E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Ja sukseset e mia në diplomacinë parlamentare”

Autori i Lajmit: red.
Sesioni parlamentar vjeshtë-pranverë 2007-2008, i cili u mbyll në fund të muajit korrik, u karakterizua nga një aktivitet i dendur i Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, edhe në lëmin e diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit ndërparlamentar dy- dhe shumëpalësh. Në një raport të publikuar të enjten nga zyra e shtypit e Kuvendit, thuhet se "kjo veprimtari e kryeparlamentares u shoqërua nga një axhendë e ngjeshur dhe dinamike në funksion të përcjelljes së vullnetit politik për ndërmarrjen e politikave të guximshme për përshpejtim të ecurisë së reformave dhe të proceseve integruese të vendit, forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë ndërparlamentare dhe përmirësimit të vazhdueshëm të imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve". Kalendari i punës së Kryetares së Kuvendit përfshin një numër vizitash zyrtare që ajo ka kryer jashtë vendit, e ftuar nga homologë të saj dhe takime me autoritetet më të larta në vendet respektive. Kjo axhendë përfshin vizita zyrtare të kryeparlamentarëve në Tiranë, me ftesë të kryetares Topalli, pjesëmarrjen e saj në konferenca, sesione dhe takime ndërkombëtare jashtë vendit, si “key speaker” ose lektore në universitete, si dhe një seri e dendur takimesh me personalitete të larta të politikës, të së drejtës dhe fushave të ndryshme. Në fokus të kësaj veprimtarie ishin aktivizimi dhe forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare me vendet e rajonit, vendet anëtare të BE, Parlamentin Evropian, vendet anëtare të NATO-s, vendet e Gjirit e më gjerë në shërbim të prioriteteve, përshpejtimi i ratifikimit të MSA nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, nxitja për marrjen nga Shqipëria të ftesës për në NATO, inkurajimi për ratifikimin sa më të shpejtë të protokollit për anëtarësim të plotë në këtë aleancë, liberalizimi i lëvizjes së lirë, mbështetje për statusin dhe pavarësinë e Kosovës, lobing për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, etj. Sipas raportit zyrtar, kjo veprimtari numëron rreth 17 vizita të ndërsjella të kryeparlamentares Topalli jashtë vendit dhe homologëve të saj në Shqipëri, rreth 20 konferenca dhe tryeza të rrumbullakëta rajonale dhe ndërkombëtare në Tiranë dhe jashtë vendit, rreth 90 takime me personalitete të larta në vend dhe jashtë Shqipërisë. I gjithë ky aktivitet shënon jo vetëm performancë profesionale të lartë, dinamizëm të nivelit të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe frymës së bashkëpunimit e partneritetit të komisioneve parlamentare me simotrat e tyre jashtë, aktivizim dhe shtrirje më të gjerë gjeografike të këtyre marrëdhënieve, por edhe ngritjen e urave të sigurta të miqësisë dhe kooperimit në interes të ndërsjellë në shërbim të perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Kapacitetet njerëzore të Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë gjatë sesionit parlamentar vjeshtë-pranverë 2007-2008 ka punuar seriozisht për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe të cilësisë së punës së stafit të këtij institucioni drejt standardeve evropiane. Në raportin zyrtar të publikuar thuhet se fakti që një staf i përgatitur dhe i kualifikuar është shumë i rëndësishëm në krijimin e një institucioni efektiv e profesional, siç është Kuvendi, nxiti nevojën për rritjen e ndjeshme të bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare, në interes të qytetarëve. Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe, janë bërë pjesë e stafit të Kuvendit një numër nëpunësish civilë, që kanë kryer studimet edhe në fakultete të mirënjohura të Evropës e SHBA-së apo kanë kualifikime pasuniversitare në fushat përkatëse. Kontributi i tyre ka ndikuar në rritjen e cilësisë së ekspertizës së ofruar për deputetët dhe në përmirësimin e efektshmërisë së punës së Kuvendit. Në këtë kuadër, Parlamenti ka bashkëpunuar me OSBE-në në projektin e saj "Për mbështetjen e Parlamentit Shqiptar” dhe me College of Europe në Brugge të Belgjikës për të mundësuar kualifikimin pasuniversitar në fushën e studimeve të legjislacionit evropian, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Ndërkohë të gjitha ligjet e miratuara gjatë këtyre viteve kanë qenë në përputhje me legjislacionin dhe standardet e Komunitetit Evropian. Në kuadër të rritjes së kapaciteteve njerëzore veçohet bashkëpunimi me institutin italian IPALMO dhe Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian, bashkëpunimi me parlamentin turk në kuadër të projektit “TIKA”, etj.
Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›