E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zhduken" dëshmitaret bukuroshe të Taçit

Katër vajza të reja, të pranishme natën e dy nëntorit në lokalin ku ndodhi sherri midis biznesmenit Rezart Taçi dhe gazetarit Mero Baze kanë refuzuar të dëshmojnë në Prokurorinë e Tiranës. Hetuesit e çështjes kanë kërkuar vajzat bukuroshe në cilësinë e dëshmitareve, por ato janë "zhdukur", duke mos iu përgjigjur fletëthirrjeve të organit të akuzës. Justifikimi që kanë përdorur ka qenë se "nuk na lënë baballarët" dhe si rrjedhojë nuk mund të paraqiten, duke rrëzuar alibinë e biznesmenit se gazetari Baze ka goditur shoqëruesit e tij. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se emrat e vajzave ishin referuar në prokurori nga avokatët e Taçit. Në deklarime të dhëna para prokurorit Gjergji Tako, tre të akuzuarit për "goditje për shkak të detyrës" do të deklaronin se në lokal ndodheshin edhe disa dëshmitarë që konfirmonin se botuesi i gazetës "Tema" kishte goditur i pari shoqëruesit e biznesmenit. Dhe, këta të fundit, i ishin përgjigjur dhunës së ushtruar prej tij. Për të forcuar këtë alibi kishin paraqitur para prokurorit emrat dhe adresat e katër vajzave bukuroshe që ndodheshin afër tavolinës ku po qëndronte natën e dy nëntorit Taçi. Sipas mbrojtjes, vajzat kishin parë të gjithë skenën e ngjarjes dhe ishin të gatshme të tregonin të kundërtën e fakteve të prokurorisë. Paraprakisht, avokatët kanë marrë deklarimet e tyre dhe i kanë referuar në prokurori, duke kërkuar pafajësinë e klientit të tyre. Por, grupi hetimor nuk është bindur nga këto deklarime dhe se vajzat duhet të dëshmonin para oficerëve të policisë gjyqësore. Disa javë më parë në adresë të vajzave ka shkuar një fletëthirrje dhe përgjigjja ka qenë shokuese për njerëzit që zbatojnë ligjin në Tiranë. Ato pretendonin se nuk mund të dëshmonin në prokurori, pasi nuk i linin baballarët, ndoshta të ndikuar nga rrjedha e pas ngjarjes, që "mori dhenë", duke reaguar të gjithë krerët e shtetit, por edhe përfaqësuesit e huaj të akredituar në Tiranë.
Dy ditë më parë, biznesmeni Rezart Taçi është paraqitur në mesditë në Prokurorinë e Tiranës për t‘u njohur me mbylljen e hetimeve. Sipas akuzës, hetimet kanë përfunduar dhe dosja ka shkuar në gjykatë, me tre të pandehur që akuzohen për "goditje për shkak të detyrës". Në lidhje me ngjarjen e datës 2 nëntor 2009, ku tre të sipërpërmendurit goditën dhe ofenduan gazetarin për shkak të detyrës në prani të dy kolegëve të tij, prokuroria ka siguruar katër dëshmitarë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Këta dëshmitarë, sipas hetuesve, kanë ndërhyrë për të larguar agresorët që po godisnin gazetarin. Ngjarja ndodhi në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ku gazetari Baze po pinte kafe bashkë me dy kolegët e tij, kur edhe janë përballur me biznesmenin Taçi. Me të kanë shkëmbyer sharje dhe ofendime që kanë degjeneruar në grushte mes tyre. Për pasojë të rrahjes mes tyre, gazetari Baze ka pësuar disa dëmtime në fytyrë, që i ka kushtuar qëndrim një natë në Spitalin Ushtarak dhe nipi i biznesmenit të naftës, Selfo, me pak dëmtime.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›