E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: “Berisha, kryekomunar për të fshehur dështimet e Qeverisë”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste ka akuzuar shefin e Qeverisë, Berisha, se po sillet si kryekomunar, duke fshehur dështimet e veta, ndërkohë që merret me arritjet e drejtuesve lokalë. Zyrtarë nga kjo seli thanë sot se “kreu i ekzekutivit po abuzon me shpërndarjen e fondeve në bujqësi”, duke ua shpërndarë ato militantëve të PD-se dhe shmangur zhvillimin e këtij sektori. “Prej disa javësh, kemi parë kryeministrin “periferik” Berisha duke bërë përurime lart e poshtë nëpër Shqipëri të ndonjë çezme apo të ndonjë kanali të ujërave të zeza. Shqiptarët e kanë zgjedhur Sali Berishën Kryeministër dhe jo Kryekomunar. Ai, si kryeministër i vendit, duhet të përballet me problemet e vërteta në jetën e shqiptarëve si: papunësinë, varfërinë, edukimin, bujqësinë, shëndetësinë. Suksesi ka qindra baballarë, kurse dështimi mbetet jetim. Ky është rasti tipik i kryeministrit tonë, i cili prej javësh nxiton të birësojë sukseset sporadike të ndonjë drejtuesi të pushtetit lokal, ndërkohë që dështimet madhore të tij, i injoron në mënyrë konstante duke i lënë jetimë. Në vend që të “birësojë” suksesin e disa fermerëve të palodhur, “Kryekomunari” Berisha duhet të saktësojë para shqiptarëve se si lidhen premtimet dhe demagogjia e tij me shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për bujqësinë. Fondet e subvencioneve në bujqësi janë duke u shpenzuar për militantizëm dhe militantë, gjë që theksohet si shqetësim dhe në raportin e fundit të Bankës Botërore për sektorin bujqësor. Bujqësia ka nevojë për strategji reale, ka nevojë për veprime dhe plan masash konkret për ndërhyrje, nuk ka nevojë për të dëgjuar demagogjinë boshe për rritje të eksporteve, ndërkohë që të gjithë e dimë mirë, që perimet dhe frutat që konsumojmë i marrim jo vetëm nga fqinjët tanë, por dhe prej përtej kontinentit”.
Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›