E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Bon: Gjeta mirëkuptim për qëndrimet ndaj opozitës

Sali Berisha deklaroi dje nga Boni se liderët e partive të djathta europiane, të cilat janë në pushtet në shumicën e vendeve kanë përkrahur qëndrimin e tij të ashpër ndaj opozitës. Duke folur për mediat pas seancës së Kongresit të Partive Popullore Europiane ai u shpreh se "më duhet të them se jehona botërore e festimit të 8 Dhjetorit në Tiranë ishte e pranishme gjerësisht në këtë kongres dhe janë të shumtë pjesëmarrësit e kongresit, por edhe udhëheqësit kryesorë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera, të cilët kishin ngelur jashtëzakonisht të entuziazmuar nga ajo shfaqje madhështore". Në këtë aktivitet Berisha është takuar me Presidentin e BE-së, Herman Van Rompuy, kancelarin Angela Merkel etj. Kryeministri deklaroi se "në të gjitha bisedimet me kolegët e mi, natyrisht që kam trajtuar edhe kërkesën absurde të opozitës për të rinumëruar votat pas një vendimi gjykate, i cili e përjashton këtë mundësi. Kam gjetur mirëkuptim të plotë nga bashkëbiseduesit e mi për qëndrimin e qeverisë dhe qëndrimin tim ndaj kësaj kërkese". Por Berisha nuk ka cituar se cilat nga personalitetet europiane kishin mbështetur vendimin për moshapjen e kutive të votimit. Sakaq, kreu i Dhomës së Ulët të Italisë, Gianfranco Fini, ka deklaruar dje në Romë në prezencë të homologes së tij shqiptare, Jozefina Topalli, se jeta politika shqiptare duhet të hyjë në normalitet. Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Fini, është takuar dje në pallatin "Montecitorio" me Topallin ku është biseduar për zhvillimet politike dhe çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE. Siç njofton zyra e shtypit e Kuvendit, Fini ka deklaruar se "Vlerësimi i Italisë dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar është se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në legjitimitet maksimal dhe rezultati i zgjedhjeve nuk duhet dhe nuk mund të kontestohet. Jeta demokratike shqiptare duhet të hyjë në normalitet të plotë sigurisht brenda Parlamentit". Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, vlerësoi faktin që Italia ka qenë gjithmonë një avokate e Shqipërisë, dëshmi e së cilës është

edhe vota pro në 16 nëntor, si dhe mbështetja e rezolutës së Parlamentit Europian që vlerëson zgjedhjet e 28 qershorit dhe progresin e Shqipërisë. Në takim u bisedua gjerësisht për komunitetin shqiptar në Itali, një aset i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, komunitet i cili, siç tha

edhe Presidenti Fini përbëjnë një shembull të integrimit të shqiptarëve në vendet e BE-së. Fini është një nga drejtuesit e partisë së qendrës së djathtë "Populli i Lirisë" që drejtohet nga Kryeministri Silvio Berluskoni. Kreu i Parlamentit italian, ka deklaruar gjithashtu se "shpreha bindjen e fortë të qeverisë italiane për domosdoshmërinë që procesi i nisur i Shqipërisë për një anëtarësim të plotë e të shpejtë në Bashkimin Europian jo vetëm të mos hasë pengesa, por të përmbyllet në një kohë sa më të shkurtër. Sepse është në interes jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës". Kryeparlamentarja Topalli është pritur në një audiencë të veçantë në pallatin "Quirinale" nga Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano, i cili ka deklaruar se së shpejti do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›