E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur dhimbjet e barkut të foshnjave paraqesin urgjencë

Autori i Lajmit: red.
Në një foshnjë nën një vjeç apo në një fëmije të vogël, kriza të përsëritura dhimbjesh të forta barku me intervale prej rreth 15- 20-minuta nga njëra tjetra, të shoqëruara me një rëndim të gjendjes së përgjithshme
të fëmijës, mund të bëjnë të dyshosh për një ngatërrim zorrësh.
Çfarë mund të bëni? Masni temperaturën e fëmijës. Në rast se është e rritur, ka mundësi që të ketë apendisit, veçanërisht nëse dhimbja e barkut është e fortë dhe e lokalizuar përreth kërthizës. Në këto raste, nëse prekim apo shtypim barkun e fëmijës, ai do të kërcejë përpjetë nga dhimbja.
Në këtë rast mos i jepni asnjë lloj qetësuesi dhimbjesh (analgjezik) apo për të ulur temperaturën, si për shembull paracetamol, sepse dhënia e tyre mund ta qetësojë fëmijën dhe të fshehë shenjat e një infeksioni
të zorrëve, apendisitit etj.
Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë një krizë apendisiti, mos i jepni asgjë për të ngrënë dhe për të pirë. Nëse ka etje, jepini pak ujë, por mos e lejoni të hajë asgjë. Qetësojeni fëmijën, përkëdheleni, duke i kushtuar më shumë vëmendje.
Në rast se mendoni se nuk është apendisit, apo ngatërrim zorrësh, mbushni një borsë me ujë të ngrohtë dhe vendosjani në vithe. Dhimbja e barkut mund të jetë shenjë e mjaft sëmundjeve si ato të aparatit të tretjes, infeksionet e rrugëve urinare etj. Mund të jetë e shkaktuar edhe nga të vjellat, apo si shenjë shoqëruese në infeksionet e bajameve, fruthi. Fëmija mund të ankohet se ka dhimbje barku në rast se provon një ndjenjë këputje, pafuqie, ka të përziera, i vjen për të vjellë, apo nëse ka dhimbje në një pjesë të trupit, që nuk është në gjendje ta përcaktojë mirë.

Si të veprojmë përballë një dhimbjeje barku të fëmijës
Kërkoni se kush mund të jetë shkaku i dhimbjes së barkut. Shumë fëmijë kalojnë shpeshherë dhimbje
barku kur ndihen të pasigurt, kanë ankth, frikë. Në rast se dhimbja që ankon fëmija juaj, nuk është shumë
e fortë dhe zgjat një-dy orë, nuk duhet të shqetësoheni; mundohuni të zbuloni se çfarë e shqetëson dhe
qetësojeni fëmijën. Në rast se fëmija paraqet një dhimbje të fortë, që zgjat disa orë rresht, duhet ta merrni seriozisht. Mundet që të ketë një apendisit që shfaqet kur apendiksi (apo ndryshe zorra qorre, që është një copëz e vogël zorre, e vendosur në fund të zorrëve në anën e djathtë) është i pezmatuar apo i qelbëzuar; megjithatë, kjo është e rrallë tek fëmijët nën moshën 3 vjeç. Gjithashtu mjaft krimba dhe parazitë mund të japin dhimbje.
Drejtohuni menjëherë tek mjeku në rast se fëmija juaj:
Hidhet përpjetë dhe bërtet nga dhimbja me intervale 15-20 minuta, duke u zbehur mjaft gjatë këtyre krizave
Nxjerr feçe me ngjyrë të kuqe të errët, apo të ngjashme me reçelin e manaferrave
Ka dhimbje të fortë barku të pandërprerë që zgjat mbi dy - tre orë
Ka dhimbje të fortë barku, të shoqëruar dhe me ngritje të temperaturës.
Drejtohuni për vizitë tek mjeku pediatër në rast se fëmija juaj:
Paraqet edhe shenja të tjera, duket mjaft i lodhur, me temperaturë, ka të vjella etj
Ka dhimbje barku më shumë se tri orë rresht.
Në rast se fëmija juaj vuan shpesh nga dhimbjet e barkut, këshillohuni me pediatrin tuaj
Çfarë mund të bëjë mjeku?
Mjeku do të vizitojë fëmijën për të kuptuar shkakun e dhimbjeve të barkut. Trajtimi do të varet nga
shkaku, por shpesh ky shqetësim nuk ka nevojë për asnjë mjekim. Në rast se mjeku dyshon për një
apendisit apo ngatërrim zorrësh, do të kërkojë ta çoni fëmijën menjëherë në spital, sepse ka nevojë
për ndërhyrje kirurgjikale.

