E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu, Seqiu, Wollfarth apel politikës

22/04/2011  Përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vend japin mesazhet parazgjedhore

Ambasadorët e huaj kërkojnë pjekuri politike dhe respektim të vullnetit të zgjedhësve

Ambasadorët e tri institucioneve më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare kanë analizuar dhe komentuar situatën politike në vend, atmosferën parazgjedhore, por njëkohësisht kanë lëshuar dhe një mesazh mjaft të qartë për klasën politike në vend dhe për qytetarët shqiptarë. Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ai i Bashkimit Evropian, Etore Sequi, si dhe ambasadori i OSB-së, Eugen Wollfarth, gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të transmetuar në televizionin “Klan”, kanë sqaruar pozicionet e tyre përballë institucioneve shqiptare, marrëdhëniet me drejtuesit politikë në vend, por nga ana tjetër kanë nënvizuar me forcë peshën reale që kanë zgjedhjet vendore të 8 majit, lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. “Ajo që mendoj është se ne nuk duhet të harrojmë që ky tren për në Bashkimin Evropian është një rrugëtim për të gjithë vendin. Është një udhëtim i cili nënkupton përgjegjësinë e gjithsecilit. Është një element shumë i rëndësishëm, një fushatë e cila do të përcaktojë udhëtimin tuaj në trenin për në Evropë”, u shpreh ambasadori i BE-së, Sequi, lidhur me mesazhin që mbartin në vetvete këto zgjedhje. Por në këtë këndvështrim Sequi u bëri thirrje partive politike që “të përpiqen të ushtrojnë pjekurinë, tu kërkojnë mbështetësve të tyre të kenë pjekurinë e duhur, me qëllim që të kemi një fushatë zgjedhore dinjitoze, dhe që të vazhdojnë të jenë të përkushtuar, pasi zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për të çuar vendin përpara drejt Evropës”. Ndërkohë që nga ana e tij, ambasadori i SHBA-ve, Arvizu, do të kërkonte nga klasa politike që të respektonin votën e votuesve shqiptarë, duke e lexuar si duhet atë, përmes organizmave të ngritura për këtë çështje. Por për këtë, sipas diplomatit amerikan, “palët thjesht nevojitet që tia ripërkushtojnë veten shërbimit të vendit dhe popullit të tij”. Madje, nga të tre ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranën zyrtare, u përcoll një mendim i përbashkët lidhur me mosbesimin e qytetarëve tek institucionet e ngarkuara me ligj për zgjedhjet, por dhe tek vetë klasa politike në vend. “E di që ka qenë problem në të kaluarën dhe disa njerëz janë të shqetësuar që e kaluara do të jetë e tashmja apo e ardhmja. Shpresojmë që nuk do të ndodhë ashtu, dhe mendoj që cilido: shqiptarët, ndërkombëtarët, kanë punuar në përpjekje për të hedhur themelet, në mënyrë që njerëzit këtu të kenë besimin që institucionet mund ta kryejnë punën e tyre. Rekomandimi numër një i ODIHR-it është vullneti politik dhe ka shqetësim të vërtetë mbi gatishmërinë e njerëzve që po e bëjnë këtë për të përmbushur mandatin e tyre. Por besoj që strukturat janë aty”, vlerësoi ambasadori Arvizu. Madje, në shpjegimin e tij përfaqësuesi i SHBA-ve në Tiranë veçoi se “rezultatet duhet të certifikohen në fillim dhe ky është një proces me tri shkallë. Janë komisionet zgjedhore, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe pastaj është Kolegji Zgjedhor. Në krah është edhe ODIHR-i, i cili do të hartojë dhe nxjerrë një raport bazuar mbi atë që kanë parë gjatë gjithë fushatës”. Ndërkohë që ambasadori i OSBE-së, Wollfarth, ndalur në traditën e deritanishme, ku palët nuk kanë njohur rezultatin final, e konsideroi këtë çështje si lehtësisht të arritshme. “Zgjedhjet deri tani kanë pasur ato ulje-ngritjet e tyre gjatë historisë, është e vërtetë, por këto zgjedhje vijnë pas krijimit të një regjistri të ri të gjendjes civile, një sistemi të ri adresash, pas pajisjes me karta dhe pasaporta biometrike. Pra, këto zgjedhje do të mbahen mbi baza shumë të shëndosha dhe më të sigurta. Madje, edhe kjo, meqë ra fjala, është rezultat i një pune të përbashkët, sepse nevojitej një bashkëpunim midis nivelit qendror dhe atij vendor dhe ka pasur shumë sy, nga të dyja palët, që e kanë kontrolluar këtë proces, dhe unë uroj që kjo frymë bashkëpunimi të vazhdojë”, u shpreh Wollfarth, duke shtuar se “ka pasur dëshirë për të bashkëpunuar, por siç e thashë, kjo është pjesë e vullnetit politik për ti ndarë çështjet partiake nga çështjet me interes të përgjithshëm, për të çuar Shqipërinë përpara, për ta çuar drejt një demokracie edhe më të stabilizuar dhe drejt një vendi më të përshtatshëm për jetën e përditshme të qytetarëve të tij”. Por nisur nga rëndësia e këtyre zgjedhjeve, Wollfarth informoi se “në këto zgjedhje do të jenë 500 vëzhgues, por nuk mund tju them shifrën e plotë, sepse mund të vijnë për këtë qëllim edhe parlamentarë të ndryshëm nga një sërë vendesh dhe me sa kuptoj edhe institucione të tjera si Këshilli i Evropës kanë ndër mend të dërgojnë vëzhgues të tjerë, por nuk kam ndonjë shifër të konfirmuar ende”.

