E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers dhe Topi: Pavarësia e institucioneve, e paprekshme

Ndërkombëtarët nuk po lënë ditë pa u përmendur autoriteteve shqiptare se nuk kanë vend vetëlëvdatat se jemi pararojë në të gjitha fushat, por po kujtojnë çdo ditë defektet e demokracisë shqiptare. Një ditë pas akuzave për korrupsionin, dje e kishte radhën apeli për pavarësinë e institucioneve të pavarura.

Në ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dy ambasadorë të rëndësishëm dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksuan se Shqipëria ka ende për të bërë sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut të qytetarëve të saj. Këto qëndrime u mbajtën në 10-vjetorin e institucionit të Avokatit të Popullit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, deklaroi se "pavarësia e institucioneve të tilla si ajo e Avokatit të Popullit është kritike për zhvillimin demokratik dhe thelbësore për një shoqëri të shëndetshme. Në të njëjtën mënyrë, edhe institucionet e tjera nuk janë në gjendje të funksionojnë ashtu si duhet pa pavarësinë e tyre". Në vlerësimin e ambasadorit, pavarësia e gjyqësorit është një kolonë themelore e shoqërisë demokratike dhe është, në fakt, guri i themelit mbi të cilin ndërtohen shoqëritë demokratike. "Një gjyqësor i pavarur i trajton të gjithë qytetarët të barabartë përpara ligjit dhe kërkon që të gjithë qytetarët t‘i binden ligjit. Asnjë institucion politik nuk mund të marrë përsipër apo të ndërhyjë në pavarësinë e gjyqësorit dhe në funksionet që ai është modeluar të kryejë. Askush, absolutisht askush, nuk është përmbi ligjin", nënvizoi Withers. "Ka ende shumë për të bërë në respektimin e të drejtave të njeriut", theksoi ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, në fjalën e tij, teksa nënvizoi se nëse aktorët e përfshirë në këtë proces kryejnë detyrën e tyre, atëherë shumë mund të bëhet. "Qeverisje e mirë do të thotë respekt për të drejtat e qytetarëve, do të thotë një sistem i drejtë gjyqësor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe të gjitha këto mund të arrihen vetëm nëse aktorët e përfshirë kryejnë detyrat e tyre", u shpreh Bosch. Në takimin e organizuar nga Avokati i Popullit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi se Shqipëria ka ende shumë për të bërë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisë së institucioneve. "Shoqëria shqiptare ka ende shumë për të bërë. Ka ende shumë për të përmirësuar në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisë së institucioneve dhe fenomeneve negative të korrupsionit ekonomik e politik. Unë mendoj se sot është shumë e rëndësishme të theksojmë se demokracia, të drejtat e njeriut dhe konstitucionalizmi janë konceptet dinamike, vazhdimisht në zhvillim dhe në progres", nënvizoi Topi. Si të tilla, vijoi ai, edhe përpjekjet për të ecur në një hap me kohën, për të plotësuar parimet, standardet dhe vlerat e botës ku dëshirohemi të integrohemi natyrshëm duhet të jetë një sfidë e përditshme për të gjithë. Në deklaratën e tij, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, vërejti se realiteti i Shqipërisë është i kënaqshëm dhe se ky institucion ka dhënë ndihmesën e vet sa i përket ndikimit në rastet e shfaqjes së dhunës në burgje apo spitale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›