E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telenovela politike dhe kryengritja e Patosit

Në pamundësi për t‘u përballur në sallën e Parlamentit, mazhoranca dhe opozita e kanë gjetur zgjidhjen, që debatet të mos mungojnë gjithsesi. Ato replikojnë nga selitë e tyre, para kamerave. Mediat vizive kanë instaluar fishat pranë selive të dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste dhe, në përmbushje të misionit informues, emetojnë pafund replikat që pasojnë njëra-tjetrën. Çdo ditë, nga të dy selitë, njoftohen deri në dhjetë konferenca shtypi. Replikat nisin mes Berishës e Ramës dhe pasohen nga deputetët, njëri pas tjetrit. Në seri ata hedhin poshtë deklaratat, akuzat dhe kundërakuzat e njëri-tjetrit dhe, kur kanë mbaruar edhe këto argumente, dalin dy zëdhënëset që e përmbyllin ditën me hartime politike, duke prodhuar një spektakël Portokalli të përditshëm. Deklaratat janë po ato. Njëra palë kërkon hapjen e kutive, ndërsa pala tjetër flet për luftën kundër mafies dhe pallateve të saj.
Këto replika, në fakt, duhej të bëheshin në sallën e Kuvendit, ku deputetët kanë komoditetin edhe kohor edhe vizual, që t‘u përgjigjen ballazi njëri-tjetrit, të shahen, e pse jo edhe të rrihen nëse do të jetë e nevojshme. Por, në kushtet e bojkotit të opozitës, sallën e Parlamentit e luajnë foltoret e selive të partive, ndërkohë që rolin e Kryetares së Kuvendit mundohen ta ruajnë gazetarët, të cilët duhet të kujdesen për balancimin në kohë dhe renditje gjatë transmetimit të deklaratave.
Ndërkohë që telenovela e politikës po kalon në neveri mbarëpopullore, nga Patosi korrespondentët televizivë sollën një lajm shumë të rëndë. Të mjerët, njerëzit e uritur, kishin sulmuar këshillin bashkiak, Parlamentin e qytetit. Kjo kishte ndodhur kur të zgjedhurit e popullit, ata që marrin vendime për mbarëvajtjen e punëve në qytet, ishin mbledhur në sallë. Në fakt, në të tilla mbledhje, këshilltarët duhej të merrnin vendime që lidhen më qytetarët dhe qytetin, por në fakt ata, prej disa muajsh me radhë, thjesht po grindeshin e shaheshin, njësoj si më të mëdhenjtë e politikës në Tiranë. Kryetari i bashkisë në këtë qytet iku nga partia e tij, LSI, dhe iu bashkua partisë mëmë, PS. Aleanca PD-LSI në këshillin bashkiak, u revoltua nga kjo lëvizje dhe vendosi të bllokojë vendimet në këshill, si dhe të shkarkojnë kryetarin e këshillit, që ishte i opozitës. Këtu nisi katrahura në godinën ku gatuhet qeverisja e qytetit të vogël e të varfër. Ca aleanca të vendosura më parë u prishën si pasojë e ca pazareve të bëra më vonë në kryeqendrën e vendit dhe, nga ajo ditë në shtëpinë e Bashkisë së Patosit të vogël nisi të bëhej politikë e madhe. Ashtu si burrat e mëdhenj të politikës së Tiranës, edhe këshilltarët e vegjël të Patosit nisën betejën politike, madje edhe më seriozisht e më egër se në Tiranë. Pasi, sa më poshtë të zbresësh, sa më i varfër dhe injorant të jetë mjedisi shoqëror, aq më e ethshme, fanatike dhe agresive është politika. Në këto kushte, këshilltarët mblidheshin e diskutonin për çdo gjë, por veç për problemet e qytetit dhe qytetarëve jo. Për pasojë, pastruesit e qytetit, dhjetëra gra e burra, që përbëjnë shtresën me të keqpaguar të administratës shtetërore dhe shtresën më të varfër të qytetarëve, kanë mbi 2 muaj që nuk marrin pagat, pasi këshilli nuk ka miratuar fondet. Këto gra e burra, bllokuan derën e bashkisë, derisa më në fundi u sosi durimi dhe u futën me forcë në sallën e mbledhjeve duke u përleshur me këshilltarët, të cilët ndërkohë po përlesheshin me njëri-tjetrin.
Ajo që ka ndodhur e po ndodh në Patos, është shembulli më i qartë i degradimit të politikës, i futjes së mllefit, intrigës dhe urrejtjes partiake në çdo qelizë të jetës publike. Debati dhe spiralja e dhunës politike ka bërë që edhe nëpunësi më i thjeshtë, të mos mendojë si profesionist për të bërë detyrën që i takon në bazë të ligjit, apo misionit që i ka besuar votuesi, por të mendojë si socialist apo si demokrat.
Në kushtet kur të gjithë kemi nevojë sot të largohemi sado pak nga makthi politik dhe frika se çfarë do ta pasojë atë në të ardhmen, kur kemi nevojë të shikojmë qoftë edhe një pemë zbukurimi në ndonjë qendër qyteti, apo ndonjë dritë që paralajmëron se jemi në kohë festash, bashkitë janë shndërruar në seli partish. Edhe pse qytetet vazhdojnë të jenë po aq të zymtë sa vetë politika, çdokush do të përpiqet që fëmijëve të tij t‘ua bëjë këto ditë fundviti më të bukura. Por, punëtorët me duart plot kallo të pastrimit të qytetit të Patosit, pagat e të cilëve mbahen peng nga beteja politike, nuk do ta kenë as këtë mundësi.
Ligji për median nuk na e lejon që t‘i nxisim gratë dhe burrat e Patosit të rrëmbejnë lopatat e punës dhe t‘i rrahin paq këshilltarët e bashkisë, bash m‘u në zyrën e tyre. Por askush nuk na lejon të themi se do të ndiheshim vërtet të kënaqur, nëse punëtorët do ta bënin këtë gjë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›