E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Lushnje ben thirrje per qetesi ne fushate

Kryeministri Sali Berisha që nga Lushnja ka bërë thirrje për një fushatë të qetë duke i ka kërkuar qytetarëve që të qendrojnë larg tensioneve dhe incidenteve.

“Jam këtu për t’ju bërë thirrje të gjithë mbështetësve, simpatizantëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” që në këtë fushatë të mbajnë parasysh e të kenë për yll polar, moralin qytetar. Të shmangin çdo tension, çdo përplasje. Sikundër u bëj thirrje gjithë shqiptarëve, të zhvillojnë fushatën më të qytetëruar, fushatën e vlerave të vërteta”- tha Berisha.

Kreu i qeverisë kërkoi votën e lushnjarëve për kandidatin Albert Sanxhaku duke premtuar edhe më shumë investime në katër vitet e ardhshme.

“Qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Albert Sanxhaku, të kryetarëve të komunave tuaja, për të lehtësuar jetën tuaj, për ta përmirësuar atë. Për të bërë të mundur që mundi, djersa dhe puna juaj të marrin gjithnjë e më shumë shpërblimin e merituar” – tha Berisha.

Edhe në këtë qytet ai u ndal tek kundërshtarët politikë duke thënë se ata ofrojnë si alternative, shpifjen.

 “Krahas kësaj fushate, po zhvillohet fushata e rrugës së vetme. Rruga e vetme është rruga e mallkimeve, shpifjeve, hakmarrjes që s’ka asgjë të përbashkët me vlerat e shpirtit tuaj, interesat tuaja dhe interesat e fëmijëve tuaj”- tha më tej kryeministri.

“Në këto katër vjet pune të vazhdueshme në qytetin tonë, kemi arritur të japim pamje dinjitoze. Kemi arritur të përmbushim impenjimet duke mbajtur premtimet tona, duke u shërbyer qytetarëve në komunitet në tërësi, e në çdo lagje”- tha Sanxhaku.

Albert Sanxhaku që rikandidon për postin e kryetarit të bashkisë së Lushnjes vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›