Berisha në Itali, ftesë Alemanos të vizitojë Shqipërinë
ROME- Në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha u prit në një takim nga kryetari i bashkisë së Romës, zoti Gianni Alemanno. Gjatë bisedës mes tyre, Kryeministri Berisha dhe zoti Alemano u ndalën në iniciativat e përbashkëta midis Shqipërisë dhe bashkisë së Romës në fusha të ndryshme, ndër të cilat aktiviteti kulturor Pranvera Italiane, që zhvillohet në vendin tonë dhe ku pritet të marrin pjesë mbi 80 aktivitete dhe biznese të ndryshme italiane. Kryeministri Berisha gjatë bisedës ftoi kryetarin e Bashkisë së Romës për të vizituar Shqipërinë, ftesë, të cilën zoti Alemano e pranoi me kënaqësi, duke u shprehur se vizta e tij do të vinte në pranverë, gjatë këtij aktiviteti. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës dhe aktiviteteve që do të zhvillohen me këtë rast. Interesimit të kryeministrit Berisha, kryebashkiaku u shpreh se bashkia e Romës, në vlerësim të kësaj figure të madhe të njerëzimit, do të organizojë javën e Nënë Terezës, me aktivitete të shumta nga bashkia e Romës dhe të gjithë strukturave të lidhura me të. Ristukturimi dhe mbrojtja e monumenteve ka qënë një tjetër temë e bisedës, bazuar në faktin se Shqipëria këtë vit ka pasur një rritje të turizmit në masën 36 përqind.(m.a/News24/BalkanWeb)