E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Gjirokaster 4 vitet e investimeve te medha

Kryeministri Sali Berisha ishte në Gjirokastër për të mbështetur kandidaturën e “Aleancës për Qytetarin”, zotin Genci Sinojmeri. Kreu i qeverisë tha se  gjirokastritët në 8 maj, duket të hedhin votën e tyre për këtë kandidat, pasi Gjirokastrën e katër vitet e ardhshme e presin investime të mëdha në rrugë, ujësjellësa, shkolla, turizëm.

“Do të restaurojmë të gjitha banesat monument kulture të saj, do të restaurojmë teatrin dhe të gjitha mjediset sportive të saj. Jam këtu për t’u zotuar, se shumë shpejt distanca me Tiranën do të jetë me pak se 2 orë. Shqipërinë që vetëm 6 vjet më parë nuk e kujtonte kush në hartën e turizmit botëror, këtë vit Gjirokastrën dhe Shqipërinë e kemi të Bukurën e Dheut”- tha Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh se rruga e reformave drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë, megjithatë ato ende do të vazhdojnë nëse votohet për alternativën e “Aleancës për Qytetarin”.

“Pavarësisht nga bindjet politike, nuk dua të shoh asnjë shqiptarë në rrugën e vetmisë, në rrugën e të shkuarës. Nuk do të ndalem në alternativën e të vetmes rrugë, sepse ju dhe çdo shqiptarë e ka të qartë se ku e ka origjinën ajo alternativë. Por  dua tu them këtyre shokëve, të mos mërziten se sot dhe për sa kohë Sali Berisha, të jetë në politikë, nuk do të flasë për gjë tjetër, veçse për rrugët dhe sokaqet tuaja, për shkollat dhe kopshtet e fëmijëve tuaj, për ujësjellsat,  kanalizimet tuaja, për  bulevardet,  rrugicat tuaja”- tha Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh se reformat e qeverisë së tij e renditën vendin, në kulmin e krizës botërore në krye të rritjes ekonomike në Europë. Në këto dy vite u dyfishuan pensionet, rrogat e ulëta, ndërkohë që eksportet një vit më parë u rritën me 62%. Vetëm gjatë 5 viteve janë asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›