E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në PPE: Opozita po bllokon vendin

Pas takimit, Berisha konfirmoi për mediat tona, se ishin diskutuar një sërë çështjesh, si kriza ekonomike botërore, statusi i Serbisë, etj.

Berisha theksoi se në fjalën e vet kishte nënvizuar se është e domosdoshme të mbështetet iniciativa e Komisionit Evropian për studimin e fizibilitetit dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës, një vend me një rëndësi shumë të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Në fjalën time theksova se marrëveshja u jep përgjigje problemeve madhore që ekzistonin, por ajo që mbetet për t’u çmontuar dhe për t’i mbetur të shkuarës, janë strukturat paralele, paramilitare, të cilat kurrë nuk mund të garantojnë as liritë e të drejtat, as zhvillim të atyre rajoneve dhe që mbahen për qëllime të caktuara. Theksova gjithashtu se respektimi i marrëveshjes nga të gjitha palët është një gjë e domosdoshme, në mënyrë që paqja, stabiliteti, të konsolidohen”, u shpreh Berisha.

Për sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, Berisha u shpreh se nuk ka asnjë pengesë nga shtetet e bllokut në këtë drejtim. “Unë e kam theksuar dhe e theksoj se absolutisht nuk ka asnjë pengesë, përveç faktit se opozita shqiptare bllokoi për dy vite më radhë votimin e reformave evropiane. Unë e kam theksuar dhe e theksoj; nuk mund t’i kërkoj kërkujt që të mbështesë statusin për Shqipërinë, në një kohë kur partia kryesore opozitare, në një rast unik në Evropë, nuk voton reformat e drejta të kërkuara për procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian. Ata që e konceptuan  dhe e konceptojnë bllokimin si një mjet për të dëmtuar qeverinë dhe që dëmtojnë vendin e tyre, ata natyrisht do të kenë të gjitha përgjegjësitë para shqiptarëve”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Për sa i përket reformës zgjedhore, Berisha tha se nëse do të ketë vullnet, ajo mund të bëhet brenda 6 javëve. “A e dini ju që për adresimin e rekomandimeve të ODIHR ne i kemi njohur PS-së pothuajse ekskluzivitetin e paraqitjes së amendamenteve?. Natyrisht, tryezë nuk do të thotë diktat, do të thotë arsyetim dhe mirëkuptim. Ky proces nuk ka asnjë vështirësi, sepse rekomandimet janë të qarta. Në rast se dikush, për ta bllokuar atë, sjell gjëra që nuk janë rekomanduar kurrë, apo e militarizon siç e keni marrë vesh dhe ju, kjo është tjetër gjë. Ata kanë kërkuar dënime me 8 vjet për komisionarët. Kur e thashë këtë gjë këtu në samit, u çuditën. Gjëra të tilla dalin jashtë çdo lloj logjike demokratike”, shtoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-03-02 10:15
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›