Berisha në Hungari: Pikëpamja bllokuese e Ramës u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve

Sali Berisha / Foto arkiv
Kryeministri Berisha ka theksuar angazhimin e qeverisë së tij për plotësimin e standardeve për integrimin e vendit në BE gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit hungarez, Laszlo Kover.
Pikëpamja e liderit të opozitës për të bllokuar u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve. Qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjithë standardeve për të ecur përpara me shpejtësi me hapat e mëtejshëm të këtij procesi, të cilin e konsiderojmë si një proces tërësisht të bazuar në meritë, tha Berisha gjatë takimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Ministrave, kryetari i Parlamentit, Kover, i ka rikonfirmuar kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Duke u ndalur në situatën politike në Shqipëri, ai ka theksuar se shpresonte që opozita në Shqipëri të mos i rikthehet më rrugës së gabuar të bojkotit, por të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në institucionet demokratike, në proceset e rëndësishme në të cilat po ecën Shqipëria si ai i integrimit ne BE.
Gjithashtu, Kover shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e veçanta për faktin qe Shqipëria është ndër vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi krizë në kuadër të krizës globale ekonomiko financiare. / G.N.