PËRDREDHJA E ZORRËVE
Në këtë rast, zorrët e holla të fëmijës përdridhen me njëra- tjetrën dhe mund të krijojnë një bllokim, që është shumë i rrezikshëm. Ky bllokim ndodh më shpesh në bashkimet e zorrëve të holla me ato të trasha.
Shenjat: Foshnja mund të qajë me të madhe me intervale dhe të ngrejë këmbët lart. Mund të ketë të vjella dhe diarre, madje dhe gjak në jashtëqitje. Barku i fëmijës mund të jetë i fryrë, gjendja mund të vështirësohet nga ndonjë e çarë në zorrë, që mund të çojë në infeksion të pjesës së brendshme të barkut.
Trajtimi: Kalimi i ajrit nëpër zorrë mund t i zhbllokojë ato. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë duhet bërë operacion. Në rastet më të rënda mund të hiqet një pjesë e zorrës.

APENDISITI
Infeksioni/pezmatimi i apendisitit është një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të barkut. Shkaku nuk njihet, por mund të jetë një pengesë nga copa të vogla jashtëqitjesh, apo më rrallë edhe nga krimbat e zorrëve.
Apendiksi enjtet dhe infektohet. Nëse kapet shpejt, apendisiti nuk është serioz. Megjithatë, nëse shenjat gabohen apo ngatërrohen me kapsllëkun dhe ka vonesë në trajtim, apendisiti mund të plasë.
Shenjat
Shenja e parë është dhimbja rreth kërthizës. Mbas disa orësh, dhimbja e fortë kalon në anën e djathtë,
në pjesën e poshtme të barkut. Fëmija mund të ketë pak temperaturë dhe të mos pranojë të hajë. Gjuha mund t i thahet dhe mund të ketë të vjella, diarre apo kapsllëk.
Trajtimi
Flisni menjëherë me mjekun. Apendisiti duhet të hiqet sa pa plasur. Nëse kjo nuk bëhet, çon në formimin
e një qeseje me qelb (abses) të brendshëm.

Si të dallojmë llojet e ndryshme të dhimbjeve?

Llojet e dhimbjes
1.Dhimbje e menjëhershme që e bën fëmijën të ulërasë dhe t i ngrejë këmbët lart
2.Dhimbje të barkut që e bëjnë fëmijën të bërtasë
3.Dhimbje të përgjithshme të lehta të barkut
4.Dhimbje të mëdha të kërthizës, që lëvizin drejt fundit të barkut në anën e djathtë
5.Dhimbje të përgjithshme barku
6.Dhimbje të përgjithshme barku
7.Dhimbje barku që përhapen poshtë në fshikëz

Shenja të tjera
1.E zakonshme në fëmijët nën 4 muajsh
2.Gjak dhe mukus në jashtëqitje, të vjella
3.Të vjella dhe diarre
4.Temperaturë e lehtë, mospranim i ushqimit, gjuhë e thatë
5.Ankth, qarje, agresion, të përziera
6.Fyt i thatë, bllokim hundësh, ethe të pakëta
7.Dhimbje gjatë urinimit, urinim në shtrat dhe rrallë gjak në urinë

Shkaku
1.Koliti/pezmatim i zorrës së trashë
2.Përdredhja e zorrëve
3.Gastroenteriti
4.Apendisiti
5.Stresi
6.Infeksion fyti, e ftohur e përgjithshme apo infeksion
i veshit të mesëm
7.Infeksion i aparatit urinar

Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›