“PS-ja jo serioze në propozime. Majko lexoi 28 sekonda relacionin për ndryshimet Kushtetuese”
Flet anëtari demokrat i Komisionit të Ligjeve, Tritan Shehu
Deputeti demokrat Tritan Shehu ka deklaruar se PS-ja nuk është serioze në paraqitjen e propozimeve të saj, jo vetëm për relacionin e vakët prej 28 sekondash të relatorit Majko, por mbi të gjitha është e nevojshme që t’i lexojnë vetë deputetët socialiste propozimet që sjellin në Këshillin e Legjislacionit të Kuvendit. “kërkohet një seriozitet aq më shumë kur bëhet fjalë për ndryshime Kushtetuese dhe kërkohet një përgjegjësi në radhë të parë nga ata që paraqesin propozime në Komision. Me keqardhje them se PS-ja kishte një mungesë të thellë serioziteti në propozime dhe në radhë të dytë kanë nevojë ata vetë t’i studiojnë për të argumentuar pse duhen këto ndryshime në ligjin themeltar të shtetit” deklaroi deputeti Shehu. Sipas tij, deputetët demokratë në Këshillin e Legjislacionit janë treguar seriozë duke kërkuar kohë për t’u njohur me propozimet e opozitës. “Nga ana tjetër deputet e PD-së janë treguar shumë serioze sepse kërkuan kohë për të studiuar materialin dhe për të nxjerrë konkluzione sepse këtu kërkohen ndryshime të thella”, theksoi Shehu.
Në një prononcim për mediat, anëtari demokrat i Komisionit të Ligjeve, Tritan Shehu ka theksuar se për refuzimin e votimit të kufizimit të imunitetit ka përgjegjësi në sytë e qytetarëve. Sipas tij, shtesa për ndryshime të reja kushtetuese janë një justifikim për të mos votuar kufizimin e imuniteti sepse s’ka asnjë interferencë mes ligjit dhe propozimeve pasi janë dy gjëra të veçanta dhe të ndara pa asnjë lidhje me njeri tjetrin. “Ndërsa draftin për imunitetin dhe votimi i ligjit për gjykatën e Lartë janë çështje të diskutuar prej kohësh me muaj të tërë ose vite, propozimet e PS-së s’kanë asnjë korrelacion me çështjet e diskutuara. Dhe po ta shikosh PS-ja ishte e papërgatitur për propozimet e saj në Këshillin e Legjislacionit, ndaj duhet kohë që të dy palët të kenë kohë të gjatë”, vijoi ai.
Ndërkohë për dy ligjet që pritet të votohet, deputeti demokrat Shehu nënvizoi se “Ligjit për Gjykatën e Lartë dhe kufizimi i imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë janë kërkesa kyçe të BE-së siç e theksoi edhe drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Europian, Stefano Sanino”. Në lidhje me procesin e Integrimin dhe me afrimin e tetorit, deputeti Shehu deklaroi se në tetor nuk është e sigurt marrja e statusit të vendit kandidat sepse ka pasur gjithnjë kushtëzime obstruksioniste dhe negative të opozitës siç është për shembull mos votimi i draft-ligjit për kufizimin e imunitetit. Përgjegjësia politike është e opozitës dhe personalisht e Edi Ramës sepse maxhoranca është e gatshme t’i votojë kurdo. PS-ja po ndjek një politikë bllokuese për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Sipas tij, PD-ja mbështetet tek reformat dhe sukseset në investime për të shkuar në zgjedhje e për ti fituar ato.