E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq në Kosovë, 7 persona rezultojnë të zhdukur

Autoritetet Kosovare deklarojnë se të paktën 7 persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq që ka përfshirë vendin. Viktimat janë regjistruar në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit në Kosovën jugore. Një ortek i madh borë ka shkatërruar gjashtë shtëpi në këtë fshat dhe ekipet e shpëtimit kanë konfirmuar vdekjen e 7 personave, ndërsa po bëhen përpjekje për të shpëtuar të paktën edhe tre persona të tjerë që besohet se ndodhen nën ortekun e borës. Ekipet e shpëtimit nxorën nga gërmadhat e njërës nga shtëpitë një vajzë rreth 5 vjeçe, e cila i kishte mbijetuar ortekut.

Ata thanë se gjendja e saj shëndetësore është e mire. Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përfshirë në operacionin e kërkim shpëtimit të mbështetur nga trupat e forcave paqeruajtëse dhe qytetarë të shumtë. Autoritetet thanë se orteku me një thellësi prej 10 metrash dhe me gjerësi prej 500 metrash ka goditur 15 shtëpi në fshatin Restelicë, që ndodhet në trekëndëshin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni.

Operacioni është vështirësuar shumë gjatë orëve të natës për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe erës së fortë, që kanë pamundësuar depërtimin e makinerive të rënda në fshat.Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cilësoi ngjarje të rëndë dhe të trishtueshme humbjen e jetëve në Restelicë. Edhe qeveria e Kosovës duke shprehur ngushëllimet e saj për jetët e humbura ka theksuar se po ndjek nga afër situatën në fshatin Restelicë. Solidaritetin e tyre me situatën e kanë shprehur edhe partitë politike në vend.

Reshjet e djeshme të borës kanë shkaktuar shumë vështirësi në komunat perëndimore të Deçanit dhe të Pejës, duke lënë edhe shume fshatra të izoluara. Vështirësi lëvizjeje ka edhe në disa komuna të tjera të Kosovës cilat kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Moti i keq që ka përfshirë Europën ka shkaktuar deri tani reth 500 të vdekur.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›