E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ëndrra për Shqipërinë dixhitale, tashmë një realitet i prekshëm

07-09-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet në Tiranë Forumi Rajonal për Evropën mbi “Internetin me brez të gjerë”

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në konferencë ndërkombëtare të Telekomunikacionit e cila po zhvillohet në Tiranë se, teknologjia dixhitale ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë. Sipas tij, nga viti 2005-ë Shqipëria ka shndërruar në realitet ëndrrën për “Shqipërinë dixhitale” dhe siguroi se qeveria që ai drejton do të vazhdojë t’i qëndrojë fuqishëm synimit të saj për të krijuar të gjitha kushtet e infrastrukturës dixhitale në çdo cep të vendit. Kryeministri theksoi se shpejtësia e cilësisë së internetit në vend është rritur në mënyrë strategjike, duke ndryshuar vetë sistemin dhe duke u shndërruar në një nga forcat shtytëse në çdo industri dhe në jetën e përditshme. “Ëndrra ima për Shqipërinë dixhitale vjen nga rinia ime. Prej rinisë sime kam pasur një rast personal që më bindi se asgjë nuk mund ta ndryshojë më shumë jetën se sa kompjuteri. Në atë kohë nuk kishte ende internet. Në vitet ‘80 u ktheva nga Parisi, atje punova në një laborator shumë dinamik. Kryeqyteti francez nuk kishte kompjuterë personal në atë kohë, të gjithë ishin kompjuterë të mëdhenj. Me t’u kthyer në Shqipëri, pashë se Apple kishte nxjerr produktin e tij, Apple 2. Nëpërmjet një tregtari britanik  arritëm të blinim një të tillë, por pa program. Në laboratorin tim, një djalë i ri, shumë i përkushtuar ndaj matematikës, filloi ta programonte. Kështu, në disa muaj, duke punuar në Fortran apo Pascal, ai arriti të programojë programin më të madh të kohës për të gjithë indekset hard. Kompjuteri ynë në atë kohë ishte si një lloj fantazme për administratën. Ministri im më tha për çfarë duhet këtu. I sqarova zotit ministër se për çfarë më duhej. Por ai më tha se ky është një produkt amerikan dhe unë e pyeta se çfarë kuptimi ka? Ai mu përgjigj se ndalohet nga ligji. I thashë se nuk ndalohet nga ligji shqiptar, e ai sërish mu përgjigj; është më keq. Megjithatë, ky kompjuter e lejoi skuadrën time që të përfundonte disa punë vendimtare, të cilat, pa kompjuterin, do të na duheshin ndoshta 8 deri në 10 vjet punë për t’i përfunduar. Kështu i qëndrova idesë se kompjuterët ndryshojnë jetën, më shumë se çdo gjë tjetër. Kur u ktheva në pushtet, në vitin 2005, vazhdova përpjekjet e mia për Shqipërinë dixhitale. Në atë kohë vendi im kishte një prej indekseve më të ulët në botë për sa i përket penetrimit të ICT, ishte 4.8%, dhe penetrimi i telefonisë celulare ishte 38%. Falë përpjekjeve të mëdha, angazhimit të njerëzve dhe miqve të shqiptarëve, tashmë Shqipëria është një vend krejtësisht ndryshe. Vitin e kaluar qëndronte në vendin e dytë për Indeksin e Gatishmërisë së Rrjetit në botë. Ka kthyer shumë shërbime në shërbime elektronike dhe Shqipëria dixhitale çdo ditë, javë e muaj bëhet më e vërtetë. Ky është një horizont që shkëlqen shpejtë dhe po nuk vrapove pas tij, zhduket. Prandaj po punojmë fortë për internetin me brez të gjerë. Ne preferojmë ofrimin privat të shërbimit, por gjithashtu do të bëjmë më të mirën, që ta shtrijmë në çdo kënd të vendit. Vendi im nuk është i thjeshtë, terreni i tij është i vështirë, por është pa dyshim një nga vendet më të bukura që ekziston dhe më pëlqen që njerëzit, kudo që janë, të kenë pothuajse të njëjtat kushte jetese, për sa i përket infrastrukturës bazike dhe dixhitale.
Fusha e internetit po zhvillohet shpejt dhe kemi arritur që gjatë këtyre viteve të dixhitalizojmë plotësisht shumë shërbime”- u shpreh Berisha. 
Kryeministri theksoi se një nga projektet më të mira pas shtrirjes së internetit në çdo shkollë, ishte one-stop-shop për regjistrimin elektronik të biznesit dhe krahas tij u vendos sistemi i one-stop-shop për lejet dhe licencat. Me sistemin e gjurmueshmërisë, tha Berisha, njerëzit e biznesit mund të gjurmojnë dokumentet e tyre kudo që të ndodhen në administratën tonë. Në kuadër të zhvillimit të dixhitalizimit, kreu i qeverisë tha se po punohet për sistemin elektronik të taksave dhe doganave. “Ne po punojmë dhe kemi arritur të vendosim sistemin elektronik të taksave, doganave. Për vendin tim është vendimtare, jetësore të krijojë standardet më të mira elektronike për bizneset dhe qytetarët. Në kemi ndërmend të krijojmë një “one-stop-shop” për të gjithë shërbimet, për qytetarët shqiptarë. Disa prej këtyre shërbimeve tashmë janë në Cloud Computing. Më tej, ne do t’i zgjerojmë, në mënyre që të ulim kostot”.
Të pranishëm në këtë Forum ishin Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, Sekretari i Përgjithshëm i ITU-së, z. Hamadoun Toure, Drejtori i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së, z. Brahima Sanou, ministra të kësaj fushe të vendeve të rajonit, si dhe drejtues të autoriteteve rregullatore, apo menaxherë të telekomunikacionit dhe TIK të vendeve të rajonit dhe të Evropës.
Ky forum rajonal është një mundësi për një dialog të nivelit të lartë mes palëve të interesuara rreth strategjive dhe politikave për zhvillimin e Broadband-it në rajon, si dhe një rast për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e ofruara nëpërmjet rrjeteve me shpejtësi të lartë dhe ofrimit të shërbimeve elektronike me anë të infrastrukturës moderne, duke përfshirë, të mësuarit elektronik (e-learning), e-Qeverisjen, e-Shëndetësinë etj. Forumi gjithashtu do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi sfidat e mundshme të adresuara në nivel rajonal, të cilat mund të përpunohen më tej në kuadrin e përgatitjeve për Konferencën Botërore të Zhvillimit të Telekomunikacionit (ËTDC-14).

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›