Berisha në Has, thirrje emigrantëve për të votuar në Shqipëri

“Kam një thirrje për ju, për zgjedhësit e Tropojës, të Kukësit, të Sarandës, të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë; i thërrisni vajzat dhe djemtë tuaj nga emigracioni, le të votojnë për Hasin evropian dhe për Shqipërinë evropiane. Ata duhet të vijnë, sepse ata kanë dhënë dhe japim ndihmesën e jashtëzakonshme në këtë ndryshim të madh dhe epokal të Shqipërisë”.
Nga veriu i Shqipërisë, kryetari i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë në mbarë botën që të kthehen në Shqipëri dhe të votojnë “Shqipërinë që po ndryshon”. Sipas tij vetëm në këtë mënyrë ata japin kontributin për vendin e tyre, për të votuar Shqipërinë Evropiane. Gjatë mitingut të djeshëm në Has, kryeministri Berisha deklaroi po shkojmë drejt ditës së madhe, ditës së fitores sonë.
“Kam një thirrje për ju, për zgjedhësit e Tropojës, të Kukësit, të Sarandës, të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë; i thërrisni vajzat dhe djemtë tuaj nga emigracioni, le të votojnë për Hasin evropian dhe për Shqipërinë evropiane. Ata duhet të vijnë, sepse ata kanë dhënë dhe japim ndihmesën e jashtëzakonshme në këtë ndryshim të madh dhe epokal të Shqipërisë. Duhet të vijnë, sepse vendi i tyre është sot anëtar i NATO-s, duhet të vijnë që me votën e tyre të ndihmojnë për Shqipërinë evropiane dhe për Hasin evropian”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha, para qytetarëve të shumë të Hasit, që kishin mbushur sheshin e në qendër të qytetit u ndal tek investimet e qeverisë në këtë zonë, ndërsa premtoi një projekt ambicioz për 4 vitet që vijnë.
“Jam këtu përpara jush për t’ju dhënë fjalën e nderit se në katër vite, në Hasin tuaj nuk do të ketë pëllëmbë rruge të paasfaltuar. Të gjitha komuna e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me boshtet kombëtare të rrugëve”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se Kruma do të lidhet me rrugën e re me Kukësin, sikundër do të ketë dhe rrugën drejt Fanit.
“Shumë vite jam përpjekur që ju të vendoseni tërësish nën ujë. Sot dua të zotohem se rezervuari i Qarrit të Vogël do të jetë nga veprat e reja ujitëse për tokat tuaja dhe ju do të jeni përfituesit kryesor të pasurive të mëdha nëntokësore të trevës tuaj. Gjithashtu, dua t’i garantoj fermerët dhe blegtorët e Hasit se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit, qoftë të kulturave bujqësore, qoftë të blegtorisë”, deklaroi ndër të tjera kreu i qeverisë Berisha.
...