E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajcak Te hetohen incidentet. Standartet para rezultatit

I dërguari special i Brukselit në Tiranë, Miroslav Lajçak ka kërkuar që të mos spekulohet mbi incidentet e fundit të ndodhura në Shqipëri gjatë fushatës elektorale. Në mbledhjen e rradhës të Komisionit të Jashtëm Evropian, Lajçak tha se janë hetimet ato të cilat do të thonë fjalën e fundit mbi përfshirjen e incidenteve me fushatën për zgjedhjet e 8 majit.

“Dhuna është e papranueshme dhe për rastet e vërejtura është për të ardhur keq. Unë nuk dua t'i përgjithësoj ato, sepse kemi diskutuar shumë për incidentin tragjik të 21 janarit. Për këto raste, është e nevojshme të bëhen hetime, për të ditur se cilat incidente janë të lidhura me politikën, dhe cilat janë të zakonshme. Dhe unë uroj që gjatë fushatës zgjedhore të mos ketë dhunë në Shqipëri që të jetë e lidhur me motive politike”- përfundoi ai.

Gjatë diskutimeve, komisioni u ndal dhe tek zgjedhjet vendore të 8 majit si dhe rëndësia e arritjes së standarteve.

“Ne kemi dëshirë të ndihmojmë, por përgjegjësia kryesore dhe e veçantë është e forcave politike dhe e institucioneve shqiptare. Ato e dinë një gjë të tillë. Por është i rëndësishëm mesazhi që duam të dërgojmë ne për këto zgjedhje, dhe ky është arritja e standardeve evropiane. Unë e kuptoj që këto zgjedhje janë përqëndruar se si të arrihet fitorja e njërit apo e tjetrit, te numri i vendeve të fituara, por unë dua të ritheksoj se për ne ka më shumë rëndësi që këto zgjedhje të jenë evropiane”- tha Lajçak.
 
Në seancën e Parlamentit Evropian, “Ballkani Perëndimor në një Evropë më të integruar', do të marrë pjesë edhe kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Jozefina Topalli.

Gjovalin Kola

Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 13 prill 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›