Berisha ne Kruje mbeshtetje Shkelzen Hoxhes

Ai ka theksuar se projektet e kryetarit të ardhshëm të bashkisë do të kenë të gjithë mbështetjen e qeverisë.
“Me Shkëlzen Hoxhën do zbatojmë çdo projekt. Do rindërtojmë sistemin e kanalizmeve, stadiumin, sikundër Kruja turistike do të mbetet kreu i të gjitha përpjekjeve tona. I dashur Shkëzen, Kruja evropiane meriton edhe teleferikun. Së bashku ne do të bëjmë që turistë nga e gjithë bota të ngjiten me teleferik. Kruja turistike kërkon dhe që ne së bashku të asfaltojmë rrugën e Qafë Shtamës, një nga zonat më të bukura malore të Shqipërisë”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë ka akuzuar liderin e opozitës, Edi Rama duke theksuar se me anë të rrugës së vetme ai kërkon të marrë të gjitha postet e mundshme.
“Ai është i vetmi politikan që kërkon të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie, edhe kryetar partie dhe të marrë çdo post. Ndaj thotë se ai është rruga e vetme”, theksoi kryeministri.
Ndërkohë Hoxha deklaroi se në qendër të projekteve të tij është turizmi.
“Si kryetar i ardhshëm ju premtoj një qeverisje demokratike dhe transparente për Krujën. Projekti im ka në qendër të vëmendjes turizmin. Kruja është një destinacion shumë i preferuar për këdo që vjen në Shqipëri. Strategjia ime, është zhvillimi dhe investimi... Punësimi është një nga sfidat më të rëndësishme të projektit tim”, është shprehur Hoxha.