E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Itali: Ne, superfuqi energjetike

 Shqipëria dhe Italia konfirmojnë interesin për të investuar në projektet nukleare. Gjatë një vizite dy ditore në Itali, kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Ekonomisë së vendit fqinj, Claudio Scajola, thanë se dy vendet po mendojnë të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Gjatë një konference para mediave, kreu i Qeverisë shqiptare tha se "ambicia kryesore e vendit tim është të kthehemi në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ne jemi të vendosur që në vitet e ardhshme të vëmë në përdorim të gjitha burimet që do të shndërrojnë Shqipërinë në një eksportues të madh të energjisë. Ky është vizioni i Qeverisë sime dhe sipërmarrjet italiane do të jenë të mirëpritura të kontribuojnë në këtë vizion". Ndërsa sipas ministrit Scajola "Italia përfshihet në projektet nukleare, sepse beson në to. Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të gjithë botën, ajo beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën qendrore do të thotë rikthim në energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil. Po ndodh në të gjitha vendet. Janë aktualisht 60 projekte në botë në rrugë për të marrë autorizimin. Italia është i vetmi vend i G8 - ës që nuk prodhon energji elektrike nga burimet nukleare. Kemi ndërmend ta prodhojmë vetë atë duke rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me Francën, SHBA-në dhe Rusinë". Gjatë takimit mes tyre, kryeministri theksoi se zhvillimi i vrullshëm i sektorit energjetik në Shqipëri e bën të domosdoshme linjën e interkonjeksionit nënujor Shqipëri - Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë evropian, nëpërmjet Italisë. "Përfitimet janë të gjithanshme, prandaj sinergjia e të dy qeverive në këtë drejtim është garanci e suksesit edhe në projektet e tjera. Kryeministri shprehu nevojën e bashkëpunimit me  qeverinë italiane, në mbështetje dhe të projekteve të tjera italiane në fushat e fasonit, parqeve industriale, e sektorë të tjerë", thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›