Arvizu për Berishën e Ramën

“I qëndroj fjalës, kryeministri burrë shteti”

“Është udhëheqësi i zgjedhur demokratikisht i një aleati të NATO-s. Mendoj se është politikan i zoti. Mendoj se ka qenë kryeministër gjatë një periudhe të rendësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë, tranzicionin e saj politik dhe ndiej se kemi ngritur një raport të mirë, ku mund të jemi të hapur dhe të ndershëm ndaj njëri-tjetrit dhe nuk mund të kërkoj më shumë se kaq. Kryministri vendosi ta anulonte mitingun e tij. Dhe përgjigjja ime ndaj kësaj ishte që ndjeva se vendimi i tij për ta bërë ishte një vendim prej burri shteti. Rama, e admiroj faktin që në shkollim është artist. Të jesh i aftë të ndjekësh me atë nivel entuziazmi dhe energjie, me një fjalë të bësh punën e dy njerëzve, do të ishte shumë tia kërkoje një personi. Kandidimi për kryebashkiak apo thjesht prezantimi i kandidatëve,është mbresëlënës.”

Wollfarth për KQZ

“Institucioni duhet të ruajë neutralitetin”

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që Shqipëria ka, është i vetmi komision për zgjedhjet, kështu që nuk ka mundësi zgjedhjeje. Ne ofrojmë këshilla sa herë që nevojitet, për të ecur përpara me hapat teknike. Gjithçka tjetër i përket politikës, por kjo u takon qytetarëve të vendosin nëse e besojnë apo jo. Megjithatë, kjo punë teknike duhet të kryhet në një mënyrë sa më profesionale dhe për të gjithë, pa dallime. Një nga gjërat kyç në mandatin e OSBE-së është që të mbështesim qeverinë, institucionet në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe KQZ-ja, sigurisht, është një institucion shtetëror, dhe si i tillë ai duhet të funksionojë në mënyrë neutrale dhe të qetë me bashkëpunimin e gjithë anëtarëve të tij në detyrë. Për fat të keq nuk e kemi parë të ndodhë kjo gjë pa ndërprerje. Tani sërish ky komision i është rikthyer më shumë normalitetit.”

Përfaqësimi në zgjedhje

Sequi: Më shumë përfshirje për gruan dhe të rinjtë

“Do të isha me i kenaqur në rast se numri i kandidatëve femra në keto zgjedhje vendore do të ishte më i lartë. Unë di madje që edhe Kodi Zgjedhor ka një dispozitë pikërisht për këtë ceshtje, 30 %. Po, mendoj se duhet bërë shumë. Pse jo dhe 70 për qind. Dhe me sinqeritet e them që çështja nuk qëndron vetëm tek përqindja, por tek fakti që një pjesë të shoqërisë shqiptare i duhet dhënë mundësia të shprehet dhe të perfaqësojë vetveten. E dini se cila është përqindja e të rinjve dhe grave tek votuesit? 70 apo dhe 72 %. Prandaj është një çështje tepër e rëndësishme. Unë mendoj se kjo mundesi duhet ti jepet këtij grupi të shoqërisë shqiptare, një gjë kjo shumë e rëndësishme. Prandaj ju falënderoj për pyetjen dhe mund tju them që të paktën për sa i përket Bashkimit Europian, ne do ti kushtojmë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›