E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Procesi i qetë, kontribut për integrimin në BE”

22/04/2011  Kryeministri Berisha apelon qytetarët shqiptarë për një fushatë larg tensioneve politike

Kryeministri Berisha u kërkoi dje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të kontribuojnë për një fushatë të qetë zgjedhore, larg tensioneve politike, pasi në këtë mënyrë ata kontribuojnë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Situata e tensionuar politike dhe incidentet partiake që kanë shoqëruar vendin në të gjitha anët, që nga nisja e fushatës elektorale, ishin në qendër të fjalës së kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Kryeministri i bëri thirrje, gjithashtu apel organeve të rendit të adaptojnë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi.

Apeli

“Edhe një herë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të të gjitha bindjeve politike, të shfrytëzojnë këtë proces për të dhënë kontributin e tyre personal në një proces të lirë, të ndershëm zgjedhor, të shfrytëzojmë këto javë për të dhënë gjithsecili kontributin e tyre personal në procesin më themelor, më të rëndësishëm, më jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët, procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, theksoi kryeministri në fjalën e tij. Ai nënvizoi se për shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike, integrimi evropian është procesi i vetëm më kryesor, më i rëndësishëm, për të gjithë këtë shekull. Kreu i qeverisë veçoi kontributin e shqiptarëve në një aspekt më të gjerë, në sektorë të ndryshëm të jetës, por kontribut më të madh se në çdo rrethanë tjetër, në procesin e integrimit, për Berishën, qytetari shqiptar mund të japë duke ndihmuar dhe duke u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. “Ndaj thirrja ime: të shmangim çdo akt dhune, çdo akt tensionimi, çdo akt fanatizmi, të vendosin me qëndrimin e tyre qytetar një tullë të re në ngrehinën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ata, të cilët verbërisht i lejojnë vetes akte dhune, tensionojnë situatën, duhet ta dinë se në mënyrë absolute veprojnë kundër interesave personale jetike të çdo shqiptari, edhe të vetes së tyre”, vijoi numri një i ekzekutivit. Incidenti i parë partiak, ai i zhvilluar në kryeqytet mes PS dhe LSI, si dhe shumë të tjerë që e shoqëruar atë në bashki dhe komuna të ndryshme, kishin në qendër të tyre vendosjen e flamujve partiakë. Kjo lloj përplasje për kryeministrin e vendit është e hidhur dhe lënduese. Ai u kujtoi atyre që përplasen për problemin e flamujve se ata janë flamuj të pluralizmit. “Theksoj se flamujt e forcave politike shqiptare, flamujt e spektrit politik shqiptar janë flamujt e pluralizmit. Këta flamuj shkëlqejnë vetëm kur rrinë në tërësinë e tyre, sepse pa ta dhe me flamuj të veçantë, Shqipëria nuk do të ishte kurrë kjo që është. Secili të votojë për flamurin e tij, por secili duhet të respektojë, të ketë tolerancën e plotë dhe vetëdijen se edhe flamuri tjetër është kusht që ai të jetë i lirë”, deklaroi shefi i qeverisë.

Roli i shtetit

Përveç qytetarëve, kryeministri u bëri thirrje organeve të rendit dhe të organeve të tjera të zbatimit të ligjit të adaptojnë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi. “Zgjedhjet, karakteri i tyre, përcaktohet para së gjithash e mbi të gjitha, nga zbatimi i ligjit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me zgjedhjet”, përfundoi Berisha.

Thirrja

“Çdo qytetar, çdo komisioner, çdo anëtar i organizatave të shoqërisë civile, ka shansin e madh të ndihmojë në këtë proces, duke kontribuar në zbatimin me korrektesë të ligjit të zgjedhjeve dhe ligjeve të tjera të lidhura me zgjedhjet, në këtë rast vendoret.”

Siguria

“Ka një mënyrë të sigurt për t’i shndërruar këto zgjedhje në fitore për çdo qytetar shqiptar. Në këto zgjedhje do të fitojë çdo shqiptar, kur ato të jetë të lira e të ndershme. Pastaj do të jenë edhe kandidatët, që sigurisht, qytetarët do të zgjedhin më të mirët.”

Deklarata e Bogdanit

“Bashkia e Tiranës e paditur nga 732 qytetarë”

Deputeti i PD-së, Gert Bogdani, denoncoi dje numrin e lartë të padive të depozituara në Gjykatën e Tiranës kundër kryebashkiakut Edi Rama, si pasojë e keqtrajtimit të tyre nga shërbimet e bashkisë. “Sipas një studimi të qendrës së studimeve parlamentare të 2009-s, ku jepet shifra e peticioneve të qytetarëve drejt institucioneve shtetërore, pranë Bashkisë së Tiranës janë regjistruar 26,000 ankesa në vit. Ndërkohë që plot 732 është numri i padive të depozituara në Gjykatën e Tiranës nga qytetarët kundër bashkisë së kryeqytetit: janë qytetarë apo edhe firma të ndryshme, të cilat pretendojnë se janë cenuar padrejtësisht nga kryetari Edi Rama, në emër të bashkisë dhe kërkojnë miliona lekë dëmshpërblim për prishjen e pronave, shtëpive dhe bizneseve të tyre”, theksoi Bogdani në deklaratën e tij. Por për deputetin e PD-së më negativ është qëndrimi i përfaqësuesve ligjorë të bashkisë, që as nuk denjojnë të paraqitet në gjyqe duke i injoruar qytetarët, të cilët meritojnë respekt dhe vëmendje. “Kjo situatë s’duhet të vazhdojë më! Ne kemi nevojë për një kryebashkiak që të kujdeset për qytetarët dhe të përpiqet të zgjidhë problemet e tyre, e jo për një kryebashkiak që në fokus ka vetëm betejën politike”, përfundoi Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›