E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Kinë takohet me ministrin e Jashtëm

Autori i Lajmit: red.
Në vijim të vizitës së kryeministrit Berisha në Kinë, ai është takuar me ministrin e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i cili u shpreh se është një mik i vendit tonë dhe se sheh një Shqipëri mjaft të zhvilluar nën lidershipin e kryeministrit Berisha dhe reformat e qeverisë së tij, veçanërisht në fushën ekonomike, ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera. Ministri Jiarui i uroi kryeministrit Berisha mirëseardhjen dhe e falënderoi për mikpritjen e tij dhe të popullit shqiptar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, për të cilën ai u shpreh se ishte mjaft mbresëlënëse. Jiarui shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të vendosura mbi një bazë miqësie të ndërsjellë tradicionale dhe se ato forcohen dita-ditës, duke pasur për këtë një vullnet politik mes dy vendeve dhe qeverive. Nga ana e tij, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndodhej në Kinë, me rastin e Lojërave Olimpike, ku me siguri Kina do t i tregojë botës sukseset dhe progresin e saj të madh. Berisha e cilësoi vizitën e ministrit Jiarui në Shqipëri, si të suksesshme dhe theksoi se dy partitë, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia Komuniste e Kinës kanë sjellë ndryshime epokale në vendet e tyre, ndaj bashkëpunimi dhe angazhimi i ndërsjellë mes tyre do të njohë progres të vazhdueshëm dhe lidhje të forta nga të gjitha strukturat e tyre. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, Kryeministri shprehu dëshirën për të pritur Kryeministrin e Kinës, zotin Ven Jia Bao në Shqipëri. Berisha e njohu zotin Jiarui me reformat e ndërmarra nga qeveria në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Ai ftoi investitorët kinezë të investojnë në Shqipëri për të shfrytëzuar potencialet e pashtershme natyrore, duke garantuar se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe lehtësojë iniciativat e tyre. Nga ana e tij, minisri Jiarui shprehu angazhimin për të nxitur investimet kineze në Shqipëri, në të gjitha fushat e zhvillimit. Më pas, biseda u përqendrua në zhvillimet në rajon dhe kryesisht në Kosovë. Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë kemi një Ballkan tjetër, më të stabilizuar dhe se në të kemi një realitet të ri që është Kosova e pavarur, e njohur nga 43 shtete, në pak muaj, të cilat nuk e kanë njohur as për të shpërblyer shqiptarët dhe as për të ndëshkuar serbët, por sepse kanë parë në pavarësinë e saj, një kontribut jetik në stabilitetin dhe integrimin e vendeve të rajonit dhe shkëputjen nga e kaluara e hidhur.
Kreu i qeverisë shprehu vlerësimin e lartë që do të kishte një rishqyrtim dhe rikonsiderim i pavarësisë së Kosovës nga ana e Kinës, duke theksuar se tek Shqipëria, Kina ka një vend mik dhe me Kosovën e pavarur do të ketë një tjetër vend mik. Ministri kinez u shpreh se po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike në rajon dhe veçanërisht e gëzonte ecuria e Kosovës në këto muaj. Ai u shpreh se kjo është një çështje për të cilën duhet një dialog dhe vlerësim i vazhdueshëm.
Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›