E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kurbin:Investime madhorepër Fushëkuqen

TIRANë- Kryeministri Sali Berisha garantoi dje, banorët e komunës Fushëkuqe, në rrethin e Kurbinit, se "Qeveria do ndërmarrë të gjitha investimet që do të ndryshojnë dhe përmirësojnë me shpejtësi jetën e tyre". Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok, me vlerë investuese 260 milion lekë. Rruga ka një gjatësi 9,5 kilometër dhe gjerësi 8 metra dhe është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve moderne bashkëkohore.
Pas përurimit, kryeministri Berisha u takua me banorë të komunës së Fushëkuqes në rrethin e Kurbinit, të cilëve iu uroi rrugën e re dhe i falënderoi për mbështetjen e fuqishme që i japin qeverisë, e cila po bën realitet ëndrrat më të bukura të mbarë shqiptarëve.
"Shfrytëzoj rastin t'u përshëndes shumë përzemërsisht, t'u falënderoj me mirënjohje të thellë për mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë dhe qendrës së djathtë, qeverisë së integrimit, e cila po shndërron në realitet ëndrrat më të bukura tuajat dhe mbarë shqiptarëve", tha ai.
Përfundimi i kësaj rruge është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, tha Kryeministri Berisha, duke siguruar se "brenda vitit 2010, do të asfaltohen të gjitha rrugët që zbresin drejt detit".
"Kjo rrugë lidh Mamurrasin dhe plazhin e bukur të Patokut. Ne zotohemi se do të asfaltojmë brenda 2010 çdo rrugë që zbret drejt detit, nga derdhja e Bunës tek Kepi i Stillos. Ne po shndërrojmë në realitet një premtim të dhënë për të kthyer vendin me sytë nga deti, duke përfunduar korridorin e Kombit, rrugën e Arbrit dhe duke asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit. Shqiptarët do të kenë malet më të bukura në Evropë dhe brigjet ndër më të pasurat në Mesdhe", tha Kryeministri Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›