Lezhë, përkujtohet Besëlidhja e vitit 1444
Besëlidhja e Lezhës përkujtohet sot në 568 vjetorin e saj në këtë qytet përmes aktivitetesh të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe bashkia. Në ceremoninë festive pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.
Veprimtaritë përkujtimore do të nisin rreth orës 11:00 paradite, ku autoritetet shtetërore dhe ato vendore do të vendosen buqeta me lule në Obelisk, ku do të ngrihet flamuri kombëtar.
Më pas do të zhvillohen homazhe në memorialin dhe varrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pranë monumentit të gjergj Fishtës.
Aktivitetet festive do të përmbyllen në një koncert, i cili do të mbahet në Pallatin e Kulturës së qytetit.
Tre ditë më parë, Aleanca Kuqezi kërkoi leje për organizimin e një tubimi festiv pikërisht sot në Lezhë. Por autoritetet vendore dhe policia e qytetit e refuzuan kërkesën e Aleancës Kuqezi, e cila akuzoi direkt kryeministrin Berisha.
Refuzimi i kërkesës sonë për një tubim festiv me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës vjen me urdhër të Berishës. Kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin. Refuzimi ka ardhur pasi Berisha mban një aktivitet në të njëjtën orë dhe ditë, thanë përfaqësues të AK. / G. N.