E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria pa drejtues shtetërorë: Berisha në Kinë, Topi dhe Topalli me pushime

Autori i Lajmit: red.
Shteti shqiptar i ditëve të sotme ndodh shpesh që të mbetet pa tre drejtuesit kryesorë: Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit. Të tria institucionet përdorin protokollet e tyre duke injoruar atë zyrtar që kërkon minimalisht njërin prej drejtuesve më të lartë në krye të detyrës në çdo kohë. Me pak fjalë, prej ditës së djeshme, shteti është në dorën e zëvendëskryeministrit të sapoemëruar Genc Pollo, ndërsa kryeministri Berisha udhëtoi drejt Pekinit për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Ndërsa që nga fillimi i muajit, si presidenti Bamir Topi, ashtu edhe Kryetarja e Kuvendit kanë marrë pushimet. Destinacioni i Kryetares së Kuvendit dhe familjes së saj edhe këtë vit është bregdeti kroat, ndërsa presidenti Topi ka zgjedhur Dhërmiun. Edhe në rastet e mëparshme drejtuesit e lartë shtetërorë kanë injoruar protokollin, madje, në pjesën ku flitet për sigurinë e tyre. Kujtojmë këtu rastin e funeralit të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kur të tre drejtuesit kryesorë të shtetit udhëtuan në të njëjtin avion. Gjithsesi, ajo që vlen të theksohet është se shteti shqiptar do të jetë për një javë në dorë të zëvendëskryeministrit Pollo, pas mesazhit që Kryeministri la dje në aeroport.

Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›