Berisha: Qershorin që vjen, do përsërisim 22 marsin e vitit 92

Dje gjate mbledhjes se krereve te PD ne rrethe
Kreu i PD çel fushatën e anëtarësimeve të reja.
Festa do jetë e 20-vjeçarëve shqiptarë, e brezit më të lumtur në historinë e këtij vendi
Partia Demokratike do të shfrytëzojë 22 marsin për të nisur një fushatë kombëtare për rritjen e numrit të anëtarësimeve. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha, në një mbledhje në selinë blu me kryetarët e degëve dhe deputetët për organizimin e festimeve të enjten e ardhshme, ditën kur 20 vjet më parë PD-ja fitoi zgjedhjet pluraliste. Gjatë fjalës së tij, kreu i maxhorancës tha se 22 marsin ne do ta caktojmë si ditën, me të cilën do të nisim një seri të re anëtarësimesh në Partinë Demokratike, seri e cila do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, deri një muaj para zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013. Me këtë do të synojmë të ftojmë që të bashkohen me ne energjitë më të mira të komunitetit dhe shoqërisë. Kjo gjë është jetike, në sensin që 20 vitet që kaluan ishin vite të përpjekjeve të mëdha dhe 20 vitet që vijnë kanë nevojë për një energji të re, të gjithanshme, kanë nevojë për kontribute të reja në çdo seksion, në çdo degë e nëndegë. Me këtë rast, ai kërkoi mobilizim të të gjitha strukturave edhe për mitingun festiv që do të zhvillohet javën tjetër në orën 12:00 në sheshin Nënë Tereza, ku do të kujtohet ajo fitore e 20 viteve më parë, që solli në pushtet një forcë demokratike për rreth 50 vitesh diktaturë. Ne duam që kjo festë të jetë festë për të gjithë. Ndaj, me këtë rast do të ftoja të gjithë qytetarët shqiptarët ta festojmë së bashku këtë 20-vjetor, si dita që çeli dyert e të ardhmes sonë. Por do të doja që kjo festë të ishte, para së gjithash, festë e të rinjve shqiptarë, festë e 20-vjeçarëve shqiptarë, e brezit më të lumtur në historinë e këtij vendi, i cili nuk jetoi qoftë edhe një orë të vetme diktaturën që përjetuan shqiptarët. Ndaj i ftoj të gjithë në këtë manifestim të bukur dhe koncertin që do të organizohet ditën e enjte, në orën 12:00, u shpreh më tej kreu i qeverisë. Sipas kreut të PD-së, në përfundim të fushatës së anëtarësimeve të reja, vitin e ardhshëm do të përsëritet e njëjta fitore si ajo e 22 marsit të 20 viteve më parë. Me vlerësimin më të madh për kontributin që ata japin dhe do të japin në shndërrimin në realitet të projektit të Shqipërisë europiane, të kësaj force politike, unë kam besim të madh se ne do të jemi në lartësinë e kësaj detyre, se do të justifikojmë plotësisht besimin, dëshirën, vullnetin e të rinjve dhe të rejave, e qytetarëve të çdo moshe, për ti bashkuar me PD-në dhe për të ecur të sigurt drejt një fitoreje të shkëlqyer. Qershori që vjen do të përsërisë 22 marsin e vitit 92″, u shpreh Berisha.
20 vjet më parë
Duke u ndalur në atë çka mendonin shqiptarët 20 vjet më parë, Kryeministri tha se ishin të shumtë ata që nuk kishin shpresë se Shqipëria mund të bëhej. Sipas tij, eksodet masive drejt Italisë e tregonin këtë. Por sot, pas 20 vjetësh nga fitorja e Partisë Demokratike, u faktua se Shqipëria mund të bëhet. Sot, krahasuar me 20 vite më parë, qytetarët e këtij vendi, të rejat e të rinjtë, kanë 20 herë më shumë motive për tu bashkuar me ne. Le të kthehemi 20 vite më parë. Të shumtë ishin ata që besonin se Shqipëria do të bëhej, por të panumërt ishin dhe ata që nuk besonin se Shqipëria mund të bëhej. E vërteta është se ajo kohë ishte hamletiane. Po tu rikthehemi eksodeve të paimagjinueshme, ato ishin rezultat i përgjigjes se Shqipëria nuk do të mund të bëhej. Nuk është se ata nuk kishin mall për Shqipërinë, por ishin të mbytur nga dëshpërimi. Në këto 20 vite, u faktua se Shqipëria mund të bëhej, me vendosmërinë dhe shpejtësinë më të madhe, mund të bëhet duke konsoliduar gjithnjë e më shumë ligjin, domethënë liritë e qytetarëve shqiptarë, u shpreh Kryeministri. Duke e krahasuar vendin me atë çka ishte përpara 22 marsit, Berisha tha se në këtë garë të lirisë, të ndërtimit të prosperitetit dhe të ardhmes, shqiptarët u shkëputën nga njëri prej 2-3 vendeve më të varfra të botës dhe sot janë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. 20 vitet janë dëshmia më e shkëlqyer e vullnetit të hekurt, e gjenisë krijuese të qytetarëve shqiptarë për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre europiane. E ardhme, e cila parakupton standardet më të mira të lirisë, jetesës e sigurisë së qytetarëve shqiptarë.
Sekretarët e PD me mandat 7-vjeçar
Festimet e 22 marsit kanë rikthyer sërish gjallërinë në selinë blu. Për herë të fundit një takim me strukturat ishte zhvilluar korrikun e kaluar, kur Këshilli Kombëtar zgjodhi Kryesinë e re. Në dhjetor të vitit 2009 u zgjodh njëkohësisht Këshilli Kombëtar dhe u mandatua Berisha edhe për katër vite të tjera. Por sekretariati i PD-së dhe dy nënkryetarët vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet që kanë prej shtatë vitesh, për shkak se ende nuk janë zhvilluar zgjedhjet.Batuta për orarin e mitingut
Përcaktimi i orës së mitingut të 22 marsit në sheshin Nënë Tereza ka kaluar mes batutave në mbledhjen e djeshme të kryetarit të PD-së me krerët lokalë dhe deputetët. Fillimisht, Kryeministri ka propozuar që mitingu të mbahet në orën 12:00, por sekretari Organizativ, Flamur Noka, nga salla ka hedhur idenë që ai të bëhet pasdite. Në përgjigje të kësaj kërkese, Berisha ka thënë se Jo pasdite, është pushim e enjtja. U konvenon më mirë ora 12. Flamur, unë e kuptoj që fishekzjarrët ditën… i hedhim në darkë ato ne. Festa do të vazhdojë.Festimet në darkë nëpër rrethe
Organizatorët e Partisë Demokratike kanë parashikuar një ditë të ngjeshur me festime të enjten e ardhshme më 22 mars, e cila do të jetë pushim për shkak se është festa e Nevruzit. Fillimisht do të zhvillohet mitingu festiv në sheshin Nënë Tereza, ku veç fjalës së Kryeministrit, do të zhvillohet edhe një koncert. Më pas, festa do të transferohet në rrethe, ku degët e Forumit Rinor do të zhvillojnë aktivitete festive për të kujtuar fitoren e parë të Partisë Demokratike.
ADI SHKEMBI