E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji i SHISH, kushti i ri për në Kuvend”

 Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj, Eduart Shalsi, kontestoi sërish draftin e Qeverisë për "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", duke kërkuar tërheqjen e tij nga Kuvendi. "Ne jemi të vendosur të ndalojmë çdo përpjekje të Berishës për të uzurpuar këtë institucion dhe nëse Berisha nuk tërhiqet publikisht nga kjo iniciativë, atëherë SHISH do të jetë një tjetër kusht për kthimin e opozitës në Parlament", tha Shalsi. Deputeti socialist theksoi se "amendamentet e reja të propozuara në ligj nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me përmirësimin dhe fuqizimin e rolit të Shërbimit Informativ, por përkundrazi e çorientojnë dhe hallakasin plotësisht atë, duke e larguar nga objektivat kushtetuese dhe duke e afruar me objektivat personale të Sali Berishës". "Disa ditë më parë, PS denoncoi publikisht projektligjin për SHISH, duke e konsideruar si përpjekja e radhës e Sali Berishës për të shtënë në dorë këtë shërbim, për interesa të pastra personale dhe politike. Rikujtojmë se kjo është përpjekja e dytë, qysh kur Berisha erdhi në pushtet, pas tentativës së parë të dështuar për ta pasur Shërbimin Informativ nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme", tha Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›