Berisha në Burrel: Rama do të vendosë në piedestral neobllokmenët
Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim elektoral në qytetin e Burrelit ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se Partia Demokratike vjen sot në rrethin e Matit me premtime të mbajtura.
“Sot ne jemi të mbledhur në këtë shesh për të nderuar para së gjithash njëri-tjetrin, Matin dhe Shqipërinë, sepse ne në një hark kohor të shkurtër me dashurinë tonë për Matin dhe Shqipërinë, me punën tonë, me djersën dhe punën tonë ne ia dolëm që Shqipërinë e skajuar, Shqipërinë e mënjanuar që s`po konsiderohej nga askush ta bëjmë anëtare të NATO-s, ia dolëm të firmosnim MSA-në, të lëvizim pa viza në Europë, ia dolëm të meritonin statusin e kandidatit. Këto janë arritje historike tha Berisha.
Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama dhe alternativën e opozitës e cila sipas tij është mashtrim dhe bllokim.
“Kam kënaqësinë të vij tek ju në një kohë kur gjatë këtyre viteve nga çdo skaj të rrethit të Matit ne po ndërtojmë një rrjet modern. Zotimi im solem është ndërtimi i rrugës së Arbërit, rruga e dytë e kombit. Ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë. Matematika e mashtrimit thotë se në Shqipëri janë ndërtuar 1500 km rrugë. Vetëm fondi shqiptar I zhvillimit ka ndërtuar 1520 km rrugë. Fondi i zhvillimit të rajoneve që ndërton rrugët e fshatrave ka pasur një buxhet 3 herë më të madh se fondi shqiptar i zhvillimit kurse ministria e tranportit ka pasur një buxhet 10 herë më të madh se fondi shqiptar i zhvillimit. Zoti Rama pasi mësoi këto shifra i tronditur në autobuzin e tij mavi deklaroi se e shifni sa shumë para ka prishur qeveria për rrugët po ku janë ato. Zotëri, autobuzi jot mavi me xhama të zi nuk të lejon të shohësh asgjë në Shqipëri tha kryeministri.
Ai ka theksuar se kryesocialisti Rama kërkon të vendosë në piedestral neobllokmenët.
“Alternativa tjetër është e akuzave të pabaza, e bllokimive të çdo gjëje. Pse Edi Rama votoi kundër rritJes së rrogave dhe pensioneve. Pse votoi kundër ndërtimit të rrugës së kombit dhe të arbërit dhe buxheteve për ndërtimin e rrugëve. Të gjitha këto kanë vetëm një shpjegim ai përpiqet me çdo kusht të rikthej neobllokmenët në pushtet. Ata nuk po luftojnë për të vendosur në piedestral rilindasit por për të rikthyer në piedestral etërit e tyre. Ai kalon nga një miting në tjetrin duke i quajtur qytetarët robër ndërsa dje u premtonte mësuesve gjyqet publike të turpshme të kohës së shkuar” tha Berisha.