Kozmetika e varfërisë, para 28 qershorit 2009
Tani, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, e majta jonë, që retorikën propagandistike për mohimin e të gjitha arritjeve të qeverisë e ka bërë refren monoton, ajo njëzëri po na bën premtime zhurmuese për zhdukjen e varfërisë. Ajo kërkon t’i bëjë sfidë faktorit ndërkombëtar, i cili ia ka njohur qeverisë së tanishme si arritje të sajën, - gjë që ka të bëjë me mirëqenien dhe me mehjen e varfërisë, - faktin e 400 mijë vendeve të punës shtesë, që ka jetësuar kjo qeveri. Ky na qenkësh një lajm i keq për opozitën destruktive që kemi, e cila arrin gjer në një fabul infantile, se autostrada e shekullit, ajo që mban emrin Durrës-Kukës (+Prishtinë) po ndërtohet nga punëtorë e teknikë turq, gjer në përgjigjen zyrtare të personelit ndërtues, që shpalli statistikën përgënjeshtruese se, përveç disa inxhinierëve të huaj të specializuar dhe disa teknikëve që përdorin makineritë e sofistikuara, të gjithë punonjësit janë shqiptarë! Tani, pasi u bënë qesharakë me këtë shpallje statistikore, nuk po munden (të shkretët!) t’i bien më kësaj tastoje.
Megjithatë, meqë varfëria nuk ka gjetur ende një zgjidhje përfundimtare, majtistët e kanë shumë për zemër që ta bëjnë lajtmotiv varfërinë, gjer në pamundësinë e studentëve për të paguar kartën elektronike dhe pasaportën biometrike, paçka se çmimet u reduktuan për këtë kategori, gjer në pagesa simbolike!
Meqë kanë edhe disa media pas vetes, përse nuk marrin një nga kameramanët e fshehtë të tyre dhe të venë në një sallë leksionesh e të bëjnë pyetjen e vetme: - “Sa nga ju kanë celular”? - dhe të shihnin se sa celularë do të ngrihen përpjetë, si dëshmi se ata që s’e kanë mund të numërohen me gishtat e njërës dorë! Madje, ne shohim edhe nxënëset e vogla me celularët në vesh në rrugë e rrugica. Këtë anketim, po të duan, le ta bëjnë edhe ne shkollat nëntëvjeçare!
Kësisoj, këta propagandistë të së keqes dalin në kundërshtim me panoramën që ka bërë, në kohën e kërkimit të kreut të PS-së, vetë E. Rama, kur e quajti atë tetëvjeçar qeverisës, të dështuar kryekreje! Tani, meqë ka rënë në një kundërthënie flagrante, na nxjerr teori përtej të majtës dhe të djathtës, në emër të një politike të re e cila nuk është veçse një politikë super-e-vjetër, e mbështjellë me një ambalazhim kinse të ri! Të gjithë ishët aty janë, qofshin pleq, qofshin të rinj, - këta të fundit të predispozuar që të jenë krenarë se etërit nuk kanë qenë sekretarë partie institucionesh studimore apo spitalesh, por bash sekretarë të komiteteve të partisë në qendër e në rrethe – që janë marrë në vetë të parë me listat e burgimeve dhe të internimeve!
Le të tregojë Edvini qoftë edhe njërin ndër ata të tetëvjeçarit të vet, gjasme të përbuzur prej tij, - që i përmendi si të korruptuar gjer në palcë, - që t’i ketë hyrë jo ferra, por as gjembi në këmbë! E kjo nuk mund të quhet politikë e re! Dhe politika për të risjellë qeverisjen 1997- 2009, bie vetiu era vjetërsirë! (E harroi Rama sesi i çoi në grevë urie të gjithë artistët, kur ishte ministër i Kulturës? Ai vetë ishte i kallëpit i ri apo i vjetër në atë kohë kur i nxori me dhunë nga greva?).
