FShF nis hetimet për trukimet e ndeshjeve në Superligë
TIRANë- Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur sot zyrtarisht hetimin lidhur me akuzat e klubit Apolonia ndaj katër lojtarëve, Albert Kaçi dhe Maringlen Shoshi, të cilët aktualisht janë pjesë e këtij klubi, Elton Grami (aktualisht te Flamurtari) e Erjon Hoti (aktualisht te Gramozi). Dy inspektorë të FSHF-së, Lulzim Llangozi dhe Ilir Alushi, kanë nisur kontaktet me drejtuesit më të lartë të klubit fierak për të zbardhur dhe të vërtetën lidhur me dy ndeshjet e dyshuara me rezultat të parafiksuar Apolonia-Kastrioti 2-3 (java 10, 7 nëntor 2009) dhe Shkumbini-Apolonia 3-0 (java 14, 21 dhjetor 2009). Katë futbollistët kanë mohuar akuzat ndaj tyre, madje kanë akuzuar drejtuesit e klubit se kanë qenë ata që kanë shitur ndeshje. Sipas drejtuesve të Apolonisë janë 7 ndeshje që dyshohen për trukime rezultatesh, por nga FSHF fillimisht do të hetohen vetëm 2. Ndërkohë kanë nisur hetimet edhe për ndeshjen Vllaznia-Laçi 1-2, pasi dyshohet se dhe ajo mund të jetë trukuar. Këtë e kanë pohuar burime zyrtare pranë FSHF-së, të cilat madje tri ditë më parë kanë nisur inspektorët pranë Komisionit të Disiplinës që të mbledhin informacion dhe të zbardhin këtë rast. Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri ne 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në 3 milionë lekë. Futja e kësaj dispozite në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka bërë të mundur hetimin për çdo dyshim të trukimeve në sport dhe do të parandalojë zhvillimin e këtyre fenomeneve shkatërruese në sport. Ndeshjet e dyshuara për trukim nga drejtuesit e Apolonisë Java 10: Apolonia-Kastrioti 2-3 Java 14: Shkumbini-Apolonia 3-0 Java 16: Tirana-Apolonia 4-1 Java 17: Apolonia-Skëndërbeu Java 18: Gramozi-Apolonia 1-0 Java 19: Apolonia-Besa 0-2 Java 20: Flamurtari-Apolonia 2-0 (d.b/BalkanWeb)