UNMIK dhe RK
UNMIK (United Nations Mission in Kosovo - Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) është një histori e pasçlirimit të Kosovës, që po përfundon si e tillë. RK (Republika e Kosovës) është histori e Kosovës shtet, dhe do të mbetet e tillë.
UNMIK, me atë përzjerje shtetesh pjesëmarrëse, mbështetëse të forta të pavarësisë dhe kundërshtuese të prera të saj, nga fundi i rrugës së gjatë dhjetëvjeçare, dha një rezultante të paqartë, midis dy prirjeve të kundërta - të Kosovës për mëvehtësi të padiskutueshme dhe të Serbisë për rikthimin aty të shtetit serb. Kjo e konsumoi UNMIK-un me shpejtësi, sepse ai mbeti mbrapa synimeve të kthjellta politike të Kosovë, sepse lejoi dhe nuk zgjidhi çështje të mprehta si ajo e Mitrovicës së veriut dhe sepse kufizoi hapësirat e institucioneve vendore, duke nxitur lindjen e një kontradite ndërmjet popullit dhe qeverisë së vet. Kjo çoi në mpiksjen e idesë mbi EULEX, i cili shpalli qëllim kryesor vendosmërinë për shtrirjen e shtetit ligjor në të gjithë Kosovën. Ndërkohë, Serbia u gjallërua dhe, shprehje e përpjekjeve për krijimin e baraspeshës ndërmjet viktimës dhe vrasësit, ishtë kurajua e saj nacionaliste dhe keqpërdorimi i rrethanave politike ndërkombëtare, deri në paraqitjen e kërkesës në OKB dhe dorëzimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të akuzës, se shpallja e pavarësisë së Kosovës qënka shkelje e të ndrejtës ndërkombëtare! Ky përbën kulmin e marrëzisë politike të Beogradit pasi kreu luftën e çmendur.
Pse shpallja e pavarësisë nuk është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, por ushtrim i një të drejte mëse të ligjshme?
Zbritja vrik teposhtë, në thellësitë e mëdha të një miniere, edhe pse përbën kërshëri, nuk është ndonjë kënaqësi. Rrymat ajrore ftohëse në hyrje, ajri i rënduar brenda, gjysmëdrita e gjysmëterri, minatorët si fantazma dhe treni i hekurt që i trondit frikshëm dherat, ta rëndojnë psikologjinë. Kur minatori i vjetër të shpjegon tabelat me këshilla që të shoqërojnë galerive, kupton psenë e tyre: çdo rregull i nëntokës është shkruar me gjak, çka do të thotë se, është vrarë një njeri dhe, pas vdekjes së tij është formuluar një rregull tjetër, për të parandaluar një vdekje po për të njëjtin shkak. Kjo përqasje përbën ndriçim për përgjigje, nëse në Kosovë është shkelur e drejta ndërkombëtare, të cilën Serbia kujton se e ka në anën e vet, së pari për të vrarë një popull dhe, pasi e masakroi, i kërkoi OKB votën dhe, që aty akuzën e dorëzoi në Hagë, e cila në të vërtetë është akuzon përse u ndërmor një luftë shpëtuese, përse u krye një zgjidhje e ligjshme edhe pse më pak se sa e drejta që u takonte shqiptarëve dhe përse ky popull qeveris vetveten dhe vendin e tij. Ndër shumë argumentime të shëndosha, është edhe ai i juristit të së drejtës ndërkombëtare Joseph Marko, në Grac të Austrisë, i cili arsyeton në mënyrë të shkëlqyer se, rasti i Kosovës - (si në minierën primitive thellësive të nëntokës) - vuri në pah në mënyrë të përgjakshme dobësitë e të drejtës ndërkombëtare dhe, ky rast, është një shembull tragjik që këmbëngul në zhvillimin e kësaj të drejte. Ai thotë që “Kosova përbën me siguri një pikë kthese, e cila çoi më tej të drejtën ndërkombëtare”.
Kësisoj, çfarë bëri Kosova paraluftës, gjatë luftës dhe pasluftës, nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por një popull i tërë i kthyer në viktimë nxit dhe detyron shtete të fuqishme demokratike perëndimore të shkruajnë një rregull të ri për mbrojtjen e viktimave të tjera të ngjashme.
Marrëdhënia e diskutueshme mes vrasjes së një populli dhe rregullit të shkruar me gjak, është ajo e UNMIK - i cili u vendos përplot autoritet në Republikën e pashpallur dhe në Kosovën e vrarë. Por kahjet u ndanë: UNMIK vetshkoi drejt zbehjes dhe shuarjes, RK drejt pavarësimit, njohjes dhe forcimit. Mes këtyre dy proceseve dhe dy caqeve kohore, u zgjerua pranimi ndërkombar i Kosovës shtet dhe u rrallua përmendja e UNMIK-ut si administrator, i cili edhe punonte për kijimin e institucioneve vendore edhe nuk e shihte të pamundur rikthimin e Serbisë aty. Kjo e përfundoi dallimin: NATO dhe shtetet perëndimore e zhvilluan të drejtën ndërkombëtare duke mos lejuar që ajo të keqpërdorej nga Serbia, ndërsa disa shtete e përdorën qënien në UNMIK për të mbështetur synimet e Serbisë për ta dështuar shtetin e Kosovës. Gjykata e Hagës ka një rast të shkëlqyer për të arsyetuar të drejtën e një populli të shpëtuar. Përgjigja që duhet të marrë Beogradi është kjo: në Kosovë nuk u shkel e drejta ndërkombëtare, por Kosova i shërbeu me gjak zhvillimit të së drejtës botërore. Disa vende pjesëmarrëse në UNMIK, i cili mbikëqyri politikën dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, çfarë kuptojnë mes formimit të shtetit të Kosovës dhe kthimit të pushtetit te serb në Kosovë, duke mbështetur Serbinë politikisht, zëshëm apo heshturazi? RK dhe UNMIK prandaj u përballën në çështjen themelore - Kosovë e pavarur apo Serbi në Kosovë? Kosova me aktin e saj historik, NATO me luftën humane dhe shtetet e shumta njohëse të pavarësisë, përveç që e tejkaluan UNMIK-un, ato e pasuruan në mënyrë të jashtëzakonshme të drejtën ndërkombëtare: në Kosovë u bë drejtësi hyjnore, ndërsa e drejta ndërkombëtare u zhvillua cilësisht nga lufta për mbijetesë e një populli.
...