E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i vrasësit: Nuk ia fal tim biri

 Etleva DeliaAutori i vrasjes me thikë të ndodhur në Kamëz mbrëmjen e 48 orëve më parë është arrestuar nga ndërhyrja e babait të tij, i cili ka ndihmuar policinë në kapjen e autorit. Sipas burimeve nga policia, në momentin që babai i të dyshuarit Bukurosh Muçeku, i cili sapo ka mësuar motivin e vrasjes, i ka kërkuar policisë që ta mbajnë në qeli të birin, në të kundër do ta vriste me duart e tij. "Kërkoj dënimin maksimal për tim bir, për atë që ka bërë. Ndryshe do e vras vetë me duart e mija", mësohet se është shprehur para policisë, Skënder Muçeku, babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Robert Dishmemës ndodhur në Kamëz, mbrëmjen e së martës. Sipas burimeve të marra, i ati i të dyshuarit ka dhënë ndihmesë për arrestimin e të birit, sapo është njoftuar që 19-vjeçari akuzohej se kishte vrarë një bashkëmoshatar, i cili banonte në Valias të Tiranës. Pasi ka mësuar se i biri ishte strehuar te disa të afërm në Paskuqan, pasi kishte kryer vrasjen e emigrantit 24-vjeçar, Skënder Muçeku menjëherë ka lajmëruar policinë. Burimet shpjeguan se veç informacionit për vendndodhjen e të dyshuarit si autor, babai i të riut e ka bindur të birin të dorëzohej në polici. Nga ana tjetër vrasja e djalit të madh të familjes Dishmema, përveç dhimbjes së madhe ka shkaktuar edhe irritimin e të afërmeve, çka ka detyruar policinë që të bisedojë me ta. Për të shmangur ndonjë vetëgjyqësi të mundshme, policia ka biseduar më të afërmit e viktimës, të cilët paraprakisht janë shprehur se nuk do ia falin kurrë këtë veprim autorit tashmë të arrestuar.FAMILJARET E VIKTIMESNë familjen e 24-vjeçarit Robert Dishmema, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së martës në Kamëz, është e vështirë të bisedosh për këtë ngjarje. Të afërmit e të njohurit e 24-vjeçarit, veshur me të zeza, janë mbledhur rreth shtëpisë ku banon familja e tij, në Valias të Ri, pranë një shkolle 9-vjeçare, duke pritur që ta përcjellin për në banesën e fundit. Xhaxhai i emigrantit Dishmema, pohoi dje për gazetën se djali i vrarë kishte vetëm 20 ditë që ishte kthyer nga Greqia, ku jetonte e punonte prej më shumë se 5 vitesh. "është një ngjarje që na ka tronditur të gjithëve, me një motiv që nuk po arrijmë ta kuptojmë. Por ne dimë të themi që Roberti nuk i binte njeriu në qafë, nuk e meritonte të vritej", janë shprehur dje disa të afërm të 24-vjeçarit. Ata kanë treguar se Robert Dishmema, ishte një emigrant me dokumente të rregullta, që punonte në Greqi dhe ishte kthyer për të vizituar familjen. Ai është djali i madh i familjes Dishmema, ka një vëlla më të vogël dhe dy motra. "Prej disa muajsh ai ishte fejuar, priste që të martohej. Nuk kishte mendje ai për të ngacmuar motrat dhe vajzat e të tjerëve. Ne nuk arrijmë të kuptojmë se si mund të këtë arritur ai njeri që ta godasë me thikë Robertin", kanë pohuar më tej familjarët e viktimës. Ndërsa personi që është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e 24-vjeçarit, ka deklaruar se ai e ka sharë në faqen e internetit në "Facebook". I dyshuari pranon: Unë e bëra vrasjenTIRANE - Bukurosh Muçeku, 19 vjeç, i cili u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Tiranës, si i dyshuar për vrasjen e emigrantit Robert Dishmema, ka pranuar autorësinë e krimit, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë. Ai ka deklaruar se gjithçka e ka bërë për të mbrojtur nderin e motrës dhe të familjes së tij, pasi viktima e kishte sharë teksa flisnin në "Facebook". Burime nga grupi hetimor thanë se konflikti mes dy të rinjve, të cilët banonin që të dy në Valias dhe ishin nga Burreli, ka nisur prej disa ditësh, pasi 24-vjeçari ishte kthyer nga Greqia. Fillimisht mes tyre ka pasur fyerje personale e më pas kanë nisur të përmendin familjet e njëri-tjetrit, madje edhe duke u kërcënuar. Ditën e vrasjes, të dy ndodheshin në një qendër interneti dhe sipas deklarimeve të të arrestuarit, viktima e ka sharë në "Facebook".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›