Shefi i ekzekutivit inauguron rrugën Maminas-Gjiri i Lalzit
Ndërtimi i rrugëve që zbresin drejt bregdetit, domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje rrugën Maminas-Gjiri i Lalzit, investim me vlerë 1.3 miliard lekë. Ky segment rrugor i gjatë 22.5 kilometra fillon nga autostrada në kryqëzimin e Maminasit dhe përfundon në Gjirin e Lalzit. Rrugës i është bërë një rikonstruksion i plotë, i cili përfshin sistemimin dhe asfaltimin. Kjo rrugë, e gjerë 8 m dhe me trotuare në të dy anët e saj, është e pajisur me të gjitha elementët e një rruge të standardeve evropiane.
Kryeministri u shpreh se rruga është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare dhe se ndërtimi i saj ishte një domosdoshmëri, në kuadrin e ndërtimit të të gjitha rrugëve që zbresin drejt bregdetit. Kryeministri tha se kjo rrugë mundëson daljen e zonave përreth më lehtësisht në treg.
“Sapo inauguruam një rrugë prej rreth 23 km dhe me një investim prej 1,03 miliard lekë. Kjo rrugë sjell në treg të gjithë këtë zonë, nga Gjiri i Lalzit që është një nga plazhet me te bukura, por edhe tërë këtë zonë të fuqishme bujqësore dhe industriale. Ky është një premtim i mbajtur. Rruga është e standardeve më të mira ndërkombëtare. Ndërtimi i kësaj rruge ishte një domosdoshmëri në kuadrin e ndërtimit të gjitha rrugëve që zbresin drejt bregdetit”, deklaroi kryeministri.
...