Por edhe majtisti tjetër, I. Meta, është tepër hovardar, me shprehje kategorike:”Do të zhdukim varfërinë”. Përgjigja e thjeshtë që mund t’i japë elektorati, është: - “Pse s’e zhduke, gjatë tetëvjeçarit tënd? Ç’bëre, kur ishe kryeministër, kur u zhduk ari i depozituar në tunele të papërshkueshme dhe në dyer të metalizuara, që hapeshin vetëm me kod elektronik? Kush ishte kaobojsi i parë në shndërrimin e Parlamentit në një stallë bagëtish, me kompjuterat me kabllo të shkulura dhe të pavlefshëm për asnjë funksion, tashmë?”.
* * *
Tani le të shohim një rast konkret, në një letër që i kishte dërguar një minator redaksisë sonë dhe u botua në gazetën “55-n” më 21 dhjetor 2004. Quhej Ndrek Llesh Frroku. Ky fatkeq, tanimë 71-vjeçar, ka pasë punuar për 35 vjet në minierë. Ka pasur kategorinë e 7-të për 26 vjet. Tani është shndërruar në një gjysmëkufomë,- siç shkruan. E përshkruan mynxyrën e kohës sikur të jetë marrë me letërsi, duke dhënë një panoramë të vajtueshme të punëtorëve të minierave. Do të dëshironim të shpjegoheshin pak më imtësisht arsyet e uljes së pensionit kohët e fundit, pas 14 vitesh, dhe cilat janë arsyet që na qenka “debitor ndaj shtetit ....”. “Mbase na e sqaron në një letër tjetër, të cilën, bashkë me të parën, mund t’ia drejtojmë drejtorisë së zyrës së pensioneve, për të na e argumentuar kjo zyrë”, -komentonte drejtuesi i Letërkëmbimit.
Veçse një gjë është krejtësisht e papërgënjeshtrueshme në këtë letër të trishtuar: mjerimi. E ky mjerim, i shtrirë në të gjitha qelizat e shoqërisë, nuk mund të bëhet i paqenë, me retorikë propagandistike. Në debatet për buxhetin, këto lloj justifikimesh kanë ndjekur të mëparshmet , duke u zbukuruar edhe me të folurat, si në kor, për mrekullitë që na presin në të ardhmen: “Do të...do të... do të...”. Stil i huazuar nga diktatura, për begatinë fiktive!
Kjo babëzí për t’u marrë edhe lëkurën atyre që s’u ka mbetur më veçse ajo (ky më duket se është thelbi i letrës që po botojmë), i bën kandidatët pushtetarë që ta zbrazin paksa xhepin e fryrë me paret e varfanjakëve, në javën para zgjedhjeve. Dhe është e lehtë të spekulohet me mjerimin: Sipas mashtruesve zgjedhorë, do të mjaftonte një drekë falas me ngritje dollish për kohët e bukura që na presin; do të mjaftojnin disa thasë miell për t’u hequr varfanjakëve, aty për aty, zymtinë e çehres së njerëzve që mezi mbajnë shpirtin gjallë; do të mjaftonin disa tallona nafte pa pare, plus edhe disa fonde të vogla shtesë për familjet me fëmijë të shumtë zbatharakë dhe të paushqyer, shto këtu edhe faljet e borxheve në listat e bukës (listat e bukës: një mjerim tipik shqiptar i kohëve të sotme. “I shlyen shteti zemërmadh këto borxhe pranë dyqaneve të bukës!”): do të mjaftonin, pra, këto marifete, që të ngjallej një atmosferë gazmore me premtime publike se votat i meritonin ata, bërësit e këtyre reformave sociale! (Mashtrimi zgjedhor është si ajo kuçedra me shumë koka..., KQZ-në (e atëhershme në raportin 5:2!- shënim i sotëm) , listat zgjedhore, por edhe shpëlarjen e trurit.).
Por a thua se shqiptarët e mjerë nuk janë ndërgjegjësuar ende se pas kësaj dehjeje me raki elektorale, do të dalë rakia që të nesërmen e zgjedhjeve dhe varfëria do të vazhdojë të shtrihet edhe më tej, ndërsa premtuesit do të shtojnë dhjamët në barkun e tyre? Ka ardhur, tashmë koha, që shqiptarët të jenë ndërgjegjësuar për këto lloj drogash të trurit. E kështu, pas zgjedhjeve, do të kenë të drejtën për të shpresuar për një lumturi jo të rreme.
