Refuzohet apeli i Karaxhicit për të mos pasur avokat
HAGë- Gjykata e Hagës ka refuzuar apelin e ish liderit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhic kundër avokatit të tij. Karaxhic, i cili i mohon të gjitha 11 akuzat për krimet në luftën e Bosnjes në vitet 1992-95, përfshirë genocidin e 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, fillimisht e përfaqësonte veten në gjykatë. Në nëntor, gjykata i caktoi një avokat pasi ai i bojkotoi tre ditët e para të gjykimit, duke thënë se i duhet më shumë kohë që të përgatitë mbrojtjen. Gjykata tha se sjellja e Karaxhicit e ka bërë të nevojshme që në interes të drejtësisë, atij t'i kufizohet e drejta e vetëpërfaqësimit.(m.a/rel/BalkanWeb)