E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e Tiranes Mediu perballe ambientalisteve ne Studio e Hapur

"Studio e Hapur" pati në fokus të tij të premten mjedisin dhe sa vend zë ai në platformat e kandidatëve në këtë fushatë për zgjedhjet vendore,ku përballë ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu ishin ambientalistët Sazan Guri dhe Lavdosh Feruni. Lidhur me Tiranën, ministri Mediu tha se zgjidhja do të vijë përmes bashkëpunimit të pushtetit qendror dhe atij vendor, ndërsa për ambientalistët zgjidhja është jashtë kryeqytetit dhe duke bllokuar dhënien e lejeve.

Fatmir Mediu: "Unë mendoj se zgjidhja e Tiranës në mënyrë të padiskutueshme është marrëdhënia mes pushtetit qëndror dhe atij lokal. Nqs Tirana do shikohet si një pedanë politike për atë që është kryetar bashkie sot, apo që pretendon për nesër absolutisht nuk ka zgjidhje".

Lavdosh Feruni: "Unë e shikoj zgjidhjen e problemeve që ka Tirana si jashtë Tiranës".

Eni Vasili: "Që do të thotë, investimet të shkojnë jashtë Tiranës"?

Lavdosh Feruni: "Jo Tiranë policentrike, se s'ke ku të bësh qendra në Tiranë. Ideja është që Shqipëria duhet të jetë policentrik".

Sazan Guri: "Stop ndërtimeve në Tiranë dhe nxitje të zhvillimeve në Tiranë, por një Tiranë ekscentrike, jashtë asaj unaze të madhe".

Duke folur për politikat në mbrojtje ambientalistët Sazan Guri dhe Lavdosh Feruni hodhën idenë e një moratoriumi që ndalon prerjen e pyjeve.

Sazan Guri: "Një moratorium ku të themi se në këto 10 vjet nuk do të ketë asnjë prerje peme, druri edhe fidani, por vetëm ka mbjellje".

Fatmir Mediu: "Ajo që ne jemi përpjekur, sidomos kohët e fundit është që nuk do të ketë as edhe një lloj shfrytëzimi pa një plan të manaxhimit të pyjeve".

Lavdosh Feruni: "Qeveria vendore duhet të marrë një iniciativë të tillë që derisa të hartohet plani i përgjithshëm kombëtar të ngrijë të gjitha lejet, përfshi edhe ministrinë e Mjedisit, për lejet mjedisore për veprat e mëdha".

Fatmir Mediu: "Jam kundër ideve  për të stopuar. Çështja është që të jemi racionalë në vendimarrje".

Zoti Mediu ka ritheksuar nevojën që dikasteri që ai drejton të shndërrohet në një ministri të planifikimit të territorit dhe mjedisit. Ndërkohë dy ambientalistët theksuan se qeveria duhet të realizojë këtë sezon iniciativën për pastrimin e bregdetit.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›