Koha duhet të na ketë mësuar se në ç’gjendje ishte Italia e mundur, për shembull, në krahasim me vendin tonë “fitimtar”, në vitet Nëntëdhjetë, kur mjeranët tanë, (si z.Ndrek Llesh Frroku) vërshuan të gjejnë ditë më të mira në Itali e gjetiu. Duhet të mësojmë nga historia, për përparimin tonë të vërtetë, jo për mashtrimin e përparimit!
Letra e Ndrekës nga Kaçinari
Jam nji lexues i rregullt i gazetës “55”, sepse më pëlqejnë vlerësimet qi bani. Po ju shkruej për një problem temin, nëse do të ma vlerësoni.
Jam 71 vjeç. Sot patëm nji takim me shokët e vjetër të galerisë, jo para derës së saj ku i jepnim dorën njeni-tjetrit tue urue: “dalsh gjallë”.
Hyjshim të bardhë e delshim të zij!
Pështyma nga goja na delte e zezë. E kjo e zezë u bante e kuqe nga pluhuri i mineralit, i përziem me copat e gjakut. Ah, ç’kohë!
Në mëncë hajshim lang supe.
Çanim shkambin me martel, me daltë, me kazmë e me lopatë.
Para se me hy në minierë, bajshim informacion, si në kohë lufte.
Na çojshin në aksione në kooperativë, në grupe pune, si i dinin ata me i krijue.
Vejshin nga nji komunist me na mbajtë llogaritë. Nuk na lenin me u kthye pa realizue normën. S’na ndaheshin të njoftun e të panjoftun me na përgjue pale ç’po bisedonim ndërmjet vedi. E dinim se e kishm emnin në lista të fshehta, për me na rrasë në burgun e planifikuem.
Ene jashtë burgut kur kena qenë, nji listë e gjatë na veçonte për me na izolue në rast lufte e me na ba mish për top për me ruejtë kuadrot e tyne.
Unë e kisha emnin në listat e sigurimeve shoqnore, me numrin 167.
Por tash, mbas 14 vjetsh, na e kanë ulë pensionin, tue na thanë se jemi debitorë ndaj shtetit, se “tash do të kishit vdekun. Prandaj do të paguheni për 3 vjet”.
Në zyrën e sigurimeve shoqnore të qarkut Lezhë më thanë: Kush ka dalë në pension para vitit 1991 u ulen pensionet dhe ky asht urdhni i kryeministrit. U çudita si ka urdhnue për një malsor të zonës më të thellë të Mirditës, me 35 vite pune në minierë, qi ka pasë dhanë maksimumin, e qi ishte me kategorinë e shtatë, për 26 vjet. Nuk e dij sa do të marr në pensionin e ardhshëm.
Me rritjen e çmimeve, shtimin e ilaçeve, papunsinë, mue më asht shue mbijetesa e jam kthye në nji gjysmë kufome.
Kam mendue se mbi varrin tem gjeologët do të venin sondat e do të kerkojnë material me aparatet e tyne.
Por s’e mendoja kurrë se do të më kërkonin edhe ato pak gja qi kam marrë nga pensioni, qi kurrë s’u kam thanë faleminderit, sepse nuk më kanë pasë dhanë çka më takonte.
Tash duhet me jetue edhe me pensione ma të vogla, tue kenë ato ma të paktat në gjithë Europën.
Unë nuk e di se në cili grup më kanë futë: në atë të mjerimit, në atë të qëllimit, në atë të luftimit? A shkoj demokracia? Tash, i ulun në gjysmështratin e vdekjes, kujtoj 1944-n ku vlonin në vorbën e luftës civile gegë e toskë. Pleqt u shtrinin si sot përtokë, mbyllnin gojën: “Mos folni!”. 90-vjeçarët i pushkatonin.
O zot! Me jep fuqi të lëviz duert e mos me britë.
Kam shpresë ta lexoni kët letër e ta botoni.
Me respekt,- Pensionisti Ndrek Llesh Frroku, Kaçinar.
...