konkluduar se në momentin e shtetëzimit të pronës, ajo (prona), nuk ka patur asnjë pronar tjetër përveç pjesëtarëve të familjes Shallvari dhe subjekteve të tjerë të lidhur me të. Fakti se akti përkatës i shtetëzimit ka dalë në emër të shoqërisë italiane, Shoqërisë Italiane E.I.I.A., nuk do të thotë se titulli i pronësisë i përkiste kësaj të fundit. Sikundër është provuar gjatë shqyrtimit gjyqësor në asnjë rast, Shoqëria Italiane E.I.I.A. nuk ka patur ndonjë titull pronësie mbi sipërfaqet e pronës të shtetëzuar. Kjo sipërfaqe i është dhënë Shoqërisë Italiane E.I.I.A. në posedim nëpërmjet një kontrate enfiteoze, kontratë kjo që me të drejtë është konstatuar se asnjëherë nuk mund të pretendohet të përbëjë titull pronësie. Pra, pavarësisht se akti administrativ i shtetëzimit pasqyron shtetëzimin e pronës kundër Shoqërisë Italiane E.I.I.A., kjo e fundit nuk e gëzon cilësinë e kërkuar nga neni 2/1 i ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, duke qenë se këtë cilësi e ka vetëm pronari i sendit. Në cilësinë e pronarit të sendit, me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka evidentuar fillimisht shtetasin Miltiadh Shallvari. Me vdekjen e këtij të fundit rezultoi se prona i